Arbëri

Ambasadori gjerman: E ardhmja e Kosovës është në BE

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është brenda Bashkimit Evropian dhe se ky rrugëtim kërkon ndërmarrjen e shumë reformave brenda vendit.

Rohde ka folur në tryezën “Raporti i BE-së për Kosovën 2020”, të organizuar nga Instituti Epik, me mbështetjen e Asistencës Zhvillimore të Gjermanisë të zbatuar përmes projektit të GIZ-it.

“E ardhmja e Kosovës është brenda Bashkimit Evropian dhe ky rrugëtim kërkon ndërmarrjen e shumë reformave brenda vendit. Reformat janë të rëndësishme për të siguruar se institucionet demokratike janë transparente dhe efektive, ndërsa ekonomia e vendit konkurrente për të ofruar perspektivë të rinjve. Si të tilla, reformat i shërbejnë interesave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Rohde.

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sundimi i ligjit, arsimi dhe mjedisi janë prioritetet kyçe të procesit integrues të Kosovës.

“Konsideroj se sundimi i ligjit, arsimi dhe mjedisi janë prioritetet kyçe të procesit tonë integrues. Raporti ka identifikuar shumë sfida të cilat institucionet tona duhet të adresojnë. Kuvendi tani më ka miratuar Planin e vet për Mbikëqyrjen e Procesit Integrues 2020-2021. Këto reforma duhet të bëjmë për qytetarët tonë, dhe jo për hirë të askujt. Në këtë drejtim, do të inkurajoj të gjithë spektrin politik që të krijojmë urat e bashkëpunimit me qëllim të avancimit rrugës tonë integruese. Njëkohësisht, bëjë thirrje institucioneve të BE-së që të japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

E zëvendës-shefi i BE-së, Ricardo Serri, ka thënë se reformat që i duhen Kosovës nuk janë për Brukselin, por për qytetarët e Kosovës.

“Raporti paraqet dokumentin më të rëndësishëm vjetor për Kosovën dhe bazohet mbi një metodologji rigoroze. Raporti konfirmon se ka një hendek të madh në mes Kosovës dhe BE-së. Për të mbështetur përpjekjet e Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit, këtë vit kemi lansuar një plan ambicioz ekonomik dhe investiv. Ne mirëpresim hapat fillestar të institucioneve në adresimin e reformave të identifikuara dhe mbesim të përkushtuar për t’iu ndihmuar në këtë drejtim. Këto reforma nuk janë për Brukselin, por për qytetarët e Kosovës. Kosova duhet të vazhdoj të ruaj konsensusin ndër-partiak për procesin integrues”, tha Serri.

Florim Canolli, koordinator i Integrimit Evropian dhe Bashkëpunimit për Zhvillim, ka shtuar se po punohet me Zyrën e BE-së për hartimin e Planit të Veprimit që do të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës, për të mundësuar që agjenda evropiane të jetë agjendë e përbashkët shtetërore.

“Procesi i integrimit evropian është duke u bërë pjesë integrale e agjendës shtetërore. Pas miratimit të Agjendës Evropiane të Reformave - ERA 2, jemi duke punuar bashkë me Zyrën e BE-së për hartimin e Planit të Veprimit që do të miratohet edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të mundësuar që agjenda evropiane të jetë agjendë e përbashkët shtetërore. Ndërsa, si përgjigje ndaj Planit të BE-së për Ekonomi dhe Investime për Ballkanin Perëndimor, do të vendosen prioritetet afatgjate shtetërore për zhvillim, për dekadën e ardhshme ashtu që përkrahja e ofruar nga partnerët zhvillimorë do të harmonizohet me nevojat e Republikës së Kosovës”, tha ai.
 

Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik, ka shtuar se me një vullnet të kufizuar politik vendeve të Ballkanit do t’u duhen 25 vjet për t’u bërë anëtare të BE-së, ndërsa me një vullnet serioz, mund të bëhen anëtare deri në vitin 2030.

“Nëse kisha zgjedhur një mesazh nga ky studim atëherë do ishte ky: sipas raportit vjetor të Komisionit Evropian dhe metodologjisë së kuantifikimit që ne kemi përdorur vendeve të Ballkanit do ju duhen 25 vite që së bashku të bëhen të gatshme për anëtarësim në BE. Tani kjo mund të duket një vlerësim pesimist. Por konsideroj së në këtë konkluzion ka vend për optimizëm. Nëse me një vullnet shumë të kufizuar politik na duhen 25 vite për tu bërë anëtar të BE-së, kjo i bie që me një vullnet serioz politik vendet e Ballkanit mund të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2030. Me fjalë të tjera – çdo gjë varet nga ne", tha Shasha. 

Image