Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj nënshkroi sot marrëveshjen me Fondin e Abu Dabit për Zhvillim për ndërtimin e 2 mijë banesave të reja në Spitallë dhe Durrës, dy ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s.
“Sot 1 vit nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk mund të ndaja me ju një lajm më të mirë se nënshkrimi i marrëveshjes me Fondin e Abu Dabit për Zhvillim, finalizimi i një procesi intensiv diskutimesh, studimi, planifikimi e projektimi me miqtë e partnerët tanë emiratas, një projekt fantastik me vlerë 75 milionë dollarë që angazhon jo vetëm njohuritë dhe eksperiencën e vyer inxhinierike, por edhe një koncept modern të jetës në komunitet, në qendrat e reja urbane, ekonomike e sociale që do të kthehen në modelin e ardhshëm të rilindjes urbane në të gjithë vendin”, bëri të ditur ministri Ahmetaj.
Tërmeti i fortë që goditi vendin tonë një vit më parë la pas 51 viktima, gati 1 mijë të plagosur mbi 14 mijë familje të pastreha sikurse e 203 mijë qytetarë u prekën direkt apo indirekt/ATSH.