Ministria e Drejtësisë ka ndarë 20 mijë euro për rregullimin e hapësirave të Gjykatës Themelore në Preshevë, pas kërkesës që i kishte bërë kjo komunë më 25 shtator.
Në një njoftim për media, Ministria e Drejtësisë ka thënë se ky vendim është për kthimin e degës së gjykatës në Preshevë.
Vendimi është nënshkruar më 28 nëntor. Ministri Selim Selimi ka thënë se “ndarja mes shqiptarëve nuk ekziston dhe se 28 Nëntori është data më e mirë identifikuese e të gjithë shqiptarëve”.
“Këtë vendim po e nënshkruaj si dëshmi se me kujdesin e duhur për vëllezërit tanë të cilët padrejtësisht janë të ndarë nga trungu amë, mund të realizojmë kërkesat e ligjshme për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të Luginës”, ka thënë ai. “Jemi bashkë, duke mos kursyer asgjë për t’u bërë ballë presioneve të vazhdueshme të shtetit serb dhe për fuqizimin e faktorit shqiptar në Luginën e Preshevës”.