Siç ndodh tradicionalisht para përfundimit të secilit vit, Këshilli i BE-së, ku përfaqësohen vendet anëtare, analizon edhe gjendjen e procesit të zgjerimit dhe raportet me vendet e përfshira në Procesin e Stabilizim-Asociimit. Fjala është për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë e për bazë merren raportet e progresit, të cilat kohë më parë i ka bërë publike Komisioni Evropian, organ ekzekutiv i BE-së.
Me përjashtim të pritjeve që të ketë një vendim për miratimin e Kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, asnjë vendim konkret nuk është pritur këtë vit. Duket se ai, që për këto dy shtete kandidate do të hapte rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit me to, nuk do të kalojë. Do të jetë ky gjithsesi një dështim i Presidencës Gjermane, e cila përfundon së shpejti kryesimin e saj me BE-në.
Pikërisht Presidenca Gjermane, me kontributin e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) ka përpiluar tekstin e draftit të Konkluzioneve, të cilat presin miratimin e përfaqësuesve të vendeve anëtare. Pasi në kohë pandemie asgjë nuk është sikur më parë, edhe këto konkluzione pritet të miratohen me një procedurë të shkruar e jo në takim të Ministrave në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme siç ishte zakon.
Kësaj radhe Turqia është hequr nga teksti i konkluzioneve dhe kjo për shkak se ndaj këtij shteti priten edhe sanksione të reja, pasi që po vazhdon të shkelë vlerat e BE-së dhe të mos përfillë kërkesat e Brukselit.
Me këto konkluzione, draftin e të cilave e ka siguruar KOHA, Këshilli i Bashkimit Evropian do të bëjë ftesën për reforma urgjente dhe për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ndaj të gjitha shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Edhe nga Kosova do të kërkohet vazhdim i përkushtimit ndaj Gjykatës Speciale, më saktësisht “Dhomave të Specializuara”, në përputhje të plotë me obligimet ndërkombëtare të saj, ligjet vendore dhe si një rrugë për të dëshmuar përpjekje të sinqerta për sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësi dhe pajtim. Në të njëjtën pjesë bëhet thirrje edhe për vazhdim të bashkëpunimit me EULEX-in.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka zënë vend edhe në këto konkluzione. Të dyja vendeve u përsëritet kërkesa që të vazhdojnë angazhimin në dialog me vullnet të mirë dhe në frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së. Vlerësohet këtu roli i të dërguarit të posaçëm për dialogun, si dhe përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Këshilli do t’i ftojë palët që të respektojnë dhe implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në procesin e dialogut.
“Këshilli rikujton se progresi në normalizimin e raporteve me Serbinë është një parim themelor i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe është bazë për zhvillimin e raporteve dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Kosovës”, thuhet në këtë dokument.
Kosova nuk mund të presë ndonjë lajm të mirë as lidhur me liberalizimin e vizave, një proces që tashmë është zgjatur me vite dhe nuk po i shihet fundi.
“Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, pritet të thuhet në këto konkluzione, të përsëritet se si një herë në vitin 2016, Komisioni kishte shprehur mbështetjen për liberalizim vizash dhe kishte vendosur dy kushte, e pastaj në vitin 2018 kishte konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kishte rekomanduar heqjen e vizave.
“Propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill”, është krejt çka do të thuhet në këtë dokument pa dhënë asnjë sinjal se kur do të mund të pritej vendimi eventual.
Nga të gjitha shtetet e Ballkanit kërkohet që të përshtatin qëndrimet e tyre me BE-në në çështjet e politikës së jashtme, sidomos për masat restriktive që BE-ja miraton për shtetet e treta. Kjo porosi i dërgohet sidomos Serbisë, e cila vazhdon të mos mbështesë qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme. Serbisë do t’i dërgohet edhe porosia që të vazhdojë të ndjekë rastet e krimeve të luftës dhe të parandalojë glorifikimin e kriminelëve të luftës.