11 perditesime
21:27

Kelmendi: Kërkova që çdo qytetar ta ketë obligim deklarimin e pasurisë

Besim Kelmendi nga Prokuroria e Shtetit ka thënë se ka kërkuar që secili qytetarë ta ketë të obligueshme deklarimin e pasurisë.

Ai thotë se këtë ia ka propozuar një ambasadori të një shteti mik.

Sipas tij, nëse do të ndodhte një gjë e tillë nuk do të kishte nevojë as për javë të korrupsionit.

“Ju e dini që Kosova është në vëzhgim nga institucionet ndërkombëtare dhe bashkësia ndërkombëtare. Shumë ligje shkruhen në Kosovë me rekomandimet dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve. Unë një ambasadori të një shteti shumë mik i thashë nëse dëshiron me luftu korrupsionin pse nuk na ndihmon me futë vetëm dispozitë ligjore që të detyrohet secili qytetarë të deklarojë prejardhjen e pasurisë. Nëse qytetari do ta kishte këtë obligim ligjor që të deklarojë pasurinë dhe do e priste Policinë me i shku në derë me e pyet se ku i ke marrë paratë, nuk kishim pas nevojë as për javë kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

21:21

Havolli: Këtë vit i kemi pasur 5 raste të sinjalizimit të korrupsionit

Shaip Havolli nga Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se këtë vit kanë pasur pesë raste të sinjalizimit të korrupsionit.

“Shumë qytetarë nuk marrin shërbime të mjaftueshme dhe me kohë dhe poashtu gjykatat dhe prokuroritë kanë qenë shumë të ngarkuar kryesisht me lëndët civile dhe vazhdimisht është rritë percepcioni i atyre personave qoftë të dëmtuar, viktimë apo të akuzuar se nuk po luftohet korrupsioni dhe po ashtu format e tjera”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se raporte të ndryshme e kanë qitë Kosovën keq sa i përket percepcionit të publikut lidhur me hetimin e korrupsionit.

“Si Agjenci ne kemi edhe mandatin parandalues dhe gjatë këtij viti kemi trajtuar numër të madh të informacioneve. Po ashtu Ligji mbi sinjalizuesit tash që më 2019 ka hyrë në fuqi mbron të gjithë ata që duan ta sinjalizojnë korrupsionin dhe korrupsionin brenda që ka dy shkallë, brenda institucionit dhe sinjalizues të jashtëm. Bazuar në ligjin procedurat (për denoncimin e korrupsionit) e para është që ta njoftojë pikën, personin kontaktues brenda institucionit. Me ligj janë themeluar edhe personat kontaktues brenda institucionit që çdo sinjalizues fillimisht brenda institucionit dhe mund ta bëjë edhe në mënyrë anonime. E nëse ka dyshime të personi kontaktues atëherë mund të kontaktohet edhe agjencia”, ka thënë Havolli.

Havolli thotë se jo të gjitha rastet janë të vërteta.

“Kemi pas dikund pesë raste gjatë këtij viti që lidhen me sinjalizim dhe e kemi trajtuar, po ashtu vazhdimisht kemi sinjalizime në Agjenci. Por, s'do të thotë se të gjitha sinjalizimet janë të vërteta”, ka thënë Havolli.

21:20

Kelmendi: Në komisionin për veting duhet të emërohen njerëzit që janë të guximshëm të marrin vendim

Besim Kelmendi nga Prokuroria e Shtetit ka thënë se në komisionin për vetting duhet të emërohen njerëz që janë të guximshëm të marrin vendime.

Ai ka thënë se është pjesë e grupit për hartimin e dokumentit për vlerësim performance ose vetting, derisa shton se ka kërkuar që përveç vlerësimit të përformancës të vlerësohet edhe integriteti.

“Jermi në rrugën e mirë që ne si grup punues po dorëzojmë një dokument që i ka tri opsione, status-qoun, ndryshimin ligjor dhe vettingun si hapin e fundit. Jam për ndryshime ligjore, jam që në atë komisionin vlerësues të përformancës dhe integritetin të zgjedhën njerëzit më të mirë të sistemit. Ata që kanë kredibilitet, që kanë një të kaluar të pastër dhe që janë të guximshëm të marrin vendime ndaj kolegëve të vet”, ka thënë ai.

21:17

Shala: Jam pro vettingut, por të organizohet brenda Këshillit Gjyqësor

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se ai është pro vettingut, por se ai të bëhet brenda institucionit gjyqësor, siç është Këshilli Gjyqësor.

“Unë pajtohem që detyrimisht ta kemi vettingun. Por vettingun ta organizojmë brenda institucionit të sistemit gjyqësor, siç është Këshilli Gjyqësor, duke i emëruar gjyqtarët që janë më të lartë. Njëherë e përgjithmonë duhet të kthjellemi e duhet të punojmë vetëm për qytetarët. Nuk ka vend ai gjyqtar që nuk ka profesionalizëm e integritet. Nuk ka vend gjyqtari që nuk e kryen detyrën siç e përcakton ligji”, ka thënë Shala në DESKUN e KOHËS.

21:08

Shala kritikon ndërhyrjen e BE-së në sistemin e drejtësisë: Nuk ka gjykime për liberalizim të vizave


Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka kritikuar BE-në për ndërhyrje në gjyqësor në Kosovë dhe ka thënë se nuk ka gjykime për liberalizim të vizave.

Ai ka thënë se askund në botë nuk ka që t’i caktohet gjykatës afat për kryerjen e një lëndë, madje as në diktatura.

“Aq sa kemi pasur lëndë i kemi kryer. Por, edhe sa i përket BE-së, kërkun në botë nuk ndodh që t’i caktohet gjykatës afate, edhe t’i shenjëzojë lëndët në afatin e caktuar për liberalizim të vizave. Nuk ka gjykime për liberalizim të vizave. Por, ne si duket edhe këta qeveritarët tanë e edhe ata që udhëheqin në sistem të drejtësisë, kanë pranuar një punë të tillë. Kemi raste ku kemi 60 të akuzuar. E një punëtor i EULEX-it ta cakton afatin kur me u kry ajo lëndë. Është e pamundur. Ka me zgjatë me vite të tëra. Janë 60 të akuzuar apo 100. Nuk ka gjykime për viza. Ne duhet ët gjykojmë drejtë e të zbatojmë ligjin”, ka thënë Shala në DESKUN e KOHËS. “E vërteta është se nuk ka gjykime për viza. Të punojmë drejtë e të zbatojmë ligjin. Kemi shumë të dënuar me burg. Në fillim të vitit 2020, i kemi bartur 19 lëndë me karakter korruptiv, edhe 65 kanë ardhur, pra i kemi 84 lëndë. 62 lëndë i kemi vendosur dhe janë gjykuar, prej tyre 33 lëndë janë vërtetuar, 16 janë prishë. Ndërhyrja që është bërë në sistem të drejtësisë, nuk duhet që dikush të bëjë eksperimente te ne. Kërkund në botë nuk ndodh që dikush të caktojë afat për kryerje të kësaj lënde. Vetëm te ne ndodh. As në diktatura nuk ndodh”.

 

21:06

Kelmendi: Nga 69 raste të shënjëzuara janë ngritur 59 aktakuza

Besim Kelmendi nga Prokuroria e Shtetit ka thënë se nga 69 raste të shenjëzuara janë ngritur 59 aktakuza.

Sipas tij, kjo tregon për efikasitet të lartë të Prokurorisë.

Duke folur për dënimet e ulëta, ai ka thënë se me Kodin Penal që ishte deri në këtë vit, dënimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ishte vetëm 5 vjet maksimumi.

“Gjykata është e pavarur dhe ka të drejtë të merr vendime sipas dëshmive dhe provave të siguruara dhe ne jemi ata që pastaj paraqesim mjetet juridike qofshim ankesa qofshin mjete të jashtëzakonshme juridike deri te niveli i Supremes. Nganjëherë jemi të kënaqur me vendimet e shkallës së parë, kur nuk jemi bëjmë ankesë. Kur nuk jemi as me vendimin e Gjykatës së Apelit, kemi të drejtë më bë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme pastaj i bindemi vendimeve të Gjykatës”, ka thënë ai.

20:58

Shala: S’ka ndikim të politikës në sistemin gjyqësor, ka raste individuale

Hasan Shala nga Gjykata e Apelit ka deklaruar se nuk ka ndikim të politikës në sistemin e drejtësisë, por vetëm raste individuale.

“Mendoj se nuk ka ndikim politika tek sistemi gjyqësor apo në sistem në tërësi të drejtësisë. Por, ka individualisht. Në kuptimin se ka raporte me një politikan, përndryshe sistemi gjyqësor, apo sistemi i drejtësisë nuk është i varur. Në Gjykatë të Apelit ne i kemi 46 gjyqtarë, prej tyre unë jam i sigurt se shumë pak kanë raporte me politikën”, ka thënë Shala në emisionin Desku.

Ai thotë se ka të dënuar edhe nga niveli i lartë i politikës, madje sipas tij ka persona që janë dënuar me më shumë se tre vjet.

Sipas tij ndikimi i politikës është kur dalin deputetët edhe thonë për një rast të caktuar se është dënuar pak.

"Ajo është ndërhyrje", thotë ai.

20:54

Shala: Kemi rast ku na është caktuar një muaj për t’i gjykuar 60 të akuzuar, kjo është e pamundur

Hasan Shala nga Gjykata e Apelit ka thënë se nuk duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë që Gjykatës t’i caktohet afati për ta kryer një lëndë.

Ai në Deskun e Kohës ka thënë se për lëndët e shenjëzuara janë caktuar afatet, gjë të cilën ai e konsideron ndërhyrje.

Shala ka thënë se nëse caktohet një afat prej një muaji që të gjykohet një rast ku janë 60 të akuzuar, është e pamundur të përfundohet lënda.

“Gjykatat duhet të punojë pa ndërhyrje nga jashtë. Lëndët që i cakton komisioni, duhet të përfundohen me një afat të caktuar, sepse nëse nuk përfundohen atëherë merret si minus. Këtë ia kanë dhënë privilegj lëndëve të shënjezuara, këto i cakton komisioni dhe jo ligji”, ka thënë ai.

20:52

Shala: 24 për qind e lëndëve civile kthehen në rigjykim

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka qenë kritik ndaj vërejtjeve që janë bërë ndaj Apelit në Raportin e Progresit.

Ai ka thënë se flet në Raportin e Progresit është thënë se Apeli po kthen numër të madh të lëndëve në rigjykim. Por Shala ka thënë se ai flet vetëm me statistika.

“Në Raport të Progresit është thënë se Gjykata e Apelit po i kthen lëndët në rigjykim dhe është si vërejtje. Mirëpo, unë foli në bazë të statistikave, e jo se çfarë fol dikush. 24 për qind të lëndëve të lëmisë civile kthehen në rigjykim, 14 për qind e lëndëve prishen në lëminë penale. Kur te llogarisim në përgjithësi, i bjen afro 20 për qind, e deri në 30 për qind lejohen me standarde që të kthehen lëndët në rigjykim. Nëse nuk ka vërejtje tjetër, për çka mbetet atëherë këtu EULEX-i. Duhet të thonë diçka dhe kanë thënë se po kthehen lëndët në rigjykim. Por për atë ekziston shkalla e dytë. Shkalla e dytë ekziston me i prish lëndët, me i vërtetu më ndryshe. Kthehen se ka shkelje esenciale të dispozitave, procedurës, në gjykatën e shkallës së parë”, tha Shala në DESKUN e KOHËS.

Ai është pyetur pse nuk ka dënime për zyrtarë të lartë shtetëror.

“Unë e di që këto akuza që janë argumentuar te na, prej që jam kryetar i gjykatës janë dhënë dënime meritore. Për secilin rast, nuk më lejon kodi i etikës të përmendi raste, por kemi raste kur për një 100 euro është dënuar i akuzuari me një vit burg. Nuk dua të flas, por po tregoj se situata është për çdo ditë. Nuk kemi raste për miliona euro”, tha Shala.

20:49

Havolli: Kemi ushtruar kallëzime penale për korrupsion edhe të nivelit të lartë

Shaip Havolli nga Agjencia Kundër Korrupsionit në emisionin DESKU në KTV ka thënë se kanë ushtruar kallëzime penale edhe për rastet në nivel të lartë.

“Kemi të bëjmë me të gjitha nivelet. Kallëzime penale ka edhe të nivelit të lartë, përfshirë këtu edhe zëvendëskryeministra, ministra, drejtorë të agjencive, rektorë, prorektorë. Bazuar në mandatet e Agjencisë, ne kemi ushtruar kallëzim penal me dyshim të arsyeshëm dhe Prokuroria është ajo që e vlerëson se a ka prova të mjaftueshme”, ka thënë Havolli.

Ai thotë se ka prova të mjaftueshme lidhur me këto kallëzime penale që kanë ushtruar në raport me zyrtarët e lartë.

“Prej vitit në vit raportet agjenci, prokurori dhe gjykata kanë performuar në kontekst pozitiv. Nëse flasim për vitin e kaluar, sepse për këtë vit ende s'kemi informata kthyese lidhur me aktgjykimet dhe aktakuzat, një numër i madh i dënimeve kanë qenë për vitin e kaluar dhe dikund 84 aktgjykime i kemi pranuar nga gjykatat”, ka thënë Havolli.

Ai ka shtuar se, “në 116 kallëzime penale që ka ushtruar Agjencia Kundër Korrupsion mund të them se është një performancë më e mirë krahasim me vitet e kaluara”.

20:39

Kelmendi: Pavarësisht pandemisë, prokurorët kanë arritur t’i kryejnë të gjitha lëndët

Besim Kelmendi nga Prokuroria e Shtetit ka thënë se prokurorët pavarësisht pandemisë kanë arritur t’i kryejnë të gjitha lëndët pa pasur nevojë të marrin vendim për pezullim të hetimeve, si një mundësi që parashihet edhe nga kodi i procedurës penale.

Ai ka thënë se për shkak të pandemisë kanë qenë të detyruar të punojnë me staf të përgjysmuar dhe kjo ka ndikuar edhe në efikasitet.

Sipas tij numri i lëndëve të përfunduara përgjatë këtyre muajve është dukshëm më i vogël sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Kur punon në rrethana të tilla përveç efikasitetit pastaj është edhe cilësia, sepse aktakuza mund të del jo mirë e përgatitur sepse ti do ta zësh afatin. Krejt zinxhiri kanë probleme për shkak të pandemisë dhe kjo pastaj tregon se prokuroria është në situatë që duhet t’i zë afatet por pastaj duhet të ketë edhe cilësi”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka thënë se bashkëpunimi me policinë për rastet e korrupsionit nuk ka munguar. Sipas tij është një departament i veçantë në Polici dhe ka pasur bashkëpunim të mirë me ta.

20:35

Shala: Presim që Apeli t'i kryejë 15 mijë lëndë deri në fund të vitit

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, ka thënë se përkundër gjendjes së pandemisë, Apeli ka punuar si në gjendje normale.

Ai ka thënë se deri më 31 dhjetor Apeli llogarisë t’i ketë të kryera deri në 15 mijë lëndë.

“Sa i përket Gjykatës së Apelit, mund të them se ndonëse pak kemi pasur reduktim në punë, ne e kemi kryer punën në gjendje normale si çdo vjet. Shembull vitin e kemi filluar me 11.600 lëndë të bartura nga vitet tjera, nga 2015 deri më 2019. Ndërsa deri më tash kanë ardhur afërsisht edhe 12 mijë lëndë të reja. Në punë i kemi pasur 23-24 mijë lëndë. Ne llogarisim që të kemi 15 mijë lëndë të kryera deri më 31 dhjetor”, ka thënë Shala në DESKUN e KOHËS.