Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është kundërpërgjigjur kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili ka kohë që është vetofruar si kandidat për president të vendit.
PDK-ja ka thënë se vendit i duhet një president dinjitoz dhe se kushdo që kërkon votat e saj, duhet ta ketë parasysh se në paketë shkon edhe kandidati i kësaj partie për president.
Haradinaj po ashtu ka kushtëzuar votat e AAK-së me zgjedhjen e tij president, përndryshe sipas tij, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
AAK-ja kandidaturën e Haradinajt e ka quajtur sakrificë të tij të radhës për vendin.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejoj që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike parlamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK-ja nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë. Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së”, ka shkruar ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në Facebook.
Ai e ka quajtur të dëmshëm, siç ka thënë barrikadimin pas propozimeve individuale pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare.
Debati mes këtyre dy partive është ndezur ditëve të fundit, pasi Haradinaj ka thënë se ka marrë PDK-në nga opozita dhe e ka sjell në Qeveri dhe se është kritikuar që ka bashkëpunuar, siç ka thënë ai me “hajnat e Prontos”.
Ai i është referuar kohës kur qeveriste koalicioni PAN. E PDK-ja ka thënë se njëherë e ka bërë Haradinajn kryeministër me votat e saj dhe se nuk do t’i japë ato edhe për ta bërë president.