Arbëri

I biri i deputetit Shala nuk sheh asgjë të keqe për postin e konsullit që e ka marrë

I biri i deputetit Haxhi Shala, Flakroni, është munduar të arsyetojë caktimin e tij konsull në Pragë. Në reagimin e parë pas publikimit të lajmit nga KOHA për caktimin e tij konsull, Flakron Shala ka thënë se s’ka asgjë të keqe që si i biri i deputetit është emëruar në detyrë shtetërore.

Të martën KOHA raportoi se deputetit Shala iu shpërblye djali me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci, si pazar për votën e 3 qershorit kur Shala pas një vizite që iu bë nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ndryshoi qëndrim dhe ia dha votën vendimtare për formimin e Qeverisë Hoti. Procesi i caktimit të Shalës konsull u tentua të mbahej fshehtë.

Tani, vetë Shala, në një reagim në Facebook, ka thënë se këtë pozitë e ka marrë sipas ligjit në fuqi dhe falë përvojës.

“Në pozitën Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës jam emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës. I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën pesë vjeqare në pozitën si Menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor a.s.”, ka thënë ndër të tjera ai. “Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua”.

Sipas tij, babai i tij deputet s’ka kompetenca të emërojë apo të shkarkojë zyrtarë të MPJ-së e as konsuj të përgjithshëm.