Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve- KOMF, ka kërkuar nga Qeveria miratimin e menjëhershëm të Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal.
Përmes një komunikate për media, KOMF ka kërkuar krijimin e grantit specifik për shërbime sociale përmes miratimit të këtij projektligji.
“Ky Projektligj ka mbetur pezull prej muajsh tashmë, dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë në drejtim të miratimit të tij. Me hyrjen në fuqi të këtij Projekt Ligji, pritet të fillojë edhe implementimi i Grantit Specifik për Shërbime Sociale, i cili do të sigurojë një minimum të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër në vitin 2019 sipas KOMF-it nga gjithsej 466.7 milionë euro që ishte buxheti total i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesa dërrmuese është ndarë për skema dhe transfere. E që sipas tyre, për shërbime sociale, ministria ka ndarë vetëm 3 milionë Euro apo vetëm 1 për qind të buxhetit të saj. Kjo shumë sipas KOMF-it është e pamjaftueshme për të adresuar dhe mbuluar nevojat e grupeve të cenueshme në vend.
“Për më tepër, kujtojmë se gjendja aktuale e shërbimeve sociale është rënduar edhe më shumë si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë të cenueshëm kanë mbetur pa shërbime. Në mungesë të financimit, shumë prej ofruesve të shërbimeve sociale janë mbyllur ose rrezikojnë të mbyllin shërbimet e tyre”, thuhet tutje në njoftim.