Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Express Intervistën në KTV, ka thënë se kanë marrë shkresë zyrtare që javën e ardhshme të fillojnë gërmimet në Kizhevak të Serbisë. Ai tha se ekipi kosovar punues është i gatshëm menjëherë të filloj punën.
“Kryetari i grupit punues më njoftoi se ka ardhur shkresa përmes Kryqit të Kuq, sepse ky është komunikimi jonë me palën serbe, që janë duke i kryer punët logjistike dhe po përgatitemi të fillojmë gërmimet javën e ardhshme. Do montohen tenda, kontinerë, të bartet rryma, pra logjistika po kryehet në Kizhevak”, tha ai.
"Gjykatësi në Serbi ka marrë vendim që të jemi për procesin e monitorimit në Kizhevak, na ka njoftuar se kanë filluar me punët e logjistikës dhe terrenit dhe nga java tjetër do jemi në Kizhevak", sqaroi ai.
Ndërkaq, ka shtuar se për koston e gërmimeve atje, çdo gjë që bëhet në anën e Serbisë kryhet nga Serbia, ndërsa ato në territorin e Kosovës bëhet nga pala kosovare.
Gërxhaliu ka thënë se pandemia COVID-19 dhe moti i keq këtë kohë po ndikon negativisht në gërmimet e varrezave.
“Pandemia ka qenë një problem sepse 3-4 ditë para pandemisë kemi qenë në Serbi dhe kemi vizituar Kizhevakun. Pandemia ka ndikuar shumë, jemi vonuar dhe kushtet janë armiku jonë kryesor. Është një armik i madh i yni, që në aspekt profesional do të ishte më mirë të shtyhej por ne do të vazhdojmë. Do konservohen ato gjëra dhe do jenë në mbrojtje të policisë dhe pastaj dorëzohen tek ne”, tha ai.
Ai ka thënë se në Kosovë spektri politik ka nevojë për bashkëpunim për të marrë vendime të përbashkëta, ndërsa shtoi se rezolutat apo çdo hap që merret për të pagjeturit në Kuvendin e Kosovës, është pozitive.
“Ne kemi nevojë për mbështetje dhe shtyrje përpara. Kemi mundur të punojmë më shumë. Në aspektin politik të rezolutave është çështje e tyre, por çdo gjë që merret në këtë aspekt është e mirëseardhur”, tha ai.
Më 16 nëntor ishin gjetur mbetje mortore në Kizhevak, që dyshohen të jenë të shqiptarëve të Kosovës.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë në një komunikatë sot, tha se mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët e EULEX-it, të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur. Gjithashtu, EULEX-i sqaroi se ekspertët e saj kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020, siç thuhet në komunikatë, ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.