Mëngjesin e hershëm të 26 nëntorit të 2019-s një tërmet prej 6.4 ballësh goditi fshatin Thumanë të Durrësit. Tërmeti për pak sekonda, shënoi një prej ngjarjeve më të rënda që Shqipëria përjetoi nga fatkeqësitë natyrore.
Nga ky tërmet i fuqishëm humbën jetë 51 persona, u lënduan 913 të tjerë e po ashtu u prekën edhe plotë 202 mijë persona në disa bashki.
Në mesin e viktimave ishin edhe dy vëllezër nga “Livoçi i Epërm” Gjilanit, Shemsedin e Isa Abazi, të cilët humbën jetën tragjikisht nën gërrmadhat e njërit nga hotelet që u shemb atë ditë.
Një vit më parë, Thumana u kthy në një vend “fantazmë”.
Ndërtesa shumëkatëshe, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie ishin pamjet që mund t’i kapte syri nga kjo tragjedi.
Tenda të shumta u vendosën përreth që të paktën të moshuar e fëmijë të strehoheshin aty.
Nën rrënojat e pallateve njerëzit luftonin mes jetës e vdekjes, ndërkohë të tjerëve iu duhej të përballeshin edhe me panikun që shkaktonin post-lëkundjet.
Solidariteti i vëllezërve, fqinjve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera dërguan në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja trupat e viktimave.
Pas një viti, plagët ende nuk janë shuar. Durrësi dhe Tirana ishin dy prej bashkive më të mëdha që patën pasoja të rënda, por jo më pak edhe në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës.
Gjurmët e natës së 26 nëntorit të vitit të kaluar janë në kujtesën e kujtdo, që sot pas një viti kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda. / Ksp