Arbëri

Berisha: Jam koordinator, jo ekspert i sigurisë kibernetike

Zafir Berisha, koordinator nacional për siguri kibernetike, ka thënë se ai nuk është ekspert i kësaj fushe, por funksionon vetëm si koordinator në Këshillin për Siguri Kibernetike, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Njerëzit që janë marrë me përgjegjësitë e mija në kuadër të MPB-së, s’e dinë se luaj rolin e koordinatorit, e jo të ekspertit. Pozicioni im është për të koordinuar Këshillin për Siguri Kibernetike që funksionon në kuadër të ministrisë. Natyrisht që ekspertët në fusha të caktuara janë në dikastere që merren në fusha profesionale. Kritikat (për përzgjedhjen si koordinator) i kam marrë me shumë sportivititet. Marrja e shumë kujt me emrin tim e ka bë sensibilizimin për një çështje që qytetarët s’kanë qenë shumë të informuar”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Berisha ka refuzuar të përgjigjet nëse në vend të tij është dashur të ishte dikush më kompetent për fushën e kibernetikës. Ai ka thënë se merret me “problematika që rrezikojnë infrastrukturën kritike në fushën e kibernetikës”.

Sa i përket një fushate që MPB-ja po bën ditëve të fundit për kujdes në internet, e ku ndër këshillat janë edhe ato bazë “mos ndani fjalëkalimin me të tjerët”, Berisha ka thënë se “kjo kampanjë po vazhdon sepse është pa si interes për vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket krijimit të sigurisë”.

“Jemi dëshmitarë se interneti ka depërtuar te çdo qytetar dhe fushatat e vetëdijesimit mendoj se u shërbejnë të gjithëve. Për këtë unë si koordinator jam angazhuar t’i thellojmë angazhimet publike në informimin e qytetarëve për informim për rreziqet në internet”, ka thënë ai.