Arbëri

Qeveria konfirmon shtyrjen e moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare

Descriptive Text

Qeveria ka përmendur një “gabimit teknik”, si justifikim për shtyrjen e moratoriumit për aplikim në organizatat ndërkombëtare. E ka bërë këtë nëpërmjet një sqarimi, një ditë pasi KOHA ka raportuar se në Draftin e Planit të Punës së Qeverisë për vitin 2021 është planifikuar një shtyrje e këtillë.

“Në fillim të vitit 2020 hartimi i PPQ-së ka kaluar nga formati një vjeçar në atë tre vjeçar, ku janë përfshirë edhe hapat procedural që supozohen të ndërmerren në vitet pasardhëse. Ky ndryshim ka rezultuar me shfaqjen e disa gabimeve teknike gjatë procesit të hartimit. Një ndër to është edhe mosvendosja e aktiviteteve të planifikuara në rubrikat përkatëse. Konkretisht, aktivitetet e MPJD-së për vitin 2022 janë vendosur gabimisht në rubrikën e aktiviteteve për vitin 2023”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.

Por, ndryshe nga ky justifikim i Zyrës së Kryeministrit, aktivitetet në Draftin e Planit të Punës, kishin rrjedhë logjike.

Aty, Qeveria ka paraparë që në 2021-n vetëm ta hartojë listën e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për Kosovën, dhe të krijojë grupe punuese për lehtësimin e proceseve të aplikimit.

Për vitin 2022 ka planifikuar ta bëjë përgatitjen e aplikacioneve dhe eventualisht aplikimin në organizata më të vogla.

E, tek për në vitin 2023 është paraparë të bëhet aplikimi në institucionet dhe organizatat që kanë rol të madh në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës.

E njëjta gjë shihet edhe në pjesën që përmban planin e Punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas zotimeve të bëra në Uashington, më 4 shtator, Qeveria e Kosovës ishte pajtuar të hiqte dorë për një vit nga aplikimi në organizatat ndërkombëtare, që i bie se ky afat i moratoriumit do të përfundojë më 4 shtator 2021.