7 perditesime
21:40

Pupovci e konsideron shkelje ligjore kërkesën për rritjen e numrit të studentëve në mjekësi

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, në emisionin Desku në KTV ka thënë se kërkesa për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë është shkelje ligjore.

“Ne jemi në muajin nëntor, konkursi është shpallur këtë vit, diku në shtator dhe është dashur të shpallej në korrik por për shkak të pandemisë është shpallur në shtator. Në konkurs janë shpallur 150 vende, dmth jashtë asaj nuk mund të dilet. Dhe nuk mund të dilet jashtë maksimumeve që i përcakton Agjencia e Akreditimit. Kështu që unë konsideroj se kjo kërkesa e ministrit Zemaj dhe vendimi i ministrit Likaj nuk kanë të bëjnë asgjë me ligjet të cilat janë në fuqi në Kosovë sepse vendimin për numrin studentëve e merr Senati i Universitetit, por Ministria e aprovon”, ka thënë Pupovci. Tani Ministria në shtator e ka aprovuar këtë numrin prej 150 dhe as Senati dhe as Ministria nuk guxojnë ta kalojnë atë limitin të cilin e ka përcaktuar Agjencia e Akreditimit”.

Ai shton se një situatë të tillë e kanë pasur në vitin e kaluar ku pikërisht në Fakultetin e Mjekësisë është tejkaluar numri i studentëve.

“Me sa e di për 50 për qind dhe aty iniciativa për çudi ka qenë pikërisht e menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë, të nxitur nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë dhe me mbështetjen e ministrit të atëhershëm të Arsimit. Pra, vitin e kaluar disi janë marrë veshë mes veti, sivjet nuk munden të merren vesh.Vitin e kaluar konsideroj se shkelje kanë bërë të gjithë, prej ministrit të Shëndetësisë i cili e ka nis atë punë, Fakultetit i cili e ka mbështetë dhe ministrit të Arsimit i cili e ka aprovuar. Pse kanë bërë shkelje? Sepse konkursi ka qenë po ashtu për 150 studentë”, ka thënë ai.

Sipas tij ky vendim duhet të refuzohet.

“Agjencia e Akreditimit edhe vitin e kaluar e ka pas limitin 150 studentë, pra nuk ka mundur të pranohen edhe 75 më shumë se që janë pranuar. Por, sivjet e kemi një situatë pak më ndryshe, sivjet mësimi tashmë ka filluar, ne jemi në nëntor dhe po merret vendimi që të ngritet numri i studentëve për 50 për qind. Kjo po na kthen në atë periudhën e vitit 2013/14 kur bëheshin kësi regjistrime të vona, manipulime, prej 2014 gjëra të tilla të paktën në UP sa kam mundur të përcjelli nuk ka ndodhur me përjashtim të kësaj që e thashë te Fakulteti i Mjekësisë dhe mendoj se ky vendim edhe duhet të refuzohet se nuk ka si zbatohet”, ka thënë Pupovci.

21:27

Pupovci: Shkollat tona po prodhojnë njerëz që do të jenë të papunë

Eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci, për DESKUN e KOHËS, ka thënë se sistemi arsimor në Kosovë është duke prodhuar njerëz që do të jenë të papunë.

“Kjo është njëra ndër plagët e sistemit të Arsimit në Kosovë. Thjeshtë lidhja e dobët mes sistemit të Arsimit dhe tregut të punës. Unë nuk mendoj se arsimi duhet t’i nënshtrohet krejtësisht tregut të punës, sepse njeriu nuk arsimohet vetëm për t’u aftësuar për një vend pune, por arsimohet edhe për t’i përmbushur nevojat e veta persona, për dije e kështu me radhë. Por, është fakt se vite me radhë ne kemi prodhuar kuadro për të cilat kemi qenë në dijeni që do të përfundojnë si punëkërkues në tregun e punës. Do të përfundojnë si të papunë. Pra, nuk do të mund të akomodohen. Po e lidhi me shembullin e shtatë universiteteve. Në shtatë universitetet publike, pesë prej tyre kanë fakultete juridike e ekonomike. Ndërkohë që ne kemi qindra juristë e ekonomistë të papunë. Pastaj fakultete juridike e ekonomike ofrojnë thuajse të gjitha kolegjet private. Dmth ne po prodhojmë njerëz që do të përfundojnë si të papunë”, ka thënë Pupovci.

Ai ka shtuar se ka pasur në vitet e fundit kërkesë jashtëzakonisht të madhe për profesionet mjekësore, me synim për të dalë në vendet perëndimore.

“Unë më tepër e përcjelli gjendjen në shkollat e mesme profesionale dhe është vërejtur që vit pas viti po rritet numri i nxënësve në shkollat e mesme të mjekësisë. Unë mendoj se janë kuadro për Gjermani, nuk janë për Kosovë. Ekziston kërkesë jashtëzakonisht e madhe, tani pasi që ka ndodhur kjo plakja demografike e popullsisë, sidomos në vendet perëndimore, ku nevojitetet kujdesi paliativ ndaj të moshuarve dhe tani ne kemi me qindra të rinj që në shkollën e mesme orientohen në drejtime mjekësore. Thjeshtë nevoja për ta në tregun e Kosovës as nuk ekziston e as që do të ekzistojë, meqenëse mbesin brenda. Por problemi është se një numër i konsiderueshëm i tyre po ikin jashtë, për shkak të kushteve më të mira, ofertës, po supozoj se e njëjta gjë duhet të jetë edhe me nivelet më të larta, mjekët e kështu me radhë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre vite me radhë kanë qenë edhe papunë edhe pa specializime në Kosovë. Tani pse nuk janë dhënë specializime, me të vërtetë këtë fushë të Shëndetësisë nuk e njoh mirë, por është vërejtur vite me radhë se ka pasur pak specializime, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm, qoftë i specialistëve apo jospecialistëve kanë ikur në vendet e Evropës”.

21:25

Pupovci: Universitet publike në Kosovë përveç UP-së i plotësojnë kushtet vetëm për kolegje

Eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka folur edhe për punën e universiteteve në vend. Ai ka thënë se përveç Universitetit të Prishtinës, universitetet tjera i plotësojnë kushtet vetëm për kolegje.

Pupovci thotë se me Ligjin për arsimin e lartë në Kosovë, për të ekzistuar si universitet duhet t’i kesh pesë programe të doktoratës dhe minimum nga një të diplomuar nga secili program i doktoratës. Sipas tij, i tillë është vetëm Universiteti i Prishtinës.

“Vetë fjala universitet tregon se aty duhet të ketë diversitet programesh. Nëse e merr njërin prej këtyre universiteteve, ata i kanë 3-4 programe të natyrave të ndryshme. E ka një nga fusha e mjekësisë, edukimit e fusha tjera. Nëse profilizohen, p.sh vetëm për shkencat shoqërore, atëherë programet tjera duhet të mbyllen, ai shndërrohet në një kolegj, këto i plotësojnë kushtet ligjore për kolegje”, ka thënë ai.

“Ka qenë më tepër për shkak të votave. Këto universitet po shihen edhe si vende pune e shkollimi për njerëz, dhe lidhen me interesin e qytetarëve”, ka thënë ai.

21:20

Pupovci: Problemi i arsimit në Kosovë është mungesa e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, ka thënë se problemi kryesor i sistemit të arsimit në Kosovë është mungesa e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies.

“Kjo vlen edhe për Ministrinë edhe për Qeverinë, edhe për Institucionet Akademike, edhe për Komunat edhe për të gjithë. Si manifestohet kjo mungesë e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies. Vjen një person, emërohet ministër nuk zbaton asgjë nga politikat të cilat ekzistojnë, për të cilat është zotuar shteti dhe ai person nuk jep kurrfarë përgjegjësie, herën tjetër prapë zgjedhet ministër, nëse nuk zgjedhet ministër zgjedhet deputet ose shkon në ndonjë ministri tjetër, ose fiton ndonjë post më të lartë. Pra, te ne nuk ekziston sensi i përgjegjësisë të thuhet se ky person ishte 3-4 vjet në këtë pozitë, nuk arriti të bëjë asgjë, tani le t'ia lëshon rrugën dikujt tjetër”, ka thënë Pupovci.

Tutje ai ka kritikuar masivizimin e arsimit universitar, që sipas tij ka ndikuar negativisht në cilësi.

“Pastaj merren vendime që janë krejtësisht të natyrës politike siç ishte hapja e universiteteve në vendet jashtë Prishtinës, të cilën nuk e gjeni në asnjë dokument strategjik të Kosovës. Pra, ajo është bërë për vota, në momentin e caktuar dhe askush nuk është thirrë në përgjegjësi për atë. Dhe nëse tani mjetet financiare që janë të orientuara në përmirësim të cilësisë i çon në hapje të universiteteve të reja atëherë masivizimi i arsimit shkakton një shkallë të humbjes së cilësisë, dmth është normale në të gjithë botën. Kur e ke prioritet përmirësimin e cilësisë dhe t'i investon në masivizim duke injoruar kriteret e cilësisë atëherë edhe nuk mund të pritet ndonjë rezultat më i mirë”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij sistemi i arsimit është i decentralizuar.

“E njëjta gjë ndodh edhe në nivelin e shkollave. Ju thashë se sistemi i arsimit në Kosovë është i decentralizuar. Kryetarët e komunave i emërojnë të gjithë drejtorët e shkollave. Unë nuk di ndonjë kryetar të Komunës në Kosovë të jetë ndëshkuar nga zgjedhësit për shkak të mos suksesit të shkollave në atë komunë. Është edhe kjo vetëdija jonë, çka ne shohim”, ka thënë ai.

21:01

Pupovci: Është dashur të punohej më shumë gjatë verës për platformën e zhvillimit të mësimit online

Eksperti i çështjes së arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se është dashur të punohet më shumë gjatë verës për platformën e zhvillimit të mësimit online.

“Mendoj se është dashur të punohet më shumë gjatë muajve të verës, në përgatitjen e kësaj situate. Të vendoset çfarë lloj platforme do të shfrytëzohet në shkolla. Nëse do të shfrytëzohet Zoom, atëherë të jetë versioni i paguar, që e bën të mundur shfrytëzimin e gjitha modaliteteve. Nëse shfrytëzohet sistemi i Google-t, atëherë kjo është pa pagesë. Dikur duhet t’i udhëzojë shkollat që të regjistrohen. E-mësimi, nëse është e-mësimi, është dashur të investohet që e-mësimi të vendoset ndoshta në serverët qeveritarë, në mënyrë që të jetë në gjendje të funksionojë më mirë, t’ju jepet shkollave qasje. Nuk e di sa shkolla në Kosovë kanë qasje në e-mësimi, nuk e di si funksionon e-mësimi. Shpresoj që gjithnjë e më mirë”, ka thënë Pupovci për DESKUN e KOHËS. “E dini se si shkon puna e softuerëve, duhet të testohen për një periudhë. Është softuer i ri. Nuk pritet, që nëse ka filluar të përdoret në prill apo maj, të funksionojë tash për mrekulli. Mund të kalojë vite derisa të përmirësohen ato lëshime që janë në softuerë, e të funksionojë si duhet. Në momentin kur funksionon si duhet ndoshta do të jetë i panevojshëm, sepse i kthehemi njëfarë normaliteti. Mendoj se është dashur të bëhen disa hapa më shumë në raport me këto që janë bërë. Edhe në Shqipëri ekziston një platformë ‘akademia.al’ , ka pasur një iniciativë të bashkëpunimit mes dy ministrive, por sikur nuk u jetësua. Nuk e di që ka ndonjë shkollë nga Kosova që e shfrytëzon atë platformë”.

21:00

Pupovci: Vendimet për mbylljen e shkollave i merr IKSHPK-ja, infeksioni s’ndodh në shkollë

Eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në emisionin Desku në KTV ka thënë se vendimet për mbylljen e shkollave i IKSHPK-ja, derisa ka theksuar se infeksionet nuk ndodhin brenda shkollave.

“Koronavirusi na i ka përzier punët të gjithëve, në të gjitha fushat e jetës. Vendimet për mbylljen e shkollave zakonisht i merr IKSHPK-ja, dmth kur arrihet një numër i caktuar i të infektuarve, e kanë ata një normë dhe e informojnë shkollën. Ajo është e imponuar. Në të shumtën e rasteve sipas njohurive të mia, infeksioni nuk ndodhë brenda shkollës. Nuk janë fëmijët ata që e transmetojnë te njëri-tjetri, por zakonisht e marrin në familje pastaj e sjellin në shkollë dhe në momentin kur konstatohet se një fëmijë është i infektuar janë ato masat parandaluese që e gjithë klasa duhet të izolohet”, ka thënë Pupovci.

Ai ka shtuar se mësuesit dhe arsimtarët që punojnë me atë klasë duhet të izolohen dhe me këtë e bënë të mundur funksionimin normal të shkollës.

“Paramendoni një klasë të shtatë ku japin mësim 12-13 arsimtarë sa janë, dhe tani një fëmijë i vetëm infektohet në atë klasë. E gjithë klasa shkon në shtëpi, dhe 13 arsimtarë shkojnë në shtëpi. Por, ata japin edhe në klasa të tjera, jo vetëm aty. Do të thotë edhe fëmijët e klasave të tjera tani në këtë mënyrë preken, edhe ata duhet të izolohen”, ka shkruar Pupovci.

Pupovci ka shtuar se sikur ta kishim një sistem shëndetësor më të përgatitur si në disa vende perëndimore, ku vijnë e testojnë menjëherë të gjithë shkollën, atëherë me siguri edhe masat do të ishin më ndryshe.

“Por, gjërat tani po ndërlidhen. Në një anë është sistemi i arsimit që nuk është mirë i përgatitur për këto online, në anën tjetër është sistemi shëndetësorë që nuk është në gjendje të reagojë si duhet në situata të tilla dhe faktikisht këta fëmijë përfundojnë në shtëpi. Sikur të ishte mësimi online i organizuar si duhet ata përsëri do të dëmtoheshin, do të kishin një humbje mësimore mirëpo do të ishte më i vogël”, ka thënë Pupovci.

20:43

Pupovci: E besueshme që 10 % e nxënësve nuk kanë pasur qasje në mësimin online

Eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se është e besueshme që 10 për qind e nxënësve nuk kanë pasur qasje në mësimin online.

Në qershor në Komisionin për Arsim, ministri Ramë Likaj pati deklaruar se 32 mijë nxënës nuk i janë nënshtruar mësimit, e më vonë Ministria e Arsimit pati thënë se vetëm 9.000 nxënës nuk e kanë ndjekur mësimin online.

Pupovci në DESKU-n e KOHËS ka thënë se shifra prej 9.000 është i vogël, pasi sipas tij, kur krahasohet me shkallën e penetrimit të internetit dhe përdorimit të energjisë, në Kosovë të dyja janë 90 për qind.

“Kjo është ajo që dihet nga fushat tjera jashtë arsimit, prandaj është e besueshme se 10 për qind e nxënësve nuk kanë pasur qasje në mësimin online”, ka thënë ai.

20:40

Pupovci: Fëmijët që s’morën pjesë në mësimin online, llogaritet se e kanë humbur 40% të mësimit

Ekspert i çështjeve të arsimit Dukagjin Pupovci, për DESKUN e KOHËS, ka thënë se pandemia ka goditur rëndë arsimin në gjithë botën, e jo vetëm në Kosovë.

Pupovci ka thënë se sipas të dhënave të Bankës Botërore, llogaritet se fëmijët që kanë ndjekur mësimin online, kanë humbur 25 për qind të mësimit që është dashur të mësojnë nga viti i kaluar mësimor. Ndërsa ata që nuk e kanë ndjekur mësimin online, për arsye të ndryshme, kanë humbur sipas llogarive deri në 40 për qind të mësimit.

“Sigurisht se mund të kritikohet Qeveria pse i mbylli shkollat e gjërat tjera, por shkollat në atë kohë mbylleshin në gjithë botën, dmth ishte një vendim si të themi global. Nga këndvështrimi i sotëm, kur shkollat po qëndrojnë hapur edhe me shkallë dukshëm më të lartë të infeksionit, ne edhe mund të shohim atë vendim me dyshim. Por atëherë, duhet ta kemi parasysh, se ka pasur shumë pak informacion për natyrën e sëmundjes dhe pasojat që mund të shkaktojnë. E çfarë ka ndodhur, ka ndodhur ajo që quhet në shkencën e edukimit, humbje mësimore. Është shumë normale, që fëmijët, një pjesë e asaj që është dashur të mësojnë, nuk e kanë mësuar. E Banka Botërore e vlerëson se kjo për fëmijët të cilët kanë marrë pjesë në mësimin online, sillet diku 25 për qind, humbja e mësimit. E për ata që nuk kanë marrë pjesë, për shkak se nuk kanë pasur pajisje apo shkolla nuk e ka organizuar, llogaritet se e kanë humbur deri 40 për qind të asaj që është dashur të mësojnë vitin e kaluar. Kështu që kjo ka lënë pasoja, por nëse na ngushëllon pak, ka lënë pasoja në gjithë botën”, ka thënë Pupovci.,

Ai ka shtuar se mësimdhënësit kanë bërë më të mirën vitin e kaluar me organizimin e mësimit online, pasi nuk ishin as të trajnuar e as të përgatitur për këtë situatë.

“Është çrregulluar e gjithë jeta mendoj, jo vetëm sistemi arsimor. Është një situatë për të cilën askush në botë nuk ka qenë i përgatitur. Kur ka filluar kjo krizë më 11 mars, është shpallë pandemia, më datën 12 në faqen e UNESCO-s nuk ka pasur asnjë udhëzim se si të menaxhohen situatat e tilla, kur tanimë mbi 1 miliardë nxënës anekënd të botës ishin duke punuar nëpër shtëpia. Normal u bë ajo që ishte e mundur të bëhet. U organizua mësimi online, dhe ai mësim online kryesisht ju la iniciativës së mësimdhënësve, të cilët shumica prej tyre , arritën që në një mënyrë ose tjetër t’i shfrytëzojnë platëformat siç janë Zoom, Google Meets, Skype, WhatsApp e Viber. E në një mënyrë arritëm ta mbajnë njëfarë komunikimi me nxënës. Të kemi parasysh ata njerëz kanë qenë pa asnjë udhëzim , pas asnjë trajnim, kanë punuar nëpër shtëpia, nuk kanë pasur mundësi as të komunikimit me njëri tjetrin. Vërtetë mendoj se e kanë bërë më të mirën e mundshme, atë që kanë mundur ta bëjnë gjatë pranverës”, ka thënë Pupovci.