Edhe pse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është një nga personat e paktë të UÇK-së, i cili ka folur dhe nuk është mbrojtur në heshtje në Hagë, Prokurori i Specializuar e ndërlidh atë se ka ndikuar që të tjerë të ftuar të mos flasin, por të mbrohen në heshtje. Një ndërlidhje të tillë e pati bërë edhe Rexhep Selimi, i cili publikisht pati thënë që “Thaçi atij dhe luftëtarëve të tjerë u kishte dërguar porosi që të mos flasin, por të mbrohen në heshtje”
Dy herë ka folur ish-presidenti Hashim Thaçi në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Herën e parë më 12 dhjetor të vitit të kaluar e herën e dytë 3 ditë radhazi në gjysmën e korrikut të këtij viti.
Megjithatë, urdhërarresti kundër tij e ndërlidh atë me faktin që një pjesë e madhe e ish-ushtarëve të UÇK-së, të intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, janë mbrojtur në heshtje.
Përfshirë këtu edhe bashkëpunëtoret e tij të afërt të luftës e pasluftës.
Në së paku në dy raste, Thaçi është ndërlidhur me heshtjen e të ftuarve kur ftoheshin si të dyshuar në Hagë.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, pati thënë që Hashim Thaçi, përmes disa personave atë dhe ish-luftëtarë të tjerë të ftuar për intervistim nga Specialja i kishte “porositur që të mbrohen në heshtje”.
“Ka pasur një presion ndaj meje që unë të heq dorë dhe të mos flas në Gjykatën Speciale. Me Thaçin nuk kam pasur komunikim të drejtpërdrejtë, por porosi kam pasur nga të gjitha anët që të mos flasë atje [Gjykatë Speciale]. Kam pasur porosi nga Thaçi dhe njerëzit rreth tij që është më mirë të mbrohemi në heshtje. Por nuk e ka bërë vetëm në adresën time, por i ka bindur disa të tjerë për të cilët jam i sigurt se ka folur vetë atje… Ai më së gjati ka folur në Speciale, katër ditë”, pati thënë publikisht Selimi, 3 muaj para se ai të arrestohej nga Specialja, si pjesë e një aktakuze të përbashkët me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin.
Ndërlidhjen e Hashim Thaçit me “mbrojtjen në heshtje” të të ftuarve në një rast e ka bërë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ky institucion në fletarrestim për krime lufte kundër Thaçit, Selimit, Krasniqit e Veselit veçon ish-presidentin si të përfshirë në ndikimin se si janë deklaruar të ftuarit.
Nuk përmendën se çfarë argumentesh, por sipas këtij institucioni ka prova kundër Thaçit, për përfshirje në një gjë të tillë.
“Për më tepër, pasi [REDAKTUAR] zgjodhi t'u përgjigjej pyetjeve të ZPS-së, në vend se të thirrej në të drejtën e heshtjes, ka prova që THAÇI u përpoq të siguronte që avokati që e përfaqësonte [REDAKTUAR] nuk do të caktohet për të përfaqësuar të intervistuarit e tjerë”, thuhet në urdhërarrest.
Thaçi e kishte mbajtur të fshehtë intervistën e parë, ndërkaq siç edhe thuhet në dokumentet tashmë të publikuara të Speciales, në dy raste kur ai është intervistuar, ish-presidenti kishte folur.
Ne lidhje me atë se çka thuhet në urdhërarrestin e Thaçit, KOHA ka provuar ta kontaktojë mbrojtjen e tij, por ata nuk janë deklaruar.
Për dallim nga Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ishte mbrojtur në heshtje.
Në heshtje janë mbrojtur dy ish-kryeministrat, Agim Çeku e Ramush Haradinaj.
Ish-komandanti i Zonës Operative, Sami Lushtaku, po ashtu, ishte mbrojtur në heshtje.
Edhe Shukri Buja, dikur bashkëpartiak i Thaçit, e politikan që ka pasur poste të rëndësishme pas luftës, e kishte mbrojtur veten në heshtje.
Në heshtje është mbrojtur edhe Jakup Krasniqi, që është pjesë e aktakuzës.
Njëjtë patën vepruar edhe ministri Blerim Kuçi e deputeti i AAK-së, Haxhi Shala.
Lahi Brahimaj, i cili përmendet në aktakuzë, kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së, po ashtu është mbrojtur në heshtje.
Deri tani, janë rreth 300 ish-ushtarë të UÇK-së, të cilët kanë pranuar ftesa nga Specialja. Edhe pse pjesa më e madhe e figurave të rëndësishme të UÇK-së janë mbrojtur në heshtje, shteti ka paguar 1 milion euro për t’u siguruar avokatë.
“Në lidhje me vendimin e Qeverisë Nr. 14/16 të datës 01.12.2017, dhe në zbatim të obligimeve kontraktuale, nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht programi 379 00 Mbrojtja juridike dhe mbështetja financiare për personat e akuzuar potencialë nga Dhomat e Specializuara, të ndara në vite janë shpenzuar mjete financiare si në vijim: në vitin 2017 është shpenzuar shuma prej 14,376.14 eurosh, në vitin 2018 është shpenzuar shuma prej 475,309.41 eurosh, në vitin 2019 është shpenzuar shuma prej 458,170.29 eurosh, kurse në vitin 2020 nga ky program nuk është bërë asnjë shpenzim”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë, të kthyer javë me parë.
Rexhep Selimi pati konfirmuar se vetë ai në Hagë ka dhënë deklaratë dhe nuk është mbrojtur në heshtje.
Deri tani nuk janë bërë publike deklaratat e dy të akuzuarve, kur janë ftuar si të dyshuar.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka parafrazuar deklaratat e tij, ku siç citohet Thaçi të ketë thënë se as ai, e as Shtabi i Përgjithshëm nuk kanë pasur autoritet mbi UÇK-në.
“Në mënyrë të ngjashme, në intervistat e tij me ZPS-në, z. Thaçi hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, duke pohuar në mënyrë të përsëritur se në asnjë moment më 1998 ose 1999 ai, ose ndonjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, nuk kanë pasur ndonjë autoritet mbi UÇK-në. Siç u përmend në konferencën statusore, këto pohime më tej hedhin poshtë pretendimet nga mbrojtja se përgatitja dhe hetimi nuk mund të fillojnë deri diku pas përfundimit të zbulimit të të gjitha provave”, thuhet në dokumentin e Speciales.