Arbëri

Pupovci: Fëmijët që s’morën pjesë në mësimin online, llogaritet se e kanë humbur 40% të mësimit

Ekspert i çështjeve të arsimit Dukagjin Pupovci, për DESKUN e KOHËS, ka thënë se pandemia ka goditur rëndë arsimin në gjithë botën, e jo vetëm në Kosovë.

Pupovci ka thënë se sipas të dhënave të Bankës Botërore, llogaritet se fëmijët që kanë ndjekur mësimin online, kanë humbur 25 për qind të mësimit që është dashur të mësojnë nga viti i kaluar mësimor. Ndërsa ata që nuk e kanë ndjekur mësimin online, për arsye të ndryshme, kanë humbur sipas llogarive deri në 40 për qind të mësimit.

“Sigurisht se mund të kritikohet Qeveria pse i mbylli shkollat e gjërat tjera, por shkollat në atë kohë mbylleshin në gjithë botën, dmth ishte një vendim si të themi global. Nga këndvështrimi i sotëm, kur shkollat po qëndrojnë hapur edhe me shkallë dukshëm më të lartë të infeksionit, ne edhe mund të shohim atë vendim me dyshim. Por atëherë, duhet ta kemi parasysh, se ka pasur shumë pak informacion për natyrën e sëmundjes dhe pasojat që mund të shkaktojnë. E çfarë ka ndodhur, ka ndodhur ajo që quhet në shkencën e edukimit, humbje mësimore. Është shumë normale, që fëmijët, një pjesë e asaj që është dashur të mësojnë, nuk e kanë mësuar. E Banka Botërore e vlerëson se kjo për fëmijët të cilët kanë marrë pjesë në mësimin online, sillet diku 25 për qind, humbja e mësimit. E për ata që nuk kanë marrë pjesë, për shkak se nuk kanë pasur pajisje apo shkolla nuk e ka organizuar, llogaritet se e kanë humbur deri 40 për qind të asaj që është dashur të mësojnë vitin e kaluar. Kështu që kjo ka lënë pasoja, por nëse na ngushëllon pak, ka lënë pasoja në gjithë botën”, ka thënë Pupovci.,

Ai ka shtuar se mësimdhënësit kanë bërë më të mirën vitin e kaluar me organizimin e mësimit online, pasi nuk ishin as të trajnuar e as të përgatitur për këtë situatë.

“Është çrregulluar e gjithë jeta mendoj, jo vetëm sistemi arsimor. Është një situatë për të cilën askush në botë nuk ka qenë i përgatitur. Kur ka filluar kjo krizë më 11 mars, është shpallë pandemia, më datën 12 në faqen e UNESCO-s nuk ka pasur asnjë udhëzim se si të menaxhohen situatat e tilla, kur tanimë mbi 1 miliardë nxënës anekënd të botës ishin duke punuar nëpër shtëpia. Normal u bë ajo që ishte e mundur të bëhet. U organizua mësimi online, dhe ai mësim online kryesisht ju la iniciativës së mësimdhënësve, të cilët shumica prej tyre , arritën që në një mënyrë ose tjetër t’i shfrytëzojnë platëformat siç janë Zoom, Google Meets, Skype, WhatsApp e Viber. E në një mënyrë arritëm ta mbajnë njëfarë komunikimi me nxënës. Të kemi parasysh ata njerëz kanë qenë pa asnjë udhëzim , pas asnjë trajnim, kanë punuar nëpër shtëpia, nuk kanë pasur mundësi as të komunikimit me njëri tjetrin. Vërtetë mendoj se e kanë bërë më të mirën e mundshme, atë që kanë mundur ta bëjnë gjatë pranverës”, ka thënë Pupovci.