4 perditesime
20:50

Qeveria me grup teknik për mbrojtje të komuniteteve

Themelimi i një grupi ndërministror për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit ndaj komuniteteve pakicë në Kosovë, po shihet si veprim i duhur për vetëdijesimin e qytetarëve.

Habib Hajredini, drejtor i Zyrës për qeverisje të mirë në Kosovë, ka deklaruar se ky Grup është përgjegjës për t’i dizajnuar veprimet që duhet ndërmarrë nga institucionet e vendit kur ka diskriminim në aspektin racor tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

“Përpos që është një obligim i qeverisë, ky është një dakordim në Poznań të Polonisë ku kryeministrat e vendeve të Ballkanit kanë marrë obligim për të marrë vendime konkrete. Ky grup është përgjegjës për dizajnuar veprimet që duhet ndërmarrë nga institucionet në momentin kur ka diskriminim në aspektin racor, tek komunitetet RAE. Ky mekanizëm ka diversitet të institucioneve dhe shoqërisë civile”, ka deklaruar Hajredini në Raport të KTV-së.

Ai tutje ka shtuar se puna e këtij Grupi duhet të kalojë në një proces transparent, duke krijuar një uebfaqe me të dhëna dhe statistika për rastet e diskriminimit dhe veprimet që do i marrin institucionet. Vitin e ardhshëm sipas Hajredinit, do të lansohet një fushatë vetëdijësuese për këtë temë.

 

20:39

Fshati Dubravë ka shumë halle, por racizmin nuk e njeh

Një realitet krejt ndryshe e më pozitiv e karakterizon fshatin Dubravë të Komunës së Ferizajt.

Dubrava është e banueshme vetëm nga komuniteti ashkali.

Këtu nuk njohin termin racizëm, por sfidë edhe më tej vazhdojnë të jenë papunësia dhe kushtet e vështira ekonomike, raporton KOHA.

Ismet Kameri, i cili banon në këtë fshat, thotë se është duke jetuar me qira që nga dita që është kthyer nga Maqedonia e Veriut.

“Jemi kthyer më 2014 nga Maqedonia, komuna na pati premtuar me na jap vendin, dhe me na ndërtu shtëpinë, por deri më tash asgjë. Kemi jetuar gjithmonë këtu. Jemi 7 anëtarë, shoqen e kam të paralizuar, social s’kemi, asgjë s’kemi”, ka thënë Kameri.

Por përfaqësues të këtij komuniteti në këtë fshat thonë se nuk ka qenë e lehtë të arrihet ky integrim që kanë sot, por nuk është në nivelin e duhur.

“Paragjykimet kanë qenë pas lufte më të shpeshta, s'mund të themi që edhe sot nuk ka paragjykime. Jemi në një shoqëri që ka nevojë të ndryshojë për të mirë. Ka personalitete që nuk janë të përgatitur siç duhet dhe e paragjykojnë një pjesë të shoqërisë”, ka thënë Asllan Kryeziu, përfaqësues i fshatit Dubravë.

Kryeziu, cili ishte edhe nënkryetar për komunitete në Komunën e Ferizajt, thotë se Kosova qëndron më së miri në rajon për sa i përket respektimit të të drejtave të komuniteteve.

Në këtë fshat banojnë rreth 2 mijë banorë të komunitetit ashkali.

 

 

Dy basketbolliste të Vëllaznimit fyhen në baza racore

Ravena Northcross-Baker dhe Sarah Mgrike po dominojnë tërësisht këtë edicion në Superligën e Kosovës, që përbëhet prej gjashtë skuadrave.

Vëllaznimi me amerikanet Northcross-Baker dhe Mgrike në përbërje, ishte i pandalshëm në tri xhirot e para duke regjistruar po aq fitore. Ardhja e amerikaneve, që paguhen qindra dollarë në muaj, ka ndryshuar situatën në klubin Vellaznimi, për të mirë. Por dominimin e amerikaneve duket se nuk e kanë pritur mirë të gjitha ekipet kundërshtare. Në ndeshjen e fundit, atë ndaj Penzës, që gjakovaret e fituan me shifrat 82:59, Vëllaznimi është ankuar se amerikanet janë fyer në baza racore nga lojtaret kundërshtare, raporton KOHA.

Për këtë ka reaguar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës, saktësisht komisari i garave, Faton Kurshumlija. Ky i fundit nëpërmjet një emaili ka paralajmëruar skuadrat e femrave dhe ka autorizuar arbritrat që në momentin që dëgjojnë ndonjë fyerje raciste, menjëherë të reagojnë, në të kundërtën do të merren masa ndaj tyre. Ai ka shkruar se me keqardhje është njoftuar se në ndeshjet e Superligës së femrave po përdoren ofendime në baza racore ndaj lojtareve nga basketbollistet vendore, gjë që është rreptësisht e ndaluar sipas propozicioneve të garave të FBK-së.

Sipas emailit, arbritrat janë të autorizuar që në rastin e parë të një ofendimi racor, automatikisht të diskualifikojnë lojtaren që duhet patjetër të paraqitet në raportin e ndeshjes për ofendimet ndaj lojtares së huaj.

Kurshumlija ka pranuar për KOHËN se ka sinjale që ka pasur fyerje raciste në ndeshjen e luajtur në Gjakovë, në bazë të raportit final, ndonëse si Vëllaznimi ashtu edhe Penza kanë dërguar versionet e tyre. Ai beson se nuk do të ketë sjellje të tilla ndaj lojtareve të huaja, të cilat sipas tij, këtë edicion e kanë ngritur dukshëm cilësinë në elitën e basketbollit.

“Fyerjet e tilla nuk i tolerojmë as te meshkujt, që në fakt nuk ka pasur dhe besoj se ekipet e femrave tashmë e kanë kuptuar paralajmërimin. Gjyqtarët do të mund shumë lehtë të identifikojnë atë që fyen në baza racore, për shkak se nuk ka shikues si pasojë e situatës me pandeminë. Po besoj se kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit në ligën e femrave”, ka thënë Kurshumlija.

20:36

Rrjetet sociale, vend i fyerjeve raciste

“Qysh po t’del zezaku. Valla more zezak, tro t’nafakës s’paske pas, ku e gjete këtë shtrigë... ka boll egjiptianë këtu në Kosovë, bile folin ship”, ishin vetëm disa prej komenteve në Facebook, që kishin lënë përdoruesit pas publikimit të lajmit se një aktore kosovare ishte në lidhje me një djalë me prejardhje afrikane.

Komente që nxisin urrejtje nuk fillojnë e mbarojnë me racë. Komentet në rrjete sociale nga përdorues kosovarë nxisin edhe urrejtje fetare apo gjinore, dhe kalojnë pa u ndëshkuar, raporton KOHA.

Shoqërisë kosovare i mungon toleranca ndaj diversitetit, gjë e cila na shndërron në shoqëri paragjykuese.

Mentor Hoxhaj, ekspert i rrjeteve sociale tha se çdokush që është prapa një komenti apo pëlqimi në rrjete sociale mban përgjegjësi juridike.

“Shfrytëzuesit e rrjeteve sociale duhet ta kenë parasysh se çdo koment apo shpërndarje duhet ta dijnë se mbajnë përgjegjësi juridike. Shohim rritje të vazhdueshme të postimeve apo pëlqimeve e komenteve që jo rrallë njerëzit lëshohen në komente të padëshiruara”, tha ai.

Me komente raciste e paragjykuese, nga kosovarët rrjetet sociale u mbushën edhe vitin e shkuar, pas sulmeve fizike që iu ishin bërë një gruaje rome.

Debatin fillimisht e nxitën mediat me raportime se e njëjta ishte përgjegjëse për rrëmbimin e fëmijëve nëpër qytete të ndryshme.

Hetimet, megjithatë, zbuluan se ajo ishte një grua e riatdhesuar dhe pa dosje penale, por kjo nuk parandaloi dhunën që në dy raste ishte ushtruar ndaj saj.

Sociologu Kushtrim Bekteshi ka sqaruar se çfarë pasoja ka për një person që diskriminohet nga shoqëria.

“Personat që përballen me racizëm vuajnë nga kompleksi i inferioriteti sepse ndihen inferiorë. Më pas individët ndihen të ndrydhur brenda asaj shoqërie dhe shoqëria humb potenciale që i ndrydh me këto përjashtime vetëm pse dikush i përket një race të caktuar”, tha ai.

E rast, po ashtu, racist ishte vlerësuar edhe ai i Kujtim Veselit, djaloshit 11-vjeçar nga Fushë-Kosova, i cili ishte vrarë pas disa rasteve të abuzimit seksual ndaj tij.

Përfaqësuesit ligjorë të familjes Veseli kanë kritikuar Policinë dhe institucionet e tjera relevante për neglizhencë ndaj rastit të Kujtimit, duke thënë se vdekja e tij do të mund të parandalohej po të kishte reagim ndaj rastit.

E reagim, sipas tyre, nuk pati për arsye të vetme që Kujtimi ishte djalosh rom, i paprivilegjuar.

Leutrim Gashi nga Betimi për Drejtësi më shqetësuese në situatën e Kujtim Veselit e sheh se nuk pati asnjë sanksionim për personat që dështuan ta mbrojnë atë.

“Përpos që mund të ketë elemente të diskriminimit racor nga institucionet e drejtësisë, mund të thuhet se shteti ka dështuar të mbrojë një qytetar të vet sepse nuk i ka ofruar mbrojtje kur është dashtë t’i ofroj. Në këtë rast ka pasur reagim shoqëror dhe avokati i popullit ka nxjerrë konkludim se institucionet kanë dështuar t’i japin mbrojtje një qytetari”.

“Më shqetësuese është se nuk ka pasur një reagim dhe sanksionim për personat përgjegjës që kanë dështuar në mbrojtje të Kujtimit”, përfundoi ai.

Por nuk është gjithçka vetëm zi.

Që kosovarët dinë të tregojnë respekt ndaj kulturave të huaja, e dëshmoi rasti i para një viti kur në Kosovë vinte kombëtarja angleze e futbollit për të luajtur kundër Kosovës.

Para se ekipi të arrinte në Kosovë, qytetarët ishin përkujdesur që ta prisnin në mënyrën më të respektueshme të mundshme.

Rrjedhimisht qyteti ishte mbushur me fotografi, pankarta e slogane në të cilat shkruante “mirë se vini vëllezër”.

 

20:30

Nxënësit e komuniteteve ndahen në klasë të veçanta

Racizmi është i shprehur edhe nëpër disa shkolla të vendit, sidomos në komunat e banuara me shumicë serbe.

Në shkollën “Branko Radiçeviq” në Mitrovicën e Veriut, nxënësit e komunitetit rom egjiptian e ashkali, janë të ndarë në klasa të veçanta nga ai serb.

Këtë e kishte konfirmuar edhe drejtoresha e këtij institucioni, duke mos dashur që të deklarohet më shumë, raporton KOHA.

Organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve thonë se kjo dukuri është e pranishme edhe në komunat me shumicë shqiptare.

Samir Shahini nga "Teach for Kosova", ka thënë se një nga problemet më të mëdha të racizmit është ndarja në klasa dhe shkolla të veçanta.

“Një nga problemet më të mëdha është ndarja në klasë dhe në shkolla nga komunitetet serbe. Më e shfaqur është nga komunat ku shumicë janë serbët si Graçanicë, Mitrovicë e Veriut. Në këto lokacione kemi organizime të mësimit në klasa për nxënësit rom, të ndarë nga ata serb. Raste ekstreme në përdorimin e kurrikulës të veçantë për nxënësit në Mitrovicë të Veriut”, ka deklaruar ai.

Ai thotë se racizmi është i shprehur edhe në fusha të tjera.

Se racizmi fillon qysh në bankat shkollore e thotë edhe deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian në Kosovë, Veton Berisha.

Berisha ka thënë se prindërit dhe mësimdhënësit duhet të punojnë me fëmijët që kjo dukuri të mos jetë e pranishme më në shoqërinë kosovare.

Ai tutje ka thënë se çdo person në shoqëri ka rolin e tij dhe duhet të jetë pjesë e shoqërisë.

“Që nga shkolla fillore, çdo person ka rolin e vet dhe duhet të edukohet në shoqëri. Unë bëjë thirrje që të na respektojnë si njerëz ashtu siç jemi”, ka deklaruar Berisha.

Berisha mes tjerash tha se me komente raciste është ballafaquar edhe në rrjetin social Facebook, kur kishte propozuar që për president të vendit të jetë dikush nga komuniteti që ai vjen.

Ai shton se këto komunitete diskriminohen edhe nga institucionet e vendit.

 

20:21

Ballafaqimi i Bajram Ilazit me racizmin nisi në shkollë të mesme

Me diskriminimin racor ishte ballafaquar për të parën herë në shkollën e mesme.

Bajram Ilazi, që është aktivist për të drejtat e komuniteteve, thotë se me racizmin ishte përballur me të dalë nga vendlindja e tij, Shtimja.

Fillimisht nga shokët e klasës e më pastaj edhe nga vetë mësimdhënësit, raporton KOHA.

“Momentin që kam dalë nga fshati im e kam kuptuar se çka është racizmi dhe diskriminimi. Ka qenë në ditën e parë ku disa nxënës kanë thënë nuk e di a kemi ‘magjup’ në klasën tonë dhe jam skuqë”, ka thënë Bajram Ilazi.

Ai thotë se racizmi është prezent edhe në institucionet më të larta të vendit.

Këtë e ka përjetuar edhe në universitet.

“Jam ndier keq kur gjatë studimeve universitare profesori që duhet të jetë model, ka përdorur termin ‘magjup’. Madje ka pasur rast kur profesori e ka marrë ID-në time dhe ka thënë pse ju Bajramat jeni kaq të zi’”, ka shtuar ai.

Edhe punësimi është sfidë për këto komunitete.

Por, këtë fenomen Ilazi thotë se fatmirësisht e lufton edhe komuniteti shumicë, sidomos aktivistët për të drejtat e njeriut.

“Kushtetuta dhe ligjet kanë masa afirmative për komunitetet, por nëse shohim punësimet, vërejmë se ende ekziston diskriminim qoftë në punësim dhe çështje të tjera”, ka shtuar Ilazi.

Megjithatë, sipas tij, institucionet e vendit komunitetin serb e favorizojnë më shumë, duke i neglizhuar komunitetet e tjera.