Bisedën në “Express Intervistë” Suzana Gashi, nga Institucioni i Avokatit të Popullit, e ka nisur me thënien e Nënë Terezës: “Të drejtat e njeriut nuk janë privilegj i dhënë nga Qeveria, ato janë diçka që i takon çdo qenie njerëzore në bazë të virtytit të vet njerëzor”.
Sipas saj kjo deklaratë e Nënë Terezës nuk është larg Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
“Ky vit ndoshta nuk është viti më i mirë për me fol për të drejtat e njeriut, pasi ka thelluar shkeljet që kanë ekzistuar edhe para pandemisë”, ka thënë Gashi.
“Këtë vit kemi pranuar rreth 30 për qind më pak ankesa, me siguri ka ndikuar izolimi, përkundër që kemi vënë numra kontaktues. Kemi një numër të ankesave që drejtpërdrejtë lidhen me pandeminë. Kemi gjashtë raste të hapura dhe një rast eksoficio, që te ne ka ardhur si ide për mbrojtjen e pacientëve”, ka thënë Gashi.
Ajo thotë se personeli mjekësor ka funksionuar me kushte të rënduara, e faji nuk mund të hidhet mbi ta.
“Rastet emergjente me siguri janë trajtuar, e ato më pak janë shtyrë. E këtë jemi duke e trajtuar”, ka thënë Gashi.
Gashi ka treguar se këtë vit kanë pasur shtatë ankesa kundër Policisë për torturë, me ç’rast thekson se kjo është rreptësisht e ndaluar, madje edhe në rrethana lufte.
“Hetimin e parë e drejtojmë nga Inspektorati i Policisë. Roli i Avokatit të Popullit është edhe me e rritë besueshmërinë e institucioneve që populli t’iu besojë. Ankesat tek ne vijnë si pretendim, ne i vlerësojmë ashtu”, ka thënë Gashi.
Ajo ka thënë se për shifra të sakta për dhunën në familje nuk kanë dhe se kjo do të tregohet përmes një raporti.
“E dimë që dhuna në familje është një problem që ka ekzistuar edhe para pandemisë. Edhe çfarë dimë është se është thelluar gjatë pandemisë. Jemi duke hetuar këto raste”, ka thënë ajo.
Sipas saj parandalimi duhet të bëhet përmes gjithëpërfshirjes dhe përfshirja e grave në vendimmarrje.
“(Dhuna në familje) është problem kronik, jo pandemik. Ka risi. Kodi penal i riu e ka të përfshirë dhunën në familje, që është një hap përpara. Të gjitha këto do t’i paraqesim në raportin tonë vjetor”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se pandemia ka rënduar edhe punën e gjykatave. Ajo ka thënë se ankesa kanë pranuar edhe nga burgjet.