Arbëri

Serbët nuk “heqin dorë” nga Kosova dhe nuk presin shumë nga dialogu, tregon një hulumtim

Gjysma e qytetarëve të Serbisë mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi 90 për qind nuk presin asnjë dobi nga ky proces, kurse gati një e katërta vlerësojnë se dialogu i deritashëm nuk ka ndryshuar asgjë në praktikë.

Këto janë gjetjet e hulumtimit që ua ka prezantuar mediave Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë, përcjell N1.

Në komunikatën e kësaj qendre, thuhet se opinioni i qytetarëve serbë për çështjen e Kosovës karakterizohet nga pikëpamje të kundërta - mbështesin dialogun, por nuk shohin mundësinë e bashkëjetesës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, mbështesin marrëveshjet nga Brukseli dhe Uashingtoni, por nuk shohin përfitim prej tyre.

Sipas hulumtimit, një e pesta e qytetarëve mendojnë se qëllimi përfundimtar i qeverisë së Serbisë është të ruajë territorin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244, ndërsa gjysma mendojnë se kjo do të ishte ideale po të arrihej përmes dialogut.

Po ashtu, hulumtimi tregon se qytetarët serbë nuk heqin dorë nga Kosova, në të njëjtën kohë duan pajtim dhe marrëdhënie normale, por vlerësojnë se dialogu çfarë po zhvillohet nuk çon ë këtë drejtim.

Gjithashtu, gjysma e qytetarëve besojnë se një marrëveshje Kosovë – Serbi nuk do të arrihet kurrë, kurse një e katërta se do të arrihet për 3 deri në 5 vjet.

Dy të tretat e qytetarëve besojnë se në të ardhmen e afërt nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve, pavarësisht rezultatit të dialogut, ndërsa pjesa tjetër e shohin marrëveshjen si parakusht për këtë.

Hulumtimi tregon se tri të katërtat e serbëve nuk do të pranonin që shqiptarët e Kosovës të ishin zyrtarë publikë në Serbi ose të martoheshin me dikë nga familjet e tyre, kurse dy të tretat që të kishin një epror shqiptar në punë.

“Është disi inkurajuese që dy të tretat e qytetarëve do të pranonin shqiptarët e Kosovës si banorë të të njëjtit shtet dhe si fqinj”, thuhet në deklaratën e Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë.