4 perditesime
21:32

Muçaj: Nëse vota e Arifit shpallet e pavlefshme, Qeveria është jokushtetuese

Profesori në Fakultetin Juridik në UP, Florent Muçaj, ka thënë se nëse procedura e formimit të Qeverisë del se është jokushtetuese, Gjykata Kushtetuese mund ta shfuqizojë vendimin e formimit të Qeverisë.

“Nëse vendimi i Kuvendit të Kosovës, që është objekt kontrolli kushtetues, në këtë rast objekt i kontestimit, shpallet jokushtetues, i njëjti anulohet, rasti i kryeparlamentarit në seancën konstituive të 17 korrikut 2014, kur është kontestuar dhe është anuluar. Këtu nuk mund të bëjë Gjykata Kushtetuese më shumë se sa ta anulojë vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e kryeministrit. Gjykata nuk mund të bëjë më shumë se sa ta shfuqizojë një vendim”, tha ai.

Muçaj në DESKU të KTV-së tha se vendimet e marra nga qeveria njihen si ligjore edhe në rast se del se procedura e zgjedhjes së saj ka qenë jokushtetuese.

“Është standard kushtetues që këto vendime, zakonisht nëse një qeveri zgjedhet në një procedurë kushtetuese supozohet përderisa nuk kontestohet dhe në rast se del se procedura ka qenë jokushtetuese, është standard që e ka krijuar vetë Gjykata që vendimet që merren nga ajo qeveri njihen si ligjore e kushtetuese”, tha ai.

Ehat Miftaraj nga IKD sqaroi se secila palë e prekur nga vendimet e një qeverie që del të jetë jokushtetuese, ka të drejtën e ushtrimit të padisë.

“Të gjitha vendimet mbesin në fuqi, sidoqoftë secili subjekt që ka mundur të jetë i prekur nga vendimi i Qeverisë e ka të drejtën për të ushtruar padi administrative në gjykatat e Kosovës. Në parim është pothuajse e pamundshme të zhbëhen me mijëra vendime që i ka marrë kjo qeveri”, tha ai.



Muçaj: Te rasti i caktimit të mandatarit nga ana e presidentit, Kushtetuesja luajti rolin e plotësueses në disa segmente

Florent Muçaj, profesor në Fakultetin Juridik në UP, në DESKUN e KOHËS, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk është për herë të parë në një pozitë të tillë, si tash me rastin e votës së Etem Arifit. Ai ka thënë se rasti i dekretit për caktimin e mandatarit nga ana e presidentit, ka qenë proces shumë më i rëndë dhe i elektrizuar.

“Rasti për dekretin për caktimin e mandatarit nga ana e presidentit, nuk ka qenë vetëm një kontekst, ka qenë edhe shumë i rëndë dhe më i elektrizuar në kuptimin e ndikimit. Gjykata Kushtetuese ka bërë objekt interpretimi disa standarde që janë jashtë normës kushtetuese. Këtë rast komunikimi ndërinstitucional mes presidentit dhe kryeministrit, dhe sikur Gjykata Kushtetuese e ka luajtur rolin e plotësuesit të Kushtetutës, respektivisht quasi-amandament kushtetues. Ka krijuar një realitet të ri kushtetues, kur ka caktuar afate kështu. Në një formë Gjykata Kushtetuese, shpeshherë, sidomos në vendet në tranzicion të thellë, si Kosova në këtë rast, e luan rolin e plotësuesit të Kushtetutës. Kemi shumë vendime, aktgjykime të Kushtetueses që kanë rezultuar dhe kanë prekur norma konkrete kushtetuese. Por asnjëherë nuk i kemi rishikuar ato norma apo nuk kemi bërë proces të amandamentimit për t’i përshtatur atë që ka thënë Gjykata në tekstin e Kushtetutës. Në rastin konkret të mandatarit, aty sikur ka luajtur rolin e plotësuesit në disa segmente ose pjesë të nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Muçaj.

21:11

Miftaraj flet për 87 kandidatët që në zgjedhjet e vitit 2017 kishin bërë deklarim të rrejshëm

Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka folur për raportin e Kohës Ditore, ku është thënë se 87 kandidatë në zgjedhjet e vitit 2017 nuk kishin treguar se në tri vjetët e fundit ishin dënuar me vendim të formës së prerë. Duke e fshehur këtë informatë në formularin e certifikimit, u ishte mundësuar gara.

KQZ-ja për mosndjekjen penale të tyre e ka drejtuar gishtin kah Prokurori i Shtetit.

“Besoj që në këtë rast, mund ta akuzojmë Prokurorin e Shtetit që sot, pasi të kenë parë kronikën, nëse nuk vepron. IKD-ja qysh në vitin 2013 i ka hartuar rregullat ose procedurat standarde të veprimit për KQZ-në, Prokurorin e Shtetit, Policinë, se si duhet të komunikojnë, bashkëveprojnë në raport me organizimin e zgjedhjeve. Në këto procedura standarde të veprimit KQZ-ja e ka obligim ta informojë prokurorin në çdo rast kur has elemente që ka dyshime të elementeve të veprës penale. I shtrohet pyetje KQZ-së a e ka informuar prokurorin për këto 87 raste. Nëse e ka informuar sigurisht e ka heqë përgjegjësinë, pastaj kalohet te prokurori se çka ka ndërmarrë mëtutje”, ka thënë Miftaraj në DESKUN e KOHËS.

Ai është pyetur edhe për rastin e votës së Etem Arifit për Qeverinë Hoti, që është subjekt i trajtimit të Gjykatës Kushtetuese. Dhe nëse ka pasur të drejtë ta mbajë mandatin.

“Në aspektin moral e etik, pajtohem me qytetarët e Kosovës që i njëjti nuk është dashur të jetë deputet fare”, tha Miftaraj.

21:02

Muçaj vlerëson se Arifi s’kishte të drejtë të kandidonte për deputet, kritikon Supremen

Florent Muçaj, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se deputeti Etem Arifi nuk ka pasur të drejtë të kandidonte për deputet në mandatin e fundit pasi tashmë ishte i dënuar me vendim gjyqësor të plotfuqishëm në tri vitet e fundit.

“Secili kandidat që dëshiron të certifikohet si kandidat për Kuvendin e Kosovës duhet të plotësojë formularin ku e ka obligim të deklarohet a i plotëson kushtet ligjore dhe a është i përshtatshëm kandidatura e tij me nenin 29-të të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Ai e merr përgjegjësinë me atë që deklaron. Në rastin konkret tregon se deputeti në fjalë, vota e të cilit kontestohet, ai ka qenë i dënuar në momentin kur ka kandiduar, vendimi ishte i plotfuqishëm në kuptimin juridik. Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, një kandidat i cili dënohet me vendim gjyqësor në tri vitet e fundit për vepër penale, pa marrë parasysh lartësinë e dënimit, s’ka të drejtë të kandidojë. Rrjedhimisht, kjo bëhet për ta ruajtur integritetin e organit përfaqësues sepse kufizimet zgjedhore janë standard kushtetues dhe standard i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kuptimin se secili shtet me ligjet e veta, mund të krijojë standarde të kufizimit të kandidaturave apo verifikimit të mëvonshëm të mandatit”, ka thënë Muçaj në Deskun e KOHËS.

Sa i përket sqarimit që dha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese për rastin e Arifit është zbatuar një vendim i Gjykatës Supreme që i përkiste rastit të ish-deputetit Zafir Berisha, “që thotë se në kohën kur ai ishte hequr nga listat zgjedhore, pastaj Supremja kishte vendosur ta kthente në lista duke pretenduar se i ishte mohuar e drejta për t’u zgjedhur”.

Për këtë rast Muçaj ka shprehur kritikë se Supremja ka konstatuar shkeljet e Kushtetutës, por nuk kishte pranuar të nisë procedurë në Kushtetuese për të adresuar rastin.

“Besoj që është e rëndësishme se në atë aktgjykim konstatohet se neni përkatës 29 për Ligjin për zgjedhjet është në kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës, pasi e drejta për të kandiduar një kandidati mund t’i merret vetëm me vendim gjyqësor. Supremja nuk ka kompetencë kushtetuese e as ligjore për të interpretuar Kushtetutën e aq më pak për të bërë kontroll abstrakt, të një ligji. Çka ishte më e komplikuar ishte se në fund të aktgjykimit, Supremja ndër të tjera thotë se ne e konstatojmë se ky është në kundërshtim me Kushtetutën, por s’nisim procedurë për ta adresuar rastin në Kushtetuese. Në njërën anë thotë se është në kundërshtim me Kushtetutën e në anën tjetër s’e dërgon. Si ka mundësi të ketë kundërthënie të tilla”, ka shtuar ai.

20:48

Miftaraj: Dyshoj se Kushtetuesja mund të marrë vendime që i vë në siklet partitë në pushtet

Ehat Miftaraj nga IKD-ja, thotë se dyshon se Gjykata Kushtetuese mund të marrë ndonjë vendim që i vë në siklet partitë në pushtet.

Miftaraj në DESKUN e KOHËS, ka thënë se Kushtetuesja ka treguar se kur ka të bëjë me vendimet që nuk i prekin partitë politike, e nuk i prekin interesat e grupeve të caktuara, është në gjendje të marrë vendime që janë të bazuara në Kushtetutë, në ligj.

“Dyshoj se Gjykata Kushtetuese merr vendime të cilat i qet në siklet, partitë që janë në pushtet apo ato që kanë qenë një kohë të gjatë në pushtet. E kemi parë Kushtetuesen herë pas here, kur ka të bëjë me vendimet që nuk i prekin partitë politike, e nuk i prekin interesant e grupeve të caktuara, është në gjendje të marrë vendime që janë të bazuara në Kushtetutë, në ligj. Asnjëherë nuk duhet harruar faktin se në Gjykatën Kushtetuese, kemi një numër të madh të këshilltarëve juridikë, që janë shërbyes civilë shumë të përgatitur e me përvojë, fatmirësisht kanë marrë përvojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por që kur vjen te vendimmarrja, fatkeqësisht edhe në bazë të votave, kur e shohim si merren vendimet, mund të kanalizosh se cili gjyqtar cilës parti i përket. Koha Ditore, gazetari Besnik Krasniqi, e ka bërë një elaborim lidhur me secilin gjyqtar të Kushtetueses dhe lidhjet politike prej nga vijnë. Në këtë drejtim nuk do të isha i befasuar nëse shoh një aktgjykim që i përshtatet jo vetëm Qeverisë aktuale, por edhe partive tjera që sot janë në pozitë”, ka thënë Miftaraj.

20:37

Miftaraj: Mënyra si gjyqtarët e Kushtetueses i bënë pyetjet, s’përkonte me seancë të mirëfilltë gjyqësore

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se mënyra se si janë bërë pyetjet në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese të mërkurën lidhur me votimin e deputetit Etem Arifi, nuk përkonin me seancë të mirëfilltë gjyqësore.

“Ishte interesante mënyra se si bëheshin pyetjet nga ana e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për mendimin tim, pa autoritet, të pa koordinuar, nuk përkonte me një seance gjyqësore që udhëhiqet nga organi më i lartë që mbron Kushtetutën. Do duhej të ishte shembull i autoritetit, profesionalizmit, përgatitjes”, tha ai.

Miftaraj në DESKU të KTV-së tha se gjyqtari i Gjykatës parashtroi pyetje thuajse kishte harruar se një koleg i tij në po të njëjtin organ të drejtësisë është i dënuar porse nuk e ka vuajtur dënimin e veprës së kryer.

“U përmend gjatë seancës integriteti, u bë pyetje nëse një deputet me aktgjykim të formës së prerë e cënon integritetin e Kuvendit të Kosovës dhe si duket gjyqtari i kësaj gjykate e kishte harruar se një koleg i tij në këtë gjykatë është i dënuar për vepra jashtëzakonisht të rënda dhe nuk e ka vuajtur dënimin e po shërben si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, është gjykatësi serb i dënuar në Serbi për falsifikim dokumenteve të diplomës”, tha ai.