Arbëri

Osmani: Parandalimi i dhunës ndaj grave jo vetëm që është i mundur, por edhe i domosdoshëm

Kryeparlamentarja,Vjosa Osmani, ka thënë se parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave jo vetëm që është i mundur, por është edhe i domosdoshëm.

Ajo ka shkruar në Facebook se dy muaj më parë, më 25 shtator, Kuvendi i Kosovës votoi unanimisht për përfshirjen e Konventës së Stambollit, në Kushtetutën e vendit.

“Sot, më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Kosova e shënon këtë ditë duke qenë në një stad më të avancuar sa i përket kornizës legjislative për luftimin e një pandemie që po zhvillohet me hov të shtuar dhe në hije krah për krah me pandeminë Covid-19. Por kjo nuk mjafton. Izolimi për shkak të virusit u shndërrua në katalizator të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Çdo formë e dhunës përbën shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë Osmani.

Sipas saj parandalimi i dhunës ndaj grave është demonstrim i përkushtimit për respektim të plotë të drejtave të njeriut.

“Por, dhuna triumfon vetëm kur ne heshtim! Parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave jo vetëm që është i mundur, por është edhe i domosdoshëm. Sepse, përveç se një gjë e tillë është demonstrim i përkushtimit tonë për respektim të plotë të të drejtave të njeriut, parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave ka aftësinë për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për çdonjërin nga ne. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, duke filluar nga investimi në vetvete, angazhimi për ndërgjegjësim të të tjerëve, duke sfiduar stereotipet, e duke edukuar brezin e ardhshëm në frymën e barazisë gjinore”, ka thënë Osmani.

Sipas saj shoqëria jonë ka ende shumë për të bërë për viktimat e kësaj pandemie në hije.

“Por në këtë ditë dua tu rikujtoj që: Unë ju dëgjoj! Unë ju besoj! Unë qëndroj pas jush! Unë do flas për ju çdo ditë deri ditën kur ju do të mund të ngrisni zërin vetë për veten tuaj”, ka shkruar ajo.