Arbëri

Beqaj: Bllokada totale e sistemit të drejtësisë, gjeneruese direkte e krijimit të Speciales

Politilogu, Belul Beqaj, në emisionin Desku në KTV ka thënë se bllokada totale e sistemit të drejtësisë në Kosovë ka gjeneruar direkt krijimin e Gjykatës Speciale.

Ai thotë se si shoqëri jemi në krizë të të kuptuarit të krizës.

“Nëse i analizojmë proceset vitet e fundit mendoj se çështja e të kuptuarit të krizës duket se seriozisht është në krizë, pra kemi parasëgjithash ose një keqkuptim të paramenduar ose një keqkuptim të analizës reale të proceseve të cilat po ndodhin për arsye se degradimi në të gjitha fushat nuk është i këtij viti, por njëlloj i defunksionalitetit dhe degradimit të pushtetit dhe shtetit të Kosovës realisht ka ndodhur disa vite të fundit. Prandaj konsideroj se është e vështirë të kuptojmë se ç’është kriza. Në këtë kuptim është në krizë edhe të kuptuarit krizës. Për arsye se shumë çështje në parametrat standard, real, do të definoheshin para dhjetë viteve si çështje kritike mirëpo tani janë shndërruar si çështje normale”, ka thënë Beqaj. “Në fillim të këtyre proceseve, Gjykatës Speciale e dialogut, mos të hyjmë në çështjen e drejtësisë meqë e përmendet Gjykatën Speciale ka qenë shkaku imediat, pra pafuqia, mosfunksionaliteti, mosbesimi dhe bllokada totale e sistemit të drejtësisë ka qenë gjeneruese direkte e krijimit të Gjykatës Speciale”.

Sipas tij në krizë është edhe të kuptuarit e krizës dhe ky është një problem shumë më serioz se vet kriza, meqë njerëzit nuk dinë më tash se çka është normale e çka jo.

“A është normale të paguhen parlamentarët e të mos shkojnë në parlament, apo të shkojnë në parlament e të mos votojnë, apo është normale që dikush që ka dështuar totalisht si kryeministër të pretendojë që të bëhet edhe kryetar. Krahas dështimit në kuptimin funksional të institucioneve fatkeqësisht jemi në rrugën e dështimit të vlerave morale dhe etike që sipas mendimit tim janë shkaktare imediate të politikës së krizave dhe në këtë kuptim ndoshta dalloj shumë nga të tjerët, pasi mendoj se politikbërja duhet të ketë një bazament të vlerave të domosdoshme etike-morale”, ka thënë Beqaj.