Kryeministri Avdullah Hoti i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë dhe Transfereve, Hykmete Bajrami kanë vizituar Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Hoti me këtë rast ka thënë se janë duke punuar intensivisht për zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Po diskutojmë për përgatitjet për zbatim për Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Kjo për neve është shumë e rëndësishme që të ndihmojmë bizneset për ndikimin negativ të pandemisë”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar ATK-në punë e bërë duke iu siguruar mbështetje të vazhdueshme për ligjshmëri dhe transparencë të plotë.
Hoti ka paralajmëruar pako të re fiskale për vitin 2021, për të cilën tha se janë në diskutim më të gjitha institucionet përgjegjëse.
“Kemi punuar në grupe punese për të përgatitur pakon e re fiskale dhe në bazë të diskutimeve, jemi duke marrë propozime për të dalë me masa të reja në vitin 2021”.
Ekrem Hysenaj, drejtor i përgjithshëm i ATK-së, ka njoftuar për punën e ATK-së gjatë kësaj periudhe.
“Në kontekst të hyrave për periudhën janar-nëntor 2020 janë 426.6 milionë euro, 39 milionë euro apo 8.4 për qind më pak se periudha e kaluar. I kemi 25.3 milionë apo 5.5 për qind më pak sesa plani i rishikuar i të hyrave përkatëse. Kurse 74.3 milionë më pak se plani fillestar i të hyrave për periudhën përkatëse, ndikimi i pandemisë direkt në të hyrat për vitin 2020 ka qenë 74.3 milionë euro, po flasim për periudhën mars-nëntor. Kurse për periudhën komplet janë 77 milionë euro”, ka thënë ai.
Kurse, ministrja Bajrami ka kërkuar ndihmën e ATK-së për zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.