15 profesorë të Universitetit të Prishtinës, që janë të angazhuar në Gjimnazin e Specializuar Matematikor, që nga data 7 dhjetor e kanë bojkotuar punën në këtë shkollë.
Këtë veprim e kanë ndërmarrë për shkak se Ministria e Arsimit nuk iu ka bërë kontrata dhe rrjedhimisht nuk i ka paguar gjysmëvjetorin e dytë të vitit të kaluar shkollor dhe këtë gjysmëvjetor.
Përfaqësuesi i tyre, Elver Bajrami, në emailin që ka njoftuar për vendimin, përveçqë i përmend arsyet që quan në ndërprerjen e mësimit, shkruan se kusht për rifillimin e procesit mësimor është nënshkrimi i kontratave për gjysmëvjtorët paraprakë.
“Mësimdhënësit nga UP-ja e ndërpresin mësimin nga dita e hënë (07.12.2020) deri në realizimin e kontratave dhe pagesave të gjysmëvjetorit të dytë të vitit të kaluar shkollor, 2019/2020. Fillimi i procesit mësimor për çdo gjysmëvjetor vijues do të bëhet vetëm pasi të nënshkruhen kontratat e gjysmëvjetorëve paraprakë”, thuhet në emailin e Bajramit.
Një vendim i tillë nuk është mirëpritur nga drejtues të shkollës pasi, sipas tyre, në këtë rast po dëmtohen nxënësit.
“Kam kontaktuar me Ministrinë e Arsimit edhe me këta që ta gjejnë zgjidhje dhe gjuhë të përbashkët, ti kryejnë obligimet e ndërsjella në mënyrë që të vihet normaliteti. Tash është keq dhe e rëndë në një situatë pandemie me na ndodhë diçka e tillë”, ka deklaruar Shemsi Berisha, drejtor i Gjimnazit.
Sipas tij, tash e disa ditë është çrregulluar procesi mësimor pasi mësimin po e mbajnë vetëm profesorët e angazhuar nga Komuna e Prishtinës.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit për arsyet se pse nuk u janë paguar pagat profesorëve dhe kur do të gjendet një zgjidhje, por përgjigjja ka munguar nga ky institucion.
Gjimnazi i Specializuar Matematikor është themeluar në vitin 2014 nga Ministria e Arsimit, me një pjesë të mësimdhënësve të angazhuar nga Komuna e Prishtinës e pjesa tjetër nga Universiteti i Prishtinës.