4 perditesime
11:49

S’kalon Rezoluta për të pagjeturit, LDK-ja e bojkoton votimin

Në mungesë të vendimmarrjes, ka dështuar të miratohet Rezoluta nga interpelanca me kryeministrit, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, raporton “KOHA”.

Kjo pikë mori 41 vota, që nuk mjaftuan për ta kaluar atë.

Përpos deputetëve të Vetëvendosjes, pro kësaj rezolute ishin edhe ata të PDK-së, derisa LDK-ja e bojkotoi pjesëmarrjen në votim.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, parashtroi 2 pikat që përfshihen në këtë rezolutë, si dhe kërkoi votën e deputetëve për këtë pikë. “Këto janë pikat e dy rezolutës: Kuvendi i Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet, kushtëzohet apo të ndërvaret nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të ndërmjetësoj në adresimin e çështjes së të pagjeturve në harmoni me standardet dhe mekanizmat ndërkombëtar. Pika 2: Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranoj të bisedoj me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimin e menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave të cilët nuk janë gjetur gjatë luftës së fundit. Kërkoj përkrahjen e gjithë deputetëve për këtë rezolutë”, pati thënë ajo.

Deri më tash një varg projektligjesh kanë dështuar të votohen në mungesë të vendimmarrjes.

Përfundon seanca e Kuvendit të Kosovës

Pas gati dy orë punime ka përfunduar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse gjitha pikat në rend dite u diskutuan, me vendim të kryesueses së seancës, Arbërie Nagavci, për interpelancën e ministrit të punëve të brendshme, Agim Veliut do të diskutohet në mbledhjen e radhës së Kryesisë së Kuvendit.

Gashi përplaset me Nagavcin, shkak interpelanca e Agim Veliut

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pretendon se ka filluar interpelanca e ministrit Agim Veliu, pavarësisht se Veliu nuk është prezent në sallë.

Gashi thotë se në momentin që Fatmire Kollqakut të VV-së, iu dha fjala, interpelanca ka filluar. “Mbi cilës rregullore po bëhet ky veprim. Nuk ka thirr komisioni interpelancë, janë 6 deputetë që kanë thirr interpelancë, nuk mundet askush të flasë në emër të komisionit. E dyta, nuk mundet dikush që të flasë 12 minuta, dhe me thanë që s’ka filluar interpelanca. Interpelanca ka filluar, folni nëse doni me fol për këtë çështje, a vjen ministri apo jo është punë për të. Nëse s’vjen ka mekanizma të tjerë, ngrini mocion mosbesimi ndaj ministrit. Kjo është demokracia”, tha Gashi.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryesueses së Kuvendit, Arbërie Nagavci. “Kuvendi është vend për të diskutuar. S’keni nevojë me bërtit, s’e kuptoj pse duhet me bërtit. Z. Kollqaku në emër të 6 deputetëve e paraqiti kërkesën. Unë thash që do t’i jap fjalën gjithë grupeve parlamentare”, tha ajo.

Agim Veliu s’vjen në seancë, dështon interpelanca

Ka dështuar të mbahet interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, në lidhje me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kjo sepse Veliu për të dytën herë radhazi nuk erdhi në seancë.

Deputetja Fatmire Kollqaku pohoi se Veliu disa herë ka refuzuar pjesëmarrjen në komision, teksa sipas saj që nga fillimi i mandatit të tij ai është paraqitur për raportim vetëm njëherë.

“Ne jemi ballafaquar me një problem që nga fillimi i këtij mandati dhe nuk kemi arritur që asnjëherë ta kemi z.Veliu në raportim në Komision. Çdo pyetje e jona ka mbetur pa përgjigje, pas 4-5 tentativave, erdh në komision dhe tha se ka kohë vetëm 40 minuta. Pas një kohe e ri përsëritëm kërkesën që të vjen të raporton dhe sërish patëm injorancë totale nga ministri”, tha ajo.

Me këtë rast Kollqaku theksoi që Kuvendi kërkon nga Ministria që udhëheq Veliu, që brenda 2 javëve të dorëzoj në Kuvend raportin e gjithë punës së Veliut përgjatë mandatit të tij.

Dështon shqyrtimi i raportit për buxhet, asnjë ministër në sallë

Në seancën e Kuvendit ka dështuar të mbahet Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019. Kjo pasi që në seancë nuk ishte i pranishëm asnjë pjesëtar i kabinetit qeveritar.

Me këtë rast kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci ka thënë se kjo pikë nuk mund të shqyrtohet.

“Ashtu si në seancën e kaluar, askush nga qeveria nuk janë të pranishëm për të prezantuar raportin, rrjedhimisht kjo pikë nuk mund të diskutohet pa praninë e Qeverisë”, ka deklaruar ajo.

11:10

Vetëm 32 deputetë në votim, nuk kalon Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Ka dështuar edhe miratimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Në votim morën pjesë vetëm 32 deputetë, me ç’rast s’pati kuorum për të proceduar me këtë pikë.

Nuk kanë kaluar as propozim-rezoluta nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti për dialogun Kosovë-Serbi, propozim-rezoluta nga interpelanca e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, për patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës Serbe në Karaçevë.

Vendimmarrje nuk pati as për Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.

Nuk ka marrë miratim as rezoluta për pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ndërkohë me 67 vota Kuvendi miratoi Rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2019.

Me 68 vota për është miratuar rezoluta nga debati parlamentar në lidhje me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.

11:08

Kuvendi vazhdon të dështojë, në mungesë kuorumi s’kalojnë tri projektligje

Edhe pse janë bartur që disa muaj, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të kalojë disa projektligje.

Në seancën e sotme, në fillim, dështuan tri projektligje, për shkak të mungesë së kuorumit.

Projektligjet që dështuan ishin:

Projektligji nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurimin e ujit

Projektligji nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

Projektligji nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

10:56

Nis seanca, para deputetëve 35 pika të papërfunduara nga 27 seanca

Janë hapur punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës ku pritet të shqyrtohen e të votohen shumë pika të seancave të papërfunduara.

08:15

Deputetët mblidhen për 35 pikat e papërfunduara nga 27 seanca

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot prej orës 10:00 do të mblidhen për diskutim e votim të pikave nga seancat e papërfunduara.

Në rend të ditës janë pika të papërfunduara nga 27 seanca, e ka të tilla që janë edhe nga 7 gushti.

Janë gjithsej 35 pika për shqyrtim e votim. Janë kryesisht projektligje që nuk kanë kaluar deri më tash. Ka edhe propozim rezoluta që presin votat e deputetëve.

Komplet rendi i ditës:

I. Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 16, 21 dhe 29 tetor 2020:

1. Votimi i Projektligjit nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit,

2. Votimi i Projektligjit nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

3. Votimi i Projektligjit nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

4. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-037 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,

5. Votimi në parim i Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës nr. 07/L-019.

II. Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht, 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16 dhe 29 tetor 2020:

1. Votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

2. Votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

3. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,
4. Votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.

III. Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 8, 12, 16 dhe 29 tetor 2020:

1. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-018 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

2. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike.

IV. Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 21 dhe 29 tetor 2020:

1. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare,

2. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”,

3. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

V. Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 29 tetor, 2 dhe 3 nëntor 2020:

6. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-021 për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës,

8. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës,

10. Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2019,

11. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbaj të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur,

12. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.

VI. Pika e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 13 nëntor 2020

1. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së 8 deputetëve të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.

VII. Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 12, 19 dhe 23 nëntor 2020

4. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”,

5. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private,

6. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social,

7. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës,

8. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,

9. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256,

10. Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,

11. Votimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019,

12. Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019,

13. Votimi i Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019,

14. Votimi i Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019,

15. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019,

16. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar,

17. Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për vazhdimin e mandatit dhe miratimin e buxhetit,

18. Interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, në lidhje me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.