Arbëri

Ligji për automjetet, të premten për herë të gjashtë në Kuvend

Në seancën e së premtes, për herë të gjashtë do të shqyrtohet ndryshim- plotësimi i Ligjit për automjete, me të cilin synohet heqja e homologimit.

Nisma ishte ndërmarrë nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në korrik të këtij viti, ndërsa në gusht ka skaduar afati i Qeverisë për të dhënë mendimin.

Grupet parlamentare LDK, PDK dhe AAK nuk e kanë përkrahur këtë propozim me arsyetimin se është i varfër dhe se nuk bën ndonjë zgjidhje.

Por deputeti Hekuran Murati nga Vetëvendosje, në emisionin “Desku”, i ka konsideruar këto arsyetime si manipulim me publikun që homologimi të mbetet.

“Nëse PDK dhe partitë e tjera do ta kishin interesin e qytetarëve prioritet e jo interesat e veta, atëherë si është e mundur që Ligji për heqjen e homologimit ka pesë herë që del në seancë dhe nuk votohet, s’ka sen ma të qartë për interes të qytetarëve, domethënë në njërën anë i ki qytetarët që detyrohen me pagu nga 100 euro për këtë shërbim, dhe në anën tjetër e ki vetëm një kompani që i merr këto pare. Si e mbrojnë interesin e qytetarëve këta që e mbajnë anën e kësaj kompanie”, tha deputeti i LVV-së, Murati.

Ndërsa sipas gjetjeve të Institutit GAP, monopoli në homologim ka ndikuar shumë në xhepat e qytetarëve.

Për veturat e importuara nga vendet e Bashkimit Evropian, Zvicra dhe Norvegjia, qytetarët kanë paguar 2.4 milionë euro më shumë sesa që do të paguanin po të kishte liberalizim të tregut.

“Ato vetura që vijnë nga atje absolutisht me një kontroll të rregullt teknik mund të kalonin dhe të regjistroheshin në Kosovë pa pasur nevojë dhe pa pasur për detyrë të shkojnë në procesin e homologimit, i cili po ashtu është një proces teknik, veç se kostoja e tij është shumë më e lartë“, deklaroi Jeton Mehmeti, hulumtues në Institutin GAP.

KOHA lidhur me këtë temë ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të partive në pushtet, si dhe nga PDK-ja, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.