Arbëri

Rushiti: Disa nga deputetët pyesnin se a duhet të jetë gjinekologu prezent për ta verifikuar krimin?

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarave të torturës, në emisionin Desku në KTV ka thënë se deputetët nuk ishin të gatshëm të diskutonin për viktimat e dhunës në luftë.

“Në momentin që ka filluar të debatohet në parlament mendoj se ka pasur një krizë sociale për shkak të stigmës dhe tabusë që ka mbizotëruar dhe mënyra se si është trajtuar ky ligj i ka ofenduar pikë së pari viktimat, na ka ofenduar neve si aktiviste që jemi marrë me vite të tëra, për faktin se shumica e parlamentarëve kanë pas disa pyetje, shqetësime të atilla që me të vërtetë kanë qenë denigruese”, ka thënë Rushiti. “Shumë nga ata thoshin se si mund të verifikohen, a ka viktima të dhunimit”.

Ajo ka shtuar se pasi e kanë mbyllur si temë mos të harrojmë prej vitit 2014 kanë kaluar 15 vite nga lufta edhe këto vite padashje apo me dashje e kanë implementuar strategjinë e dhunuesit duke i lënë ato të heshtura, duke ia mbyllur gojën, duke mos i trajtuar t'i e ke favorizuar që krimineli me qenë i lirë dhe ato me vujtë nën petkun e turpit për një krim që fare s'kanë qenë ato të përgjegjshme që padashjen e tyre trupi i tyre ka qenë pjesë e fushëbetejës.

“Natyrisht që në parlament ka pasur një debat shumë të vrazhdë. Unë kam qenë në pushim të lindjes. E mbaj mend si sot shumë gra më kanë telefonuar me idenë se po diskutohet për to edhe që për herë të parë parlamenti po flet për fatin e mijëra grave dhe vajzave, por edhe burrave që kanë përjetuar dhunim”, ka thënë Rushiti. “Mirëpo fatkeqësisht një pjesë e anëtarëve të parlamentit them që nuk kanë qenë të përgatitur të ballafaqohen, një formë rezistence se pse duhet të jenë ato pjesë e ligjit, si mund të dokumentohen, a ka pas kaq numër, e kështu me radhë, që me të vërtetë kanë ngjallur edhe neveri edhe tension por edhe psikologjikisht shumë nga të mbijetuarat e dhunës seksuale janë ndier keq për mënyrën se si i kanë trajtuar ata”.

Ajo tutje ka treguar se si deputetët kanë pyetur se a do të ketë gjinekolog prezent për ta vërtetuar dhunimin.

“Bile bile ka shkuar deri aty diskutimi sa disa nga anëtarët e parlamentit thoshin që a duhet të jetë gjinekologu prezent për ta verifikuar krimin. Dhunimi edhe nëse ndodh para tre dite nuk mund të vlerësohet në aspektin fizik, shoqëria duhet të trajtojë plagët psikologjike që i lenë. Për shumë nga ato jeta pas dhunimit nuk ka pasur kuptim fare, bile shumë nga ato edhe gjatë rrëfimeve kur i ndajnë me ne thonë se ne iu kemi lutur dhunuesit me na vrarë, por ata na kanë thënë se na mbani mend më mirë nëse jetni gjallë. Kjo pasojë bartet edhe në gjeneratat e tjera”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se fatmirësisht në vitin 2014 këto gra dhe burra janë trajtuar brenda ligjit për vlerat e luftës. Ka pasur diskutime që të trajtohen me një ligj të veçantë, çka nuk janë pajtuar të mbijetuarat për faktin se kanë qenë viktima të luftës, si mund të trajtohen me një ligj të veçantë.