Arbëri

Eshtrat e kosovarëve ishin futur 4 metra nën dhe, Serbia dyshohet se krijoi kodra për ta pamundësuar gjetjen e tyre

E lartë sa kodra karshi, e cila është rreth 15 metra, ka qenë edhe toka ku janë gjetur eshtrat e kosovarëve të vrarë gjatë luftës, në minierën e Kizhevakut në Rashkë.

Gërmime janë bërë disa vjet për ta rrafshuar sipërfaqen, ashtu siç ka qenë para se trupat e të vrarëve të fshiheshin aty.

Gërmimet kishin përfunduar me idenë që është arritur në pikën zero, por kodra artificiale që ishte krijuar pasi që viktimat janë dërguar aty ishte shumë më e lartë sesa mendohej, raporton KOHA. 

“Ka qenë një mal prej gurishteve, dhe mbeturinave të minierës së Kizhevakut. Është punuar çdo vit në lokacione të ndryshme. Pjesa më e vështirë ka qenë pjesa ku është dashur të lëshohemi, sepse ka pasur edhe ujë në atë kohë kur kemi punuar”, ka sqaruar Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prej pikës, e cila një herë mendohej që ishte pika zero, u bënë gërmime shtesë, që zbuluan sipërfaqen ashtu siç kishte qenë rreth 22 vjet më herët. Gjetjet mortore ishin futur në gropa prej 4 metrash nën dhe.

Me pas, sipërfaqja është mbushur me dhe e mbi të është krijuar edhe një kodër e lartë.

Kjo zonë nuk ka më shumë së 10 kilometra distancë brenda Serbisë nga kufiri me Kosovën. Pjesa më e madhe e rrugës deri atje është e asfaltuar dhe lehtë e kalueshme. Për të arritur te vendi kalon karshi lagjeve me shtëpi banimi.

Të premten, te kjo varrezë ka pasur vizitë të përbashkët mes delegacionit kosovar, atij serb dhe institucioneve ndërkombëtare që po ndihmojnë gërmimet.

Gjetja e trupave në Kizhevak, sipas kryetarit të Grupit punues të delegacionit të Kosovës për personat e zhdukur, Ibrahim Makolli, dëshmon sesi ka qenë organizimi institucional i Serbisë.

“Vetë ekzistenca e kësaj varreze masive këtu dëshmon për planifikimet nga ana e kreut të atëhershëm shtetëror në planifikimet e vrasjeve dhe zhdukjeve të njerëzve me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit. Sikurse u tha, angazhimet nuk do të ndalohen deri në zbardhjen përfundimtare të fatit të të gjithë personave të zhdukur. Ne dyshojmë po ashtu në mbështetje të deklaratave të politikanëve në Serbi, që ekzistojnë edhe disa varreza masive brenda territorit të Serbisë, të cilat dyshohet se mund të kenë trupa të civilëve të vrarë, dhe të mbartur brenda këtij territori”, ka thënë ai.

Në këtë hapësirë janë duke u bërë gërmime prej vitit 2015. Identifikimi i këtij lokacioni është bërë pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes Departamentit amerikan të Shtetit.

Ende nuk dihet se eshtrat e sa viktimave mund të jenë në këtë varrezë. Kreu i delegacionit të Beogradit dhe presidenti i Komisionit për personat e zhdukur i Qeverisë së Serbisë, Velko Odaloviq, ka thënë se kjo tani për tani nuk mund të dihet me saktësi.

“Nuk mund të deklaroj asgjë me siguri për numrin e trupave në atë vend, por mund të supozohej se aty janë mes 15 dhe 17 trupave”, ka deklaruar ai.

Pjesë e vizitës ishte edhe përfaqësuesi i Grupit të Punës nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Fabian Bourdieu, i cili ka folur për rëndësinë e zbulimit të vendndodhjes së varrezave të të vrarëve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, së bashku me Ibrahim Makollin, kanë përfaqësuar Kosovën në bisedimet me Serbinë, për çështjen e të pagjeturve.

Kur Selamanaj është ftuar të raportojë për këtë çështje në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticion, zëvendëskryeministri kishte refuzuar të shkonte, me arsyetimin se kjo është “çështje e ezauruar”.