Arbëri

Emërimet e Hashim Thaçit nëpër misione do të shqyrtohen nga Vjosa Osmani

Dekretet e dyshimta të ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me disa emërime nëpër misione diplomatike e konsullore, do të shqyrtohen nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Një nga vendimet e fundit të ish-presidentit Thaçi, para se të japë dorëheqje, ka qenë dekretimi i Gazmend Krasniqit, konsull i përgjithshëm në Frankfurt. Krasniqi ka punuar si shef i protokollit në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli (PDK), partia e të cilit tani është në opozitë.

Mbështetur në dokumentin që ka siguruar KOHA, Krasniqi është dekretuar më datë 29 tetor derisa Thaçi u dorëhoq më 5 nëntor, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

“1. Z. Gazmend Krasniqi, emërohet Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, me seli në Frankfurt. 2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij dekreti në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në dekret.

Por, Krasniqi nuk ka filluar punën. Në faqen zyrtare të MPJD-së vazhdon të figurojë konsullja e përgjithshme, Fatmire Musliu, e cila ka vendim për kthim në Prishtinë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka sqaruar bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e këtij emërimi.

Por, Zyra e Presidencës ka paralajmëruar shqyrtim të dokumentacionit për të shikuar nëse janë përfillur procedurat ligjore.

Këshilltari për media i ushtrueses së detyrës së presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se pas kërkesës për sqarime, Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare ka treguar rrjedhën e këtij emërimi. Mbështetur në ato që ka ofruar departamenti, shkresa është pranuar më 28 tetor, e një ditë më vonë dekreti është firmosur nga Thaçi.

“Ky departament na ka informuar si vijon: ‘Më 28.10.2020, në Zyrën e Presidentit është pranuar shkresa nga Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku është rekomanduar z. Gazmend Krasniqi, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, me seli në Frankfurt. Më 29.10.2020, në mbështetje të nenit 84 pikat (4, 10 dhe 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës..., është nxjerrë Dekreti për emërimin e z. Gazmend Krasniqi, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, me seli në Frankfurt”, ka thënë Kupina. “Kabineti i u.d. presidentes është duke e shqyrtuar gjithë dokumentacionin dhe do ta shohim nëse janë përfillur procedurat ligjore me rastin e këtij emërimi”.

Dekrete në kundërshtim me rekomandimin e Ministrisë së Jashtme

Përveç këtij emërimi, Presidenca ka paralajmëruar shqyrtim edhe të dekreteve të tjera.

Në kundërshtim me ligjin dhe rekomandimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Thaçi ia ka vazhduar në shtator të këtij viti mandatin konsullit të përgjithshëm në Tiranë, Halim Krasniqi.

KOHA ka siguruar shkresën nëpërmjet së cilës ministrja Meliza Haradinaj i ka kërkuar presidentit ta tërheqë nga misioni Krasniqin.

“... Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për arsye të përfundimit të mandatit, propozoj lirimin nga detyra të z. Halim Krasniqi, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Tiranë, në Republikën e Shqipërisë”, shkruan në letrën e ministres Haradinaj dërguar ish-presidentit Thaçi.

Vendimi për tërheqjen e Krasniqit ishte marrë qysh më 30 mars të këtij viti nga ish-ministri Glauk Konjufca. Por, Thaçi sikurse edhe shumë vendime të tjera ka refuzuar t’i dekretojë gjatë kohës së Konjufcës. Njëjtë ka vepruar edhe pas ardhjes së Meliza Haradinajt në krye të Ministrisë.

Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, emërimi i konsujve të përgjithshëm bëhet me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës, pas rekomandimit të ministrit të Punëve të Jashtme. Në rastin e Krasniqit, ky rekomandim ka munguar.

Mbështetur në ligj, të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të shërbimit të jashtëm, shërbejnë vetëm për një mandat dhe pas përfundimit të tij, Ministria nuk ka obligim ndaj tyre.

“Të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit, që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thotë neni 7.8.

Bekim Kupina nga Zyra e Presidencës ka thënë se për këtë rast do të merret një vendim ditët në vijim.

“Më 04.09.2020, Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati z. Hashim Thaçi, ka nxjerrë Dekret, ku z. Halim Krasniqi riemërohet Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në Tiranë, Republika e Shqipërisë. Lidhur më këtë, Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati, z. Hashim Thaçi, në diskrecion të tij ka vlerësuar që z. Krasniqi të mos lirohet nga detyra, por të riemërohet edhe për një mandat”, ka deklaruar Kupina. “Rrjedhimisht, u.d. presidentja Osmani duke marrë për bazë faktet e prezantuara nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, pas analizës së tyre do ta marrë një vendim në ditët në vijim”.

Në përfundim të mandatit të parë, Krasniqi ishte denoncuar nga një punonjëse e Konsullatës për sulm fizik brenda objektit ku ndodhet edhe Ambasada e Kosovës në Tiranë.

Derisa MPJD-ja nuk ka ofruar sqarime se cili ka qenë epilogu i këtij rasti, KOHA ka raportuar se Komisioni për Grada dhe Disiplinë e ka mbyllur çështjen nën arsyen se ata nuk mund ta luajnë rolin e Gjykatës. Një padi nga ish-punonjësja e Konsullatës është ngritur edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Krasniqi ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Tiranë më 26 prill të vitit 2016, nëpërmjet një dekreti të firmosur nga Hashim Thaçi, të njëjtin muaj kur ky i fundit ishte inauguruar president i vendit. Dekreti kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, pavarësisht faktit se atëkohë nuk kishte konsullatë të formuar, ndërsa Krasniqi kishte vepruar në kuadër të Ambasadës.