Arbëri

Apeli vërteton shtyrjen e kthimit në punë të ish-drejtorit të SHSKUK-së, Sejdiu

Foto: Alban Bujari / KOHA

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores, për shtyrjen e kthimit në punë të ish-drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

Apeli i ka vlerësuar të pabazuara ankesat e Inspektoratit të Punës dhe po ashtu të Basri Sejdiut.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor, kishte shtyrë kthimin në punë të Sejdiut , duke e shtyrë ekzekutimin e vendimit të Inspektoratit të Punës.

Bordi i SHSKUK-së, kishte shkarkuar Sejdiun nga detyra e drejtorit të përgjithshëm, me arsyetim për përformancë të dobët. Sejdiu më pas ishte ankuar në Inspektorat të Punës dhe Inspektorati kishte vendosur për kthimin e tij në punë.

Mirëpo, pas ankesës së Bordit të SHSKUK-së në Gjykatën Themelore ishte shtyrë kthimi i Sejdiut në punë.

Sejdiu dhe Inspektorati i Punës kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Refuzoheën të pabazuara, ankesa e paditurës-kundër propozueses Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Inspektorati i Punës, e datës 2.11.2020, dhe ankesa e palës së interesuar Basri Sejdiu, e datës 5.11.2020, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1690/2020, i datës 14.10.2020, vërtetohet”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Image