Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një takim me zyrtarë të Bashkimit Evropian, ka thënë se para se që të zgjidhet një president i ri i vendit, në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të reja.
Sipas tij, Qeveria aktuale, ajo e udhëhequr nga Avdullah Hoti, s’ka legjitimitet.
“Gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike në Kosovë, dhe çështja e zgjedhjes së presidentit. Kryetari Kurti theksoi se është tejet e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet”, thuhet në njoftimin e VV-së për takimin që përfaqësues të kësaj partie patën me shefin e Zyrës së Be-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në njoftim thuhet se, ambasadori Szunyog ka nënvizuar rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve, një Kuvendi të aftë për të miratuar ligje, nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, dhe nevojën për avancimin dhe zbatimin e agjendës së MSA-së.
Në anën tjetër, Kurti, sipas njoftimit, ka thënë se në Kosovë ka nevojë për politika zhvillimore e mbështetëse për qytetarët dhe bizneset.
Ndërsa për dialogun me Serbinë, Kurti ka vlerësuar se është i domosdoshëm një fillim i ri “që procesi të ketë kredibilitet”.
“E për këtë, duhet të ndodh demokratizimi dhe evropianizimi i dialogut, zëvendësimi i qasjes transaksionale me atë transformuese dhe transatlantike”, thuhet në njoftim.
Kosova është me ushtrues detyre të postit të presidentit që kur Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë në Gjykatën Speciale.