1 perditesime
19:30

MEA dhe ZRRE thonë se vepruan në bazë të ligjit me “Kelkos”-in

Lëshimi i lejeve të ndara për dy nga tri hidrocentralet e “Kelkos”-it në Grykën e Deçanit, derisa ky projekt ishte paraqitur si një kaskadë me një pëlqim mjedisor, ka përplasur deputetët me zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe ZRRE-së.

Në mbledhjen e Komisionit hetimor parlamentar mbi procesin e licencimit të hidrocentraleve, deputetët kanë kërkuar sqarime se si për dy javë “Kelkos”-it iu dha leja mjedisore dhe ajo e operimit.

“Neve na është thënë që ‘Kelkosi’ nuk i ka përmbushur kushtet, dhe tani vijmë në një moment të ri ku të gjitha procedurat teknike duket se janë plotësuar dhe dy nga operatorët janë licencuar dhe për mua është me rëndësi të di se si u plotësuan kushtet për dy javë”, ka thënë kryetarja e komisionit Eliza Hoxha.

Janë ngritur edhe dyshime për presion, për lëshimin e lejes mjedisore.

“Me të vërtetë është e habitshme se si janë sjellë këto leje mjedisore, me kaq nguti të mëdha, por po mundohemi me ju arsyetua se nuk i keni shkelur. Neve duet të na sqarohet se a ka pasur ndonjë presion nga ndonjë ambasadë e huaj”, ka thënë deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Por, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka mohuar se ka pasur presion ose që i ka bërë dikujt presion për ta lëshuar lejen.

Dek 3: Blerim Kuçi, Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit

“Procesi nënshkruhet nga sekretari dhe ministri nuk nënshkruan në këtë dokumentacion. Unë nuk i ik përgjegjësisë si ministër, sepse kompetencat e mia janë të përcaktuara me ligj dhe në këtë proces nuk ka pasur asnjë indikacion që ka pasur shkelje në këtë proces, sepse përndryshe do t’i ftoja në raportim”, ka thënë ai.

Deputetët kanë pyetur se a është dhënë licenca për hidrocentrale bazuar në ligjin për ujëra, pasi sipas tyre, ky ligj parasheh që kjo bëhet me koncesion.

Vlerësimet e Komisionit për lëshimin e lejeve se zona është rehabilituar janë kritikuar nga deputetët, duke thënë se gjendja në atë pjesë është e papranueshme.

Por, Kuçi dhe sekretari i ministrisë që ai udhëheq, kanë thënë se dëmet më të mëdha janë bërë në pjesën e hidrocentralit “Lumëbardhi 2” dhe për atë nuk është lëshuar leja për të.

“Kompania ‘KelKos’ ka hequr dorë nga ndërtimi i digës në hidrocentralin ‘Lumëbardhi 2’ dhe për të njëjtën arsye ky hidrocentral nuk e ka marrë lejen mjedisore. Ministria tashmë është duke pritur një përgjigje nga kompania rreth një zgjidhjeje tjetër, në mënyrë që të pajiset me leje mjedisore”, ka thënë sekretari i MEA-s, Fatos Qerimi.

Ndërsa, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Arsim Janova, ka thënë se vendimet janë në përputhje me ligjin. Por, deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se resurset ujore nuk mund të përdoren nëse ato cenojnë të drejtën e banorëve që kanë të drejtë shfrytëzimi.

12:02

Deputetët ngrenë dyshime se si u lëshuan lejet mjedisore për Kelkos

Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës po bën intervistimin e dëshmitarëve, lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”: Blerim Kuçi, ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Fatos Qerimi, sekretar i përgjithshëm; Arsim Janova, kryesues i Bordit dhe Petrit Pepaj, drejtor menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe Arben Çitaku, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë se ka tri leje ujore, por rasti më i ndjeshëm siç është ai Lumbardhi 2, nuk ka leje mjedisore. Ka thënë se nuk ka bërë asnjë presion tek askush dhe se lëshimi i lejeve nuk është në kompetencë të ministrit.

"Të gjitha lejet dhe aktet që janë lëshuar janë bërë publike. Të gjithë materialin ju tashmë e keni në dispozicion. Kemi qenë transparent. Jemi të vetëdijshëm që po hetohet nga komisioni hetimore. Edhe jemi të vetëdijshëm që prokuroria është duke hetuar", ka thënë ai.

Ndërsa kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Arsim Janova, ka thënë se vendimi është marrë pasi pala ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Ai ka thënë se besojnë se veprimet e tyre janë në përputhje me ligjin.

Deputeti Avdyl Haxhiu ka shprehur dyshimet se si për dy javë janë plotësuar kriteret. Ai ka hedhur dyshime edhe në deklaratat e komisionit për lëshim të lejeve që ka lëshuar licenca që ka vleresuar se zona është rehabilituar. Sipas tij, gjendja në terren flet ndryshe.

Deputetja Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kush mund të bind atë se gjendja është e mirë atje kur, siç tha ajo, ka parë masakrimin në atë zonë.

"Gjendja në Grykën e Deçanit është e papranueshme dhe ju i keni lëshuar leje mjedisore përkundër kësaj", ka thënë Gaxherri. “Do te duhej që të shkoni atje ju ministër dhe të shihni gjendjen, e mos të lejoni që të nënshkruante sekretari këtë leje. Leje mjedisore me ju dhënë, e me pa atë mjedis, është e papranueshme dhe për këtë duhet të jap përgjegjësi”, ka thënë ajo.

Edhe deputeti Artan Abrashi nga Vetëvendosje ka pyetur se mbi çfarë baze e ka fituar kompania Kelkos të drejtën e shfrytëzimit të ujit, që është pasuri shtetërore. Sipas tij, Ligji për ujëra parasheh që kjo të bëhet me koncesion.

Deputeti Bajrush Xhemajli ka thënë se në atë pjesë ku është thënë leja ka rrëshqitur bjeshka dhe përkundër kësaj është dhënë leja.