Faik Hoti, nga divizioni për komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se janë duke bërë përpjekje që në tre mujorin e parë të vitit 2021 të sigurohen vaksinat.
“MSH-ja që në korrik-gusht i ka nisur kontaktet e para me Aleancën Globale të Vaksinave (GAV-i), e cila ka ngritur një mekanizëm ndërkombëtar i cili do të mundësojë shteteve me ekonomi të ulët dhe të mesme që të kenë qasje të barabartë në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 sikurse edhe shtetet e tjera me ekonomi të zhvilluar. Fillimisht është vendosur kontakti dhe shprehja e interesit. Në nëntor kemi bërë aplikimin për asistencë teknike së pari, pastaj edhe aplikimin zyrtar për sigurimin vaksinës brenda afatit ligjor të caktuar nga kjo aleancë”, ka thënë Hoti.
Ai ka bërë të ditur se 20 për qind të vaksinës do të jetë falas.
“Kemi marrë edhe konfirmimin se aplikimi ynë është pranuar dhe faktet që dihen deri më tani është se 20 për qind të vaksinës për popullatën e Kosovës kjo aleancë do t’ia dhurojë falas Kosovës, ndërsa pjesën tjetër të vaksinave, a do të jetë 30 për qind që të shkojë në 50 për qind të popullatës apo 70 për qind mbetet ta përcaktojë Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht IKSHPK-ja dhe një ekip i veçantë që punon me çështjet e vaksinave”, ka thënë Hoti. “Kovaksi është adresa e parë. Kosova është në mesin e 92 shteteve që 20 për qindëshin e marrin falas. Kjo nuk i përjashton kontaktin me BE-në që të sigurohen vaksinat. Krejt këto mekanizma që të jenë pjesë e Kovaksit”.
Ai thotë se në tre mujorin e tretë të vitit 2021 po provojnë të sigurojnë vaksinën.
“Procesi i vaksinimit nuk do të jetë më 2020. Përpjekjet me OBSH-në dhe partnerët e tjerë të kësaj aleance janë që në tre mujorin e parë të vitit 2021 të sigurohen vaksinat”, ka thënë Hoti.
Ai thotë se brenda Kovaksit bëjnë pjesë edhe fondacione të fuqishme, por edhe prodhues të vaksinave ku edhe do të diskutohet për çmimet.
Sipas tij duhet të zbardhen detajet rreth çmimeve e detaje të tjera për vaksinat.
“Për ne është shumë me rëndësi që të përgatisim infrastrukturën”, shprehet Hoti. “Kemi kontakte të përditshme edhe me Komisionin Evropian. Po punojmë në disa drejtime që të ketë sa më shumë sasi falas, mirëpo është evidente se disa shpenzime do të bëhen. Nuk ka buxhet definitiv sa do të jetë shuma sepse nuk e dimë se cilat vaksina do të kemi, por është e rëndësishme që teknikisht të përgatitemi”.
Ai ka shtuar me 20 për qind do të vaksinohen 360-370 mijë persona.
“Nëse shkohet me variantin që të vaksinohet 50 për qind e popullatës atëherë se nënkuptohet se duhet të blihen edhe rreth 520 mijë vaksina tjera, që në total i bie 800 mijë. Nëse shkohet në variantin që të vaksinohen 70 për qind e popullatës atëherë numri i vaksinave do të shkojë prej 1 milion deri në 1 milion e 200 mijë, mirëpo është pak më i besueshëm ky varianti i vaksinimit të 50 për qindëshit”, ka thënë Hoti.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se vaksina jepet në dy doza, në një distancë kohore prej 21 ditësh.
“Por, valë të vaksinimit mund të ketë një apo më tepër. Me pak trajnime besoj se do të mjaftojnë njësitë e instaluara në secilën QKMF. Përvoja e vaksinimit është e mirë tek ne”, ka thënë Hoti.
Hoti ka shtuar se ditëve të fundit ka pasur një rënie.
“Pozitive është se në spitale kemi dikund 150 pacientë më pak, krahasuar më 30 nëntor. Është e nevojshme që të mbahen këto masa, sepse i përkthejmë në realitet këto janë minimumi i masave”, ka thënë Hoti. Spitalet tona përkundër ngarkesës së madhe ia kanë dalë të trajtojnë pacientët. Sektori i ekonomisë ka vepruar përkundër masave”.