4 perditesime
20:49

Serbia i shtyn imigrantët të hyjnë ilegalisht në Kosovë

Kohëve të fundit, Kosova është ballafaquar me numër të rritur të kërkesave për azil nga imigrantët.

Një numër i madh i tyre vijnë përmes Serbisë.

Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, ka thënë se shteti serb po merr njerëz nga vendbanime të ndryshme serbe dhe po i vendos në një kamp në Preshevë, afër kufirit me Kosovën dhe Maqedoninë Veriore.

“Sipas informatave që ata na japin, vërehen disa veprime të autoriteteve në Serbi, se po merren nga vendbanime në Serbi dhe po vendosen në një kamp në Preshevë që është shumë pranë kufirit me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas azilkërkuesve, atyre u bëhet presion që të kalojnë kufirin drejt Kosovës apo Maqedonisë së Veriut. Këto informata i kemi marrë pas intervistimeve që kemi bërë me azilkërkuesit”, ka thënë Krasniqi për Raport të KTV-së.

Në bazë të intervistave që u kanë bërë azilkërkuesve, Krasniqi thotë se këta azilkërkues janë keqtrajtuar nga policia serbe.

“Në bazë të intervistave që i kanë bërë zyrtarët tanë me azilkërkuesit, kohëve të fundit po kemi numër në rritje. Numri i azilkërkuesve është në rritje, të cilët po vijnë nga Serbia në Kosovë dhe po tregojnë për trajtimin e tyre në shtetin e Serbisë ku një numër prej tyre, edhe po keqtrajtohen nga policia serbe”, ka potencuar ai.

Ministria e Punëve të Brendshme, sipas tij, është e informuar me këtë dukuri dhe u ka drejtuar letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian që merren me çështjen e azilkërkuesve.

“Ende nuk kemi marrë përgjigje ne si Departament, jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së që merren me çështjen e azilit dhe organizata të tjera. I kemi ndarë edhe me ta këto shqetësime. Këto organizata dhe institucione kanë qasje edhe në territorin e Serbisë dhe mund t’i monitorojnë zhvillimet që po ndodhin atje”, ka pohuar ai.

 

20:38

Banorët e Bairit “mirëpresin” imigrantët

Ka më shumë se 1 muaj që disa imigrantë nga Lindja e Mesem janë duke qëndruar në lagjen Bair të Komunës së Mitrovicës

Banorët thonë se nganjëherë ndjehen të rrezikuar pasi që disa prej tyre nuk janë të përgjegjshëm.

Por megjithatë shtojnë se ata që kanë ikur nga vatrat e luftës janë të mirëseardhur në këtë lagje.

Valon Hakaj, një banor i kësaj lagje thotë se imigrantët janë të mirëseardhur, por se shton se shpreson që të mos u sjellin telashe.

“Përafërsisht para një muaji e kemi vërejtur, këtu në lagjen e Bairit më shumë. Kemi dëgjuar se po shqetësojnë ngapak, probleme por jo edhe shumë siç po flitet sepse ne nuk i kemi parë direkt. Janë të mirëseardhur, vetëm të mos bëjnë telashe sepse edhe ne kemi qenë në situatë të luftës, shpresojmë të mos ketë probleme”, tha ai.

E, Ruzhdi Smaili banor po ashtu i Bairit tha se ndjehet i shqetësuar me ardhjen e tyre.

“I kanë sjellë këtu, për shkak se siç duket i kanë djegë aty ku kanë qenë dhe i kanë sjellë këtu në kazermë të ushtrisë që ka qenë. Tek ne nuk ka ndodhur asgjë, por kemi dëgjuar se po vjedhin e po bëjnë gjëra të këqija dhe po ndihemi të shqetësuar si banorë sepse i kemi afër”, tha ai.

Imigrantët të cilët po qëndrojnë në këtë lagje të Mitrovicës, kryesisht në territorin e Kosovës hyjnë nga pika kufitare Jarinjë.

 

20:34

Nga shkolla te kurset, aktivitete të shumta për imigrantët në Qendrën e Azilit në Magure

Pos akomodimit, ushqimit e veshmbathjeve për imigrantët në Qendrën e azilit në fshatin Magure, për fëmijët ka kurse të gjuhës dhe atë për kompjuter derisa mësimi zhvillohet online.

Në këtë qendër janë rreth 50 imigrantë, prej tyre 20 fëmijë e 8 gra. Ata vijnë kryesisht nga Siria, Maroko e Algjeria.

“Pesë ditë në javë punohet me fëmijët, si në pikturë, ngjyrosje, lodra. Për fëmijë kemi edhe shkollimin që e kanë të obliguar, fillor dhe të mesëm, kemi nga klasa e parë deri në të gjashtën. Ka edhe kurse të gjuhës shqipe dhe të kompjuterëve”, ka thënë Ismajl Musa, zyrtar për shërbime sociale.

Por, ai ka shtuar që nuk po mund të punojnë siç duhet pasi që qëndrimi i tyre është shumë i shkurtër.

Ndërsa, gratë në këtë qendër janë të angazhuara me kursin për rrobaqepësi.

“Kemi kursin e rrobaqepësisë, gratë bëjnë qepjen e maskave, janë thjeshtë aktivitete të të rriturve”, ka thënë Musa.

Personat e ardhur kryesisht nga Lindja e Mesme kanë destinacion vendet e tjera të Ballkanit.

Ata kanë thënë se Kosovën e përdorin vetëm si vend transit pasi që nuk e kanë destinacion të fundit.

“Ndonëse në vendin tim nuk ka luftë, destinacion kam Serbinë, pasi në Libi është shumë vështirë për të gjetur një punë”, është shprehur Abdullah Deri, shtetas i Libisë.

Por, në këtë qendër nuk mungojnë as problemet që i bëjnë këta imigrantë e që sipas zyrtarëve të këtij institucioni thonë se imigrantët e ardhur nga Siria nuk janë të përfshirë në këto probleme.

 

20:29

Zariqi: Imigrantët e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit

Rreth 50 aplikantë për mbrojtje ndërkombëtare janë duke qëndruar në Qendrën për azil në Magure e 70 ndodhën në qendrën ndihmëse në Vranidoll, ndërkaq 30 imigrantë gjenden në Belveder.

Sipas Ligjit për azil, një person mund të presë nga 6 deri në 9 muaj për të fituar ose jo të drejtën për azil.

Udhëheqësi i Qendrës së azilit në Magure, Fitim Zariqi, ka thënë se pothuajse asnjë nga imigrantët nuk presin kaq gjatë.

Zariqi thotë se ndonëse nuk qëndrojnë më shumë se 32 ditë në Kosovë, këta persona në këtë qendër i kanë të gjitha kushtet.

“Po e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit, po qëndrojnë 32 ditë. Këta persona nuk japin ndonjë arsye kur vijnë as kur largohen, nuk tregojnë që do të lëvizin. Shumica prej tyre paraqesin kërkesë për azil”, ka thënë Zariqi.

Ka pak raste, të cilët kanë pritur për procedurë ose e kanë marrë statusin.

“Ata thonë se nuk gjejnë vend pune as këtu as në vendin e tyre. Kushtet ndaj tyre janë të mira, me veshje, mbathje, ushqim, kurse të ndryshme si psikologjike, gjuhësore”, ka thënë Zariqi.

Ai tutje ka deklaruar se disa imigrantë kanë shkaktuar probleme në Kosovë gjatë qëndrimit të tyre dhe në bazë të informacioneve, kanë kaluar në procedura policore.

Ndonëse këta imigrantë shkaktojnë probleme edhe jashtë qendrës, Zariqi thotë se jashtë qendrës është kompetente të veprojë policia.

 

20:22

Verifikimi i imigrantëve, i rëndësishëm për sigurinë e vendit

Vetëm këtë vit në Kosovë kanë hyrë 2.600 shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme.

Prej tyre, 1.300 e kanë shfrytëzuar të drejtën për azil, ndërsa pjesa tjetër ka hyrë ilegalisht në Kosovë.

Mbi 50 për qind prej tyre vijnë nga Siria. Por, ekspertë të sigurisë e shohin me shqetësim ardhjen e tyre.

Këta të fundit kërkojnë nga institucionet që t’i verifikojnë këta refugjatë, meqë sipas tyre mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist në vend.

Të rinj të shumtë nga vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, janë parë së fundmi në rrugët e Prishtinës.

Të ikur nga vatrat e krizës, nëpërmjet rrugëve ilegale shumë prej tyre kanë hyrë në Kosovë, për të kaluar më pas në shtetet perëndimore. Në numër të madh këta persona vijnë edhe nga Maroku, Iraku, Palestina, Libia dhe vendet e tjera.

Kohëve të fundit këta persona kanë shkaktuar edhe incidente të shumta. Ditë më parë, Policia e Kosovës ka arrestuar disa imigrantë të cilët kanë prishur qetësinë publike.

Para disa ditëve, një xhami në fshatin Magure të Lipjanit ishte përfshirë nga zjarri.

Kjo xhami herë pas here është shfrytëzuar si strehë nga azilantët. Rast tjetër ka qenë në objektin ku strehohen disa refugjatë në Vranidoll të Prishtinës.

Njohës të sigurisë kanë thënë se vendi tashmë është pjesë përbërëse e rrugës së Evropës, e që po shfrytëzohet si kanal për kalim në vende të caktuara.

Megjithatë, shtojnë se refugjatët të cilët vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme duhet të verifikohen nëse janë pjesë e strukturave të armatosura terroriste.

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, në Raport të KTV-së ka thënë se individët që kërkojnë azil duhet të verifikohen sepse mund të jenë rrezik potencial.

“Problemi kyç është që këta qytetarë, refugjatë që bëjnë kërkesë për azil, të shikojnë mos këta individë janë pjesë e strukturave të armatosura terroriste. Duhet të bëhet verifikimi që të mos u japim azil personave që janë pjesë e ISIS-it”, tha ai.

Shala thekson se shteti i Kosovës duhet të jetë shumë vigjilent karshi këtyre personave. Në rast se këta persona cenojnë sigurinë e Kosovës, ai potencon se këta individë duhet të largohen të burgosur në vendin e origjinës.

“Këta persona nëse nuk bëhet verifikimi i tyre mund të bëhet ndonjë sulm potencial terrorist në vend. Kosova duhet të jetë shumë vigjilent ndaj këtyre personave që mund të lëvizin në Kosovë përmes dhënies së statusit së refugjatit apo azilkërkuesit”.

Për këtë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, të premten që shkoi, i është drejtuar përmes një letre publike, shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Por, për këtë Policia e Kosovës ka thënë se këto raste i trajton bazuar në procedura ligjore, rastet i emërton bazuar në Kodin Penal.

Policia, më tej, në përgjigjen e saj ka shtuar se nuk i ndanë të përfshirët në vepra penale në aspektin racor a etnik.

“Policia gjatë trajtimit të rasteve njeh tri kategori të personave me të cilët merret: ankues, dëshmitarë e të dyshuar, prapë këta nuk i ndan dhe nuk ofron të dhëna bazuar në aspektin racor, etnik”, thuhet nga Policia.

Megjithatë, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, e cila funksionon në kuadër të Departamentit të Kufirit të PK-së, ka treguar përgjegjësitë me të cilat është e ngarkuar.

Kjo drejtori mbikëqyr dhe kontrollon të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë legalisht në Republikën e Kosovës dhe gjatë qëndrimit të tyre se a janë duke iu përmbajtur dispozitave të Ligjit për të huajt.

“Trajtimi i të gjithë shtetasve të huaj, që hyjnë legalisht dhe ilegalisht në Kosovë dhe të cilët aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare, kjo përfshin azilkërkuesit dhe refugjatët”, thotë PK.

“Ky trajtim nënkupton plotësimin e formularit inicial dhe regjistrimin në sistemin e DSHAM-it të MPBS-së, fotografimin dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve të tyre dhe pastaj përmes sistemit, por edhe në mënyrë fizike dërgimin e lëndës në MPB, ku kjo kërkesë i nënshtrohet trajtimit të mëtejmë komfor ligjit mbi azilin, deri në nxjerrjen e vendimit final (pranim apo refuzim i kërkesës) në vartësi a i plotësojnë kushtet e kërkuara apo jo. Në të njëjtën kohë, pas kompletimit të formularit dhe regjistrimit të tyre ata vendosen në Qendrën e Azilit në Magure”.

Trajtimi i të gjitha kategorive të imigrantëve të parregullt/ilegalë, duke përfshirë mbajtjen e tyre në Qendrën e mbajtjes deri në kompletimin e procedurave për riatdhesimin e tyre në shtetin e origjinës, shqiptimin e gjobave ndaj tyre si dhe largimin e tyre nga Kosova përmes dy formave të depërtimit të tyre, vendimit për largim vullnetar dhe atij me forcë kur plotësohen kushtet ligjore, bazuar në dispozitat e ligjit për të huajt nr. 04/L-219 dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin nr.06/L-36 e këtij ligji”.