2 perditesime
19:27

Anulohet vaksinimi shkaku i grumbullimit të madh të qytetarëve

Qytetarë të shumtë e kryesisht të moshuar, të martën u mblodhën afër tendës pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku po bëhej vaksinimi për gripin sezonal. Por meqë nuk po respektohej distanca dhe numri sa vinte e rritej, u desh të ndërhynte Policia e Kosovës.

Ata u thanë qytetarëve që vaksinimi për të martën është anuluar dhe të gjithë duhej të shpërndaheshin.

Kjo e ka irrituar masën. “Turp duhet t’ju vijë, ka tri orë që jemi në rend duke pritur dhe tash u shpërndamë pa kurrfarë informatash”, ka deklaruar qytetari nga Prishtina, Shefqet Hasimi.

Të interesuarit për vaksinim nuk bindeshin të largoheshin derisa nga tenda, ku duhej të bëhej vaksinimi, u larguan edhe punëtorët shëndetësorë.

Pati të tillë që nuk pritën fare, pasi kishin frikë nga infektimi me koronavirus shkaku i grumbullit të madh të njerëzve.

“Kam ardhë për vaksinë po këtu është virusi, kush don me ardhë me marrë le të vjen këtu”, ka thënë 71-vjeçari Myftar Ahmeti. Ai ka shprehur habinë se si është e mundur që e gjithë Prishtina të vaksinohet vetëm në një pikë vaksinimi.

Edhe 75-vjeçari Sheqir Raqi nga Lagja e Muhaxherëve ishte i indinjuar me tollovinë. “Unë erdha me marrë vaksinën po në këtë kallabllak ma shpejt e merr gripin se vaksinën. Përpara ka qenë më shumë rregull. Duhet me ardhë prapë, por kur të lirohet”, ka thënë Raqi.

Kryeshefi i QKMF-së, Sami Uka, u ka kërkuar qytetarëve që ta ruajnë shëndetin dhe të mos grumbullohen pasi të gjithë do të vaksinohen.

“Fatkeqësisht është e vetmja pikë dhe tash është interesimi i jashtëzakonshëm meqë këto vaksina janë vonuar për 2 muaj. Por vaksina ka mjaftueshëm dhe qytetarët mund t’i marrin ato edhe në ditët vijuese”, ka deklaruar Uka.

Afati për vaksinim është 11 ditë, nga dita e martë deri më 11 dhjetor, dhe atë duhet ta marrin personat që hyjnë në grupin me rrezik të lartë.

Në këtë grup përfshihen personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike të dokumentuara, shtatzënat dhe fëmijët mbi 6 muaj.

Vaksinat kundër grupit sezonal kanë nisur të shpërndahen të hënën. Kosova ka arritur të blejë 160 mijë e 500 vaksina përmes UNICEF-it. Ministri Armend Zemaj ka thënë se janë duke siguruar edhe 50.000 të tjera.

 

11:46

Policia shpërndan qytetarët, anulohet për sot vaksinimi kundër gripit sezonal

Për shkak të mosrespektimit të masave anti-Covid, është anuluar vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili ka filluar sot.

Policia e cila ishte e pranishme për të mbajtur rendin, ka kërkuar që të pranishmit të shpërndahen.

Vaksinimi për grupet me rrezik të lartë do të mbahet nga data 1 dhjetor deri më 11 dhjetor.

11:02

Pa respektuar masat anti-Covid, shumë qytetarë mblidhen për vaksinat kundër gripit sezonal

Grumbull i personave të cilët presin të marrin vaksinën kundër gripit sezonal janë mbledhur para Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, duke mos i respektuar masat anti-Covid.

Qytetarët janë duke u vaksinuar në tendë, ndërkaq disa janë duke u larguar për shkak të frikës së infektimit nga COVID-19. Të pranishëm janë edhe pjesëtarë të Policisë për të mbajtur rendin, porse në fotografi nuk shihet të ketë distancë.

Të hënën Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka nisur shpërndarja e 160.500 vaksina të cilat janë blerë përmes UNICEF-it. Ministri Armend Zemaj ka thënë se janë duke siguruar edhe 50.000 tjera, raporton KOHA.

Afati për vaksinim është vetëm 11 ditë, nga data 1 dhjetor deri më 11 dhjetor. Në grupet e rrezikut të lartë hyjnë personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike të dokumentuara, shtatzënat dhe fëmijët mbi 6 muaj.

Fillimisht ishte paraparë që të vaksinoheshin deri në 500.000 qytetarë. Ministria e Shëndetësisë pati anuluar tenderët për arsye se operatorët kishin tejkaluar çmimin e paraparë.