1 perditesime
19:25

LVV-ja parashikon fitore pa balotazh në Podujevë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është shprehur e sigurt se do ta ndërpresë qeverisjen 20-vjeçare të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Podujevës. LVV-ja ka njoftuar për organizimin e një sondazhi para 10 ditësh, rezultatet e të cilave i ka prezantuar të martën. Nënkryetari i kësaj partie, Besnik Bislimi, tha gjatë prezantimit të rezultateve se sondazhi nxjerr fitues në rundin e parë kandidatin e tyre Shpejtim Bulliqi me 46.8 për qind të votave. Nexhmi Rudari i LDK-së renditet i dyti në sondazhin e LVV-së me 42 për qind, kurse Naim Fetahu i PDK-së me 11.2 për qind. Bislimi ka shtuar se rezultatet janë të datës 15 nëntor, derisa, sipas tij, tani situata është më e mirë në favor të partisë së tij.

“Kjo tregon që faktikisht dhe brenda marzhës së gabimit është shumë, shumë e mundur që zgjedhja e kryetarit të Podujevës do të përfundojë të dielën, pra nuk do të ketë fare balotazh”, ka deklaruar Bislimi në konferencën për media. Bislimi ka deklaruar se shumë qytetarë që kanë votuar LDK-në në zgjedhjet e vitit 2017, më 29 nëntor do të përkrahin LVV-në. “Sidomos, e madhe është ikja e votuesve nga LDK-ja apo nga kandidati i tyre në vitin 2017 Agim Veliu. Nexhmi Rudari e ka vetëm mbështetjen e 70 për qind të elektoratit që e kanë pasur në vitin 2017. Pjesa më e madhe e atyre që kanë ikur nga LDK-ja, apo mbi 80 për qind kanë shkuar drejt Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar Bislimi.

KOHA ka provuar të kontaktojë me kandidatin e LDK-së, Nexhmi Rudari, për t’i komentuar këto parashikime të LVV-së, por ai ka qenë i paqasshëm. Sondazhin e ka quajtur të montuar Naim Fetahu i PDK-së, i cili ka thënë se ai do të bëhet kryetar i Podujevës. "Janë sondazhe të montuara, të porositura, të paguara dhe nuk çon peshë për mua asgjë. Nuk është diçka që e bëjnë për herë të parë, nuk dua të merrem me të. Unë jam i sigurt që do ta fitojmë këtë garë dhe kam hyrë për ta fituar garën", është shprehur Fetahu. Mbi 87 mijë llapjanë kanë të drejtë të votojnë këtë të diele për të zgjedhur kryetarin e tyre. Pasi Agim Veliu braktisi Komunën për t’u bërë ministër në Qeveri, mbajta e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë u caktua për 15 mars. Por, për shkak të përhapjes së pandemisë ato u shtynë për më vonë, të dielën e 29 nëntorit.

13:15

VV-ja e bindur se Bulliqi merr mbi 46 për qind të votave në Podujevë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Besnik Bislimi, kur veç ka nisur fushata për zgjedhjet në Podujevë, tha se ato kanë rëndësi shumë të veçantë.

“Nga 12 deri më 15 nëntor kemi organizuar një sondazh me kompaninë UBO. Situata në terren është më e mirë sesa e jep sondazhi. 88.8 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se Shpejtim Bulliqi është kandidat i pranueshëm”, tha Bislimi, transmeton KOHA.

Siç u shpreh Bislimi, 46.8 për qind do të votonin për Shpejtim Bulliqin, 42 për qind për Nexhmi Rudarin, kurse 11.2 për qind për Naim Fetahun.

“Kjo tregon që është shumë, shumë e mundur do të përfundojë të dielën, pra s’do të ketë nevojë për balotazh. I madh është numri i votuesve që ikin nga LDK-ja. 80 për qind e elektoratit që ka votuar LDK-në me 2017 do ta votojnë LVV-në”, tha tutje Bislimi.

Image