4 perditesime
11:26

Azemi: Nuk dalim nga greva pa pasur rezultate konkrete

Sindikata e punëtorëve privatë ka njoftuar se nuk do të del nga greva pa pasur komunikim zyrtar se janë bërë pagesat.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se çdo kompani që tenton të zëvendësojë një punëtor do të gjobitet me ligj.

Azemi ka thënë se greva po shkon mirë dhe pothujse pjesa dërmuese edhe e QKUK-së e kanë filluar grevën.

“Një presion deri diku e kemi në Pejë. Lus pronarët mos u bëjnë presion punëtorëve. Po i përgëzoj punëtorët e QKUK-së që nga sot një numër i madh i tyre janë në grevë. Është e kuptueshme që ministri i Shëndetësisë, drejtori i SHSKUK-së dhe sindikata janë pajtuar që kërkesat e punëtorëve janë legjitime. Ka mbet një version formën se si do të gjendet zgjidhja për pagesën tuaj. Kërkesa jonë ka qenë imediate. Ne duam të shohin rezultate dhe mjetet të jenë në llogari. Kemi biseduar edhe për shumën. Ministri i Shëndetësisë nuk e ka ditur që çdo pronar kompanie ka marrë nga 200 euro për secilin punëtor”, ka thënë ai.

Azemi ka thënë se nëse negociatat shkojnë mirë, dita e nesërme do t’i gjejë në vendin e punës.

“Gjatë këtij muaji duam të kemi realizim të pagesave. Ne do të vazhdojmë ashtu qysh jemi marr vesh. Çdo sanksionim, çdo kompani ose institucion që mëton të zëvendësojë një punëtor të grevës me punëtor të tjerë atëherë do të gjobitet siç caktohet me ligj me rreth 5000 euro. Na është imponuar të jemi këtu. Ne nuk e duam këtë gjendje”, ka thënë ai.

10:48

Zemaj: Do të shqyrtohen mundësitë buxhetore për pagesat shtesë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, pas takimit me kreun e Sindikatës e Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi dhe drejtorin e ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ku u diskutua për grevën e punëtorëve teknikë dhe miratimin e kërkesave të tyre, tha se kërkesat e tyre do të shqyrtohen, raporton Ekonomia Online.

Edhe pse tha se këto kompani janë paguar nga Pako Emergjente, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që punëtorët teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare të marrin pagesa shtesë. Mes tjerash ministri tha që duhet të kemi parasysh që këta janë punëtorë privat dhe si të tillë duhet paraparë edhe vendimet që pasojnë,

“Takimi u zhvillua, ne do shqyrtojmë çdo mundësi që na jepet për të shqyrtuar kërkesën e tyre. Vendimi nuk mund të themi që është përfundimtar pasi duhet të kalojë në hapa pasues për të arrirë deri tek rezultati”, përfundoi Zemaj.

10:45

Azemi: Sot ose nesër do të merret vendim nga Qeveria do t’i subvencionojë punëtorët teknikë

Mos realizimi i kërkesave për pagesat shtesë nga qeveria, sot rreth 2 mijë punëtorë teknikë në spitalet e Kosovës janë futur në grevë.

Me nismën e kësaj greve, paraditen e sotme ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi janë takuar me kryetarin e Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Azemi pas takimit para mediave tha se gjatë ditës së sotme eventualisht deri nesër pritet që të dihet nëse Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës do t’i subvencionojnë këta punëtorë.

"Kërkesat tona janë reale dhe ministria dhe drejtori i ShSKUK-së i shohin të arsyeshme. Gjithçka çka ka mbetur është që sot brenda ditës të diskutohet, sepse duhet të ketë një vendim nga Qeveria e Kosovës që këta punëtorë duhet të subvencionohen. Cila do të jetë ajo shumë që ndoshta shpesh herë ata e kanë menduar se do të jetë një shumë ende më e madhe sesa që e meritojnë. Tash për momentin është mbetur që sot eventualisht nesër të merret një vendim, këta punëtorë duhet të stimulohen. Duhet të gjenden vijat buxhetore, sepse sipas tyre kanë qenë të paplanifikuara dhe nuk e kundërshtojnë në asnjë rast pagesën e kësaj kategorie të punëtorëve, por vetëm duhet të gjenden module se si do të paguhen. Vendimi për ndarje stimulim do të jetë më së largu deri nesër", tha ai.

Ai tha se greva e punëtorëve teknikë do të vazhdojë deri në momentin kur marrin garancion se do t'i marrin shtesat.

"Ne grevat do t’i vazhdojmë deri në momentin kur garantohemi se do t'i kemi mjetet tona. Kërkesë imediate e jona ka qenë që duhet të fillohet përnjëherë të bëhet pagesa, sidomos para festës së Vitit të Ri. Po shpresojmë se ajo do të bëhet, por megjithatë kjo do t'i mbetet të ardhmes", tha ai.

Ai ka bërë të ditur se në të gjitha qendrat spitalore janë në grevë, përveç QKUK-së, për çka tha se kanë informacione se kanë pasur presion nga pronari se do t'i largojë nga puna.

09:34

Punëtorët teknikë në grevë, Zemaj e Krasniqi në takim me kreun e SPSPK-së

Ka nisur takimi në mes ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, kryetarit të Sindikatës së Sektorit Privat, (SPSPK) Jusuf Azemi dhe drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Ky takim po mbahet pas hyrjes në grevë të punëtorëve teknikë të spitaleve të vendit, përveç QKUK-së, si pasojë e mos realizimit të kërkesës së tyre për pagesë shtesë nga ana e Qeverisë së Kosovës./KSP

08:24

Punëtorët teknikë në spitalet e Kosovës nga sot në grevë

Rreth 2000 punëtorë teknikë në spitalet e Kosovës sot do të hyjnë në grevë, pas mosrealizimit të kërkesave për pagesat shtesë nga Qeveria, ashtu siç janë paguar kategoritë tjera në sektorin e shëndetësisë.

Kryetari i Sindikatës se Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, dje ka bërë të ditur se në të gjithë vendin, me përjashtim të QKUK-së, do të futen në grevë.

Ai thotë se pronarët e kompanive nuk duhet t’iu bëjnë presion punëtorëve për mbajtjen e grevës, pasi punëtorët janë duke kërkuar të drejtat e tyre.

Greva sipas tij, po mbahet me kërkesën e rreth 2000 punëtorëve.