8 perditesime
16:42

Përfundon mbledhja e Kuvendit, s’pati kuorum për të vazhduar

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar për shkak se nuk kishte kuorum për vazhdimin e saj, teksa në seancë prezentë ishin 58 deputetë.

Pas përfundimit të debatit parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje, projektrezoluta e së cilës nuk u miratua në mungesë të kuorumit, në rend dite ishin edhe shqyrtimi i raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019; emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT; zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Edhe pikat paraprake nuk u hodhën në votimi shkaku i mungesës së deputetëve. Ata arritën vetëm t’ia miratonin buxhetin Komisionit për Hidrocentrale.

15:52

Reçica: Dhuna duhet luftuar me të gjitha mekanizmat

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se dhuna duhet luftuar dhe sanksionuar me të gjitha mekanizmat që kemi.

“Edhe pse është bërë një punë e madhe për avokim, çështja e dhunës ndaj gruas mbetet ndër format më të përhapura në mbarë botën. Si rezultat i lobingjeve kolektive dhe organizatave të ndryshme për mbrojtjen e grave është bërë shumë, por duhet bërë edhe më shumë”, ka thënë Reçica.

Ai ka thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është përgjegjëse për zhvillimin e politikave sociale, hartimin e legjislacionit dhe angazhohet që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në shërbimet sociale dhe familjare.

“Me qëllim të koordinimit të proceseve institucionale dhe adresimit të sfidave me të cilat përballen viktimat e dhunës, Qeveria ka emëruar tanimë koordinatorin nacional kundër dhunës familjare i cili ka për detyrë edhe mbikëqyrjen e zbatimit të strategjisë kombëtare të Kosovës për mbrojtjen nga dhuna në familje”, shprehet Reçica.

15:22

Limani – Hajnuni: Rritje shqetësuese e rasteve të dhunës në familje, 80% e viktimave janë gra

Sot ka pasur debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës sensibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.

Deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni, ka thënë se në përmbyllje të fushatës sensibilizuese, sot kemi iniciuar këtë debat parlamentar që flet për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës gjinore.

“Kemi kërkuar që ky debat të organizohet më 10 dhjetor 2020 në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut si një përkujtim dhe përkushtim i zbatimit të deklaratës për të drejtat e njeriut. Jemi një ditë prapa nga kjo ditë por përkushtimi për luftën kundër dhunës në baza gjinore dhe asaj në familje duhet të vazhdojë ehe më tutje”, ka thënë Limani-Hajnuni.

Ajo ka shtuar se Republika e Kosovës ka miratuar Konventën e Stambollit dhe ka integruar atë në kushtetutë, ka bërë ndryshime në kodin penal, janë avancuar të drejtat në kodin civil. Statistikat tregojnë rritje shqetësuese të rasteve të dhunës në familje, 80 % e viktimave janë gra.

“Si pasojë e dhunës sistematike në vitin 2018, 4 gra janë vra nga burrat e tyre, numri i njëjtë është regjistruar edhe në vitin 2019 ndërsa vetëm brenda këtij viti Kosova ka pas 6 gra të vrara përfshirë dhe një vajzë të vogël. Kjo tregon se institucionet nuk kanë krijuar një mekanizëm efektiv për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje. Jo rrallëherë shohim drejtësi selektive për këto çështje dhe jepen dënime të ndryshme varësisht nga gjinia. Përveç hartimit të legjislacionit, institucionet duhet të punojnë edhe më tutje për të fuqizuar edhe më tutje kapacitetet e mbrojtjes së viktimave dhe për të krijuar shërbime dhe struktura të specializuara për të dhënë ndihmë mjekësore, strehim, socializim për viktimat e dhunës dhe familjet e tyre”, ka thënë ajo.

Limani-Hajnuni ka shtuar se për të arritur këtë duhet të sigurohet financim i qëndrueshëm për shërbimet e lartcekura dhe për ndryshimet e nevojshme, duhet bërë ndryshime në kodet buxhetore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe duke plotësuar dhe ndryshuar kornizën ligjore që përcakton ndarjet buxhetore në nivel komunal dhe shtetëror.

Kurse deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka thënë se më pak sesa tek mekanizmi ligjor për luftimin e dhunës në familje qëndron tek kultura patriarkale, trajtimi institucional dhe gjendja socio-ekonomike.

“Dhuna në familje vazhdon të mbetet shqetësuese. Ende ka shumë ngecje në zbatimin e ligjit. Ekziston një kontradiktë që vazhdon të mbetet e pazgjidhur mes raportit mes zbatimit të legjislacionit dhe normave shoqërore. Pra, fatkeqësia qëndron se normat patriarkale i mbivendosen ligjit dhe këto ligje mbeten të pazbatuara”, ka thënë Bogujevci.

Sipas saj pandemia ka bërë që situata rreth dhunës në familje të vështirësohet edhe më shumë.

“Sipas statistikave të Policisë shohim se kemi shtim të rasteve të dhunës nga viti në vit. Përfshirja e Konventës së Stambollit mbetet hap i rëndësishëm, ndonëse kultura e një shoqërore nuk mund të formësohet nga ligjet. Një rregullim më i mirë ligjor i pushimit të lehonisë ndikon në pavarësinë më të madhe financiare për gratë e kjo ndikon në uljen e rasteve të pa raportuara të dhunës ndaj grave dhe asaj në familje”, ka thënë Bogujevci.

13:12

Kuvendi shkon në pauzë

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 14:30.

Nga pikat e sotme të rendit të ditës, përveç miratimit të buxhetit të Komisionit për hidrocentrale, për pikat tjera nuk ka pasur votim.

Kuvendi do të vazhdojë me shqyrtimin e raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019.

12:42

Nuk hidhet në votim raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji

Me vetëm 42 deputetë në sallë, nuk është hedhur në votim raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ky raport u konsiderua i pranueshëm nga të gjitha subjektet politike, ndonëse deputetë të VV-së patën kritika për ZRRE-në si institucion si dhe çështjen e reduktimeve të energjisë elektrike.


Nuk hidhet në votim as raporti vjetor i ARKEP-it për vitin 2019

Me vetëm 43 deputetë në sallë, nuk është hedhur në votim raporti vjetor i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019.

12:40

Miratimi i raportit të ZRRE-së përkrahet nga partitë politike

Shqyrtimin e raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e kanë përkrahur të gjitha partitë politike në Kuvend.

Endrit Shala, nga NISMA, ka thën se Komisioni ka rekomanduar miratimin e raportit vjetor të ZRRE-së.

“Duke u bazuar në nenin 10, paragrafi 1 të ligjit për rregullatorin e energjisë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së i dërgon Kuvendit raportin vjetor jo më vonë se tre muaj pas përfundimit të vitit kalendarik. Komisioni e ka shqyrtuar raportin vjetor dhe ka konkluduar se është në pajtim me nenin 10 dhe ka nxjerrë rekomandimin që ta miratojë raportin vjetor”, ka thënë Shala.

Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka pasur kritika për miratimin e tarifave nxitëse nga ky institucion.

Ai ka thënë se Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrtoi raportin financiar të ZRRE-së dhe vlerësoi se i njëjti përmbush obligimet ligjore dhe i rekomandon Kuvendit miratimin e tij.

“Kurse në emër të grupit parlamentar konsideroj se ky raport përmban të dhëna për punën dhe aspektin financiar. Unë dëshiroj të flas për punën e saj e sidomos kur dihet se bëhet fjalë për rreth 300 milion euro të këtij tregu të cilat i faturohen qytetarëve dhe duhet t’i paguajnë. Gjatë vitit të kaluar jemi dëshmitar të një vendimi skandaloz të këtij institucioni, pra vendimi për miratimin e tarifave nxitëse për projektet solare, vendim i marrë kundërligjshëm. Ky vendim u mor një ditë pas tërmetit në Shqipëri dhe favorizonte bizneset që lidheshin me politikën”, ka thënë Murati.

Ai tutje ka shtuar se kanë dërguar edhe padi e cila ka ndikuar në pezullimin e atij vendimi i cili është cilësuar edhe ilegal.

“Jemi po ashtu dëshmitar kur brenda ditës thirret mbledhja, një orë më herët thirret mbledhja, një orë më herët deklarohet nga ministri se kompania e caktuar nuk ka leje mjedisore kurse një orë më pas del se ka pasur dhe se është thirr mbledhja. Pra, po bëhet fjalë për një institucion që vihet në shërbim të bizneseve. Jemi dëshmitarë edhe për reduktimet e ashpra të energjisë elektrike”, ka thënë Murati

Kurse deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu e ka mbështetur raportin, porse ka shprehur shqetësim për humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë.

“Nga raporti i ZRRE-së del se rregullatori përmes formave të ndryshme të përkrahjes i kushton kujdes të veçantë projekteve të burimeve të ripërtërishme të energjisë. Duke parë trendet për energji të ripërtërishme konsiderojmë se orientimi në turbina me erë është mjaft i arsyeshëm. Humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë vazhdojnë të jenë shumë të larta. ZRRE-ja duhet të angazhohet që të zvogëlojë humbjet teknike dhe komerciale pasi që kostoja mbulohet nga konsumatorët që janë pagues të rregullt të energjisë. Ne si LDK e përkrahim këtë raport”, ka thënë Rekaliu.

Edhe AAK-ja e PDK-ja e mbështesin raportin e ZRRE-së

12:08

I vazhdohet mandati Komisionit për hidrocentrale dhe i miratohet buxheti

Me 65 vota për i është miratuar kërkesa e kryetares së komisionit mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve për miratimin e buxhetit për këtë komision, me çka do t’i mundësohet zgjatja e mandatit për tre muaj.

Atë e ka arsyetuar kryetarja e komisionit, Eliza Hoxha, raporton KOHA.

“Në seancën e kaluar e kemi diskutuar edhe miratimin e buxhetit. Në Kryesinë e Kuvendit janë diskutuar këto pika por nuk kanë ardhë në rend dite. Ne e kemi me urgjencë miratimin e buxhetit shtesë për tremujorin e dytë, dmth për zgjatjen e mandatit sepse më 14 dhjetor i kalon afati zyrtar këtij komisioni. Kërkoj ta votojmë shtyrjen e afatit të komisionit edhe për tre muaj dhe buxhetit shtesë prej 7470 euro për tre mujorshin e ardhshëm”, ka thënë Hoxha.

Dështon votimi i projektligjit për letërnjoftim

Me vetëm 32 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka dështuar vendimmarrja për votimin e projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për letërnjoftim.

Diskutimi për këtë ligj ishte bërë në seancën e djeshme.

11:52

Fillon seanca e Kuvendit

Ka filluar seanca plenare e Kuvendit ku do të shqyrtohen pikat e papërfunduara të seancës së kaluar.

Në Kuvend janë të pranishëm 65 deputetë.

08:00

Kuvendi mblidhet sërish sot, vazhdon seanca e djeshme

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot, për të vazhduar me pikat e seancës të së enjtes.

Janë tetë pika që pritet të shqyrtohen gjatë kësaj seance, që pritet të nisë në orën 11:00.

Do të ketë edhe debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës sensibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore. Kjo, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi.

Rendi i ditës:

* Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019

* Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019

* Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018

* 12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019

* 13. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019

* 14. Debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës sensibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë

* 15. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT

* 16. Zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit

* 17. Zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë