7 perditesime
19:47

Opozita akuzon Qeverinë për keqmenaxhim të situatës me COVID-19

Kritika të shumta kanë shkuar në adresë të Qeverisë nga deputetë lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, ndonëse pak anëtarë të Ekzekutivit ishin pjesë e seancës të së martës.

Në kohën kur vlerësohet se numri i rasteve pozitive me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë, opozita e ka quajtur gjendjen alarmante.

Për këtë, partitë opozitare kanë akuzuar Qeverinë për paaftësi dhe joseriozitet në përballje me pandeminë.

“Barrën më të madhe e kanë hedhur te qytetarët dhe te ta llogaritet të barten edhe dëmet financiare. Jemi në një krizë të shumanshme, situata është krejtësisht jashtë kontrollit. Askush nuk e di se si do t’i kalojmë tre muajt e ardhshëm të dimrit, cili është plani? A do të vijohet me orarin e kufizimit dhe karantinën?” - tha deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci. 

“Pandemia lëre që nuk u menaxhua si duhet por u shfrytëzua që pushtetarët e rinj të bëjnë biznes, të zhvatin buxhetin e shtetit për vete, ndërsa bizneset tjera u mbyllen të gjitha për pothuajse tre muaj nga pushtetarët e rinj të LDK-së e LVV-së që u pasuruan gjatë pandemisë", deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. 

Kritikave u është përgjigjur ministri Armend Zemaj, i cili ka thënë se në këtë situatë partitë duhet të bëhen bashkë. Zemaj ka shtuar se nuk do të ketë mbyllje të tërësishme të vendit, por zbatim të masave.

“Për këta 5 muaj ka dyfishim të numrit të shtretërve, janë njëzetfishuar testimet, janë trefishuar aparaturat për të gjitha shërbimet, janë dhjetëfishuar aparaturat për testime dhe çka është më e rëndësishme nuk do të ketë më mjekë të papunë në Kosovë", deklaroi ministri i Shëndetësisë, Zemaj. 

Por me kritikat e opozitarëve nuk janë pajtuar deputetët e partive në pushtet.

“Megjithatë Kosova me një sistem shëndetësor tejet të rënduar ne duhet t’ia pranojmë sukseset njëri-tjetrit, në këtë rast ministrit Zemaj që ka mundur të fusë në kontroll pandeminë COVID-19”, tha Besa Gaxherri e LDK-së. 

“Sot mund të kërkojmë llogari nga institucionet përgjegjëse edhe nga ministri Zemaj, por para se ta bëjmë këtë duhet ta qartësojmë një fakt. Tani e sa kohë e kemi në pritje Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të cilin nuk po arrijmë ta miratojmë në mungesë të deputetëve në sallë”, tha Albena Reshitaj e AAK-së.

Si shqetësim në seancë është përmendur edhe terapia e shtrenjtë që qytetarët duhet të paguajnë për të trajtuar koronavirusin.

Gjatë debatit është folur edhe për dëmet ekonomike që ka shkaktuar pandemia, por për t’i dëgjuar këto diskutime nuk ishte prezent ministri i këtij dikasteri, Blerim Kuçi.

18:24

​Ismaili-deputetëve: Duhet të reflektoni, fati i ushtarëve të UÇK-së s’është individual

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili i ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të reflektojnë dhe të kuptojnë se fati i ushtarëve të UÇK-së nuk është fati i tyre individual, por bërthama e përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Ai në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se në peshoren e drejtësie nuk janë emrat e përveçëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, por i tërë vendi dhe historia e tij.

“Ne si deputetë duhet të reflektojmë dhe të kuptojmë drejtë se fati i ushtarëve të UÇK-së nuk është fati i tyre individual, por është bërthama e përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtet. Në peshoren e drejtësisë sot nuk janë duke u vënë emrat e përveçshëm, por aty është Kosova dhe historia e saj e lavdishme. Ata kanë sakrifikuar aq shumë duke i dalë edhe vdekjes përballë për liri dhe pavarësi. Jam i bindur se edhe në këtë temë do të dalin faqebardhë dhe krenar duke mbrojtur edhe një herë Kosovën. Natyrisht kam edhe një dilemë se a do të jemi në gjendjen si shtet dhe përgjegjësinë që kemi të gjithë ne për të mbrojtur historinë dhe UÇK-në”, tha ai.

Këtë qëndrim, Ismaili e dha gjatë seancës plenare ku po debatohet për menaxhimin me pandeminë Covid-19.

Për këtë të fundit tha se Qeveria i ka lënë pacientët e infektuar me Covid në mëshirë të fatit.

“Janë shpenzime shumë të larta për familjet që nuk po munden me i përballu, e keni fondin e sigurimeve shëndetësore folni me qeverinë, krijoni një limit të themi që një person mund t’i shpenzojë deri 150 euro dhe të sjell faturat. E keni atë mundësi për të bërë rimburësimin dhe me iu gjet pacientëve edhe në aspektin financiar”, tha ai.

16:06

Zemaj: Brenda disa ditëve do të arrijnë 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal

Ministri Armend Zemaj ka bërë të ditur se brenda disa ditësh do të mbërrijnë në Kosovë 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal.

“Sa i përket vaksinës për gripin sezonal përmes blerjes përmes UNICEF-it i kemi siguruar deri më tani 160 mijë e 500 vaksina të gripit sezonal, që paraqet rritje prej 60 për qind krahasuar me sasistë e këtyre vaksinave nga viti i kaluar. Vaksinat janë blerë nga ministria e Shëndetësisë ndërsa UNICEF ka kryer pjesën e prokurimit dhe pjesën logjistike. Vaksinat janë katër valente që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë. Pjesa shtesë do të sigurohen edhe 55 mijë e 500 vaksina të së njëjtës cilësi. Vaksinat sipas njoftimet zyrtare nga UNICEF do të arrijnë në Kosovë brenda ditësh dhe do të shpërndahen brenda muajit nëntor”.


Zemaj siguron qytetarët: Kemi teste të mjaftueshme

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka siguruar qytetarët se nuk ka vend për shqetësim dhe se ka numër të mjaftueshëm të testeve edhe në kohën kur brenda 24 orëve në Kosovë po kryhen 1 mijë e 500 teste për koronavirus.

Zemaj në debatin parlamentar mbi menaxhimin e COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, tha se që nga dita e parë e pandemisë e deri më 4 qershor janë kryer 15 mijë e 880 testime, ndërsa nga 4 qershori e deri më 16 nëntor janë kryer 104 mijë 640 testime.

“Në IKSHPK, Departamenti i Mikrobiologjisë, gjenden 125 teste në stok, 100 mijë teste janë marrë me një pajisje donacion, vetëm 600 mijë teste janë blerë prej që unë jam ministër i Shëndetësisë dhe 6 pajisje janë blerë nga projekti i huamarrjes nga Banka Botërore, të cilat kanë ardhur dhe tash janë në vlerësim apo evaluim të përgatitjes për të hyrë në proces të testimeve në 6 qendrat rajonale të IKSHPK-së. Na duhen përgatitje, disa qendra janë të gatshme, disa të tjera janë në përgatitje dhe varet edhe nga kapacitetet humane. Me këto teste aktuale, me këtë intensitet që është mesatarja tash 1 mijë e 500 në ditë, kemi testime të mjaftueshme, përkundër kësaj Departamenti i mikrobiologjisë ka bërë kërkesën edhe për 300 mijë teste, të cilat duhet t’i sigurojmë. Pas ardhjes së aparaturave, tri në IKSHPK dhe një në Graçanicë, është shtuar sigurisht ky numri i testimeve dhe shtimi i gjurmimit në terren, si dhe rritja e kërkesës nga spitalet, QKMF-të për testime, të cilat tanimë janë duke ndodhur”, tha Zemaj.

15:01

Zemaj: Nuk e mendojmë mbylljen e tërësishme të vendit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nuk e kanë menduar mbylljen e tërësishme të vendit, siç ka ndodhur më parë, në kuadër të masave anti-Covid.

Ai ka thënë se duhet të punohet me front të përbashkët pozitë-opozitë e të mos politizohet situata,

“Prioriteti im është që virusit t’ia bëjmë të pamundshme ekzistencën në vendin tonë. Qeveria Hoti nuk qeverisë me logjikën e përjashtimit dhe asnjëherë nuk e mendojmë mbylljen e tërësishme si më parë. Nuk guxojmë te ndalim jetën me mbyllje, jo biznese të mbyllura por të hapur me zbatim rigoroz të masave”, ka thënë ai.

Zemaj tutje ka thënë se ashpërsimi i masave do të bëhet saherë që e kërkon situata. Ai ka thënë se do të jenë të hapur në zbatim e masave.

“Menaxhimi i pandemisë me qytetarët e mbyllur është shumë i lehtë, me pak raste dhe me shumë efektivitet formal, por nuk mund të kthehemi në pikën zero. Do të jemi të hapur me zbatim të masave. Tash është koha e dukur për zbatimin e masave, ashpërsimi i tyre do të ndërmerret sa herë që kërkon situata. Shtimi i testeve shton edhe numrin e rasteve pozitive. Ne do t’i shtojnë testimet dhe sikurse në gjithë botën shumë teste prodhojnë shumë raste pozitive”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për numrin e madh të punonjësve të institucioneve shtetërore të infektuar me COVID-19, ministri Armend Zemaj ka thënë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e mosdisiplinës së tyre.

“Mos t’i mbushim spitalet, e dini sa shumë zyrtarë publikë, njerëz të institucioneve qendrore dhe lokale kanë rezultuar pozitivë, nuk e di nga moskujdesi, nga respektimi i masave por përgjigja është nga mos disiplina”, ka thënë ai.

14:53

Reshitaj kritikon deputetët për mosvotimin e Projektligjit për rimëkëmbje

Albena Reshitaj nga AAK ka kërkuar nga partitë politike që të lënë anash politikën dhe të bashkohen përballë pandemisë.

Ajo ka kritikuar deputetët që akoma nuk kanë miratuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Sot mund të kërkojmë llogari nga institucionet përgjegjëse edhe nga ministri Zemaj, por para se ta bëjmë këtë duhet ta qartësojmë një fakt. Tani e sa kohë e kemi në pritje projektligjin për rimëkëmbje ekonomike të cilin nuk po arrijmë ta miratojmë në mungesë të deputetëve në sallë. Si mund të flasim për masa mbrojtëse kur ne vet nuk po krijojmë mundësi e lehtësi ligjore për qytetarët dhe bizneset që të përballojnë më lehtë këtë gjendje”, ka thënë ajo.

14:41

Haxhiu: Qeveria Kurti e Hoti e shfrytëzuan pandeminë për t’u pasuruar

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka akuzuar qeverinë e kaluar Kurti dhe ekzekutivin aktual Hoti se kanë shfrytëzuar pandeminë për t’u pasuruar. Haxhiu ka thënë se dy qeveritë nuk kanë arritur ta menaxhojnë pandeminë, pasi sipas tij, nuk janë shfrytëzuar kapacitetet për rritjen e numrit të testimeve të qytetarëve.

“Mund të flasim sot për zbutjen e pasojave që janë shkaktuar nga keqmenaxhimi i pandemisë nga të dyja qeveritë. Pandemia lëre që nuk u menaxhua si duhet por u shfrytëzua që pushtetarët e rinj të bëjnë biznes, të zhvatin buxhetin e shtetit për vete, ndërsa bizneset tjera u mbyllen të gjitha për pothuajse tre muaj nga pushtetarët e rinj të LDK-së e LVV-së që u pasuruan gjatë pandemisë. Qytetarët po kërkojnë përgjigje nga dy qeveritë pse e kemi numrin më të ulët të testimeve. Pse janë dashur 6 muaj që Kosova t’i bëjë mbi 500 teste. Prej fillimit u kemi thënë se Kosova ka kapacitete të bëjë prej 700 deri në 1 mijë teste në 24 orë. Këto kapacitete nuk janë shfrytëzuar dhe për këtë pandemia nuk ka mundur të menaxhohet dhe kontrollohet dhe përgjegjës për këtë janë dy qeveritë”, ka thënë ai.

Haxhiu ka shtuar se mënyra e vetëm për ta futur pandeminë nën kontrolle është ndryshimi i formës së testimeve duke kaluar në testime grupore dhe familjare.

13:52

Nagavci: Situata me COVID-19 në Kosovë është alarmante

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se situata me COVID-19 në Kosovë është alarmante.

Ajo ka thënë se situata në bizneset e vogla dhe bizneset familjare është jashtë vëmendjes së Qeverisë.

Nagavci ka thënë se masat e marra nga korriku e deri tash nuk garantojnë siguri, duke shtuar se logjika me të cilën është duke u qeverisur është hedhur në barrën e qytetarëve.

“Askush nuk e din se si do të kalojnë tre muajt e ardhshëm, cili është plani, a do të vijohet me orarin e karantinës, a pritet që të ketë paketë të re për ndihmë ndaj qytetarëve. si do të vijohet me pagesat e qirave, kush do të kujdeset për fëmijët kur mbyllen shkollat e kopshtet. Shifrat po tregojnë se masat nuk janë efektive”, ka thënë ajo.

Sipas saj sjellja e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj kësaj situate është joserioze.

Nagavci ka shtuar se Qeveria ka krijuar paqartësi me masat e shumta të ndërmarra.

Fatmire Kollçaku – Mulhaxha në emër të grupit parlamentar të LVV-së ka deklaruar se shteti është bërë policor por jo parandalues i përhapjes së pandemisë.

Kollçaku – Mulhaxha ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj se nuk është duke u konsultuar sa duhet me inspektorët sanitarë dhe ata shëndetësorë.

“Sot duhet me u interesu për qytetarët e policët se sa po kanë ata pajisje mbrojtëse, çfarë po bëhet për mjetet mbrojtëse të mësimdhënësve e nxënësve. Çfarë po ndodhë me masat mbrojtëse të shërbyesve civilë”, ka thënë ajo.

Deputetja Kollçaku – Mulhaxha ka pyetur se “çfarë po ndodhë me rimbursimin e terapive të personave të prekur nga sëmundja infektive”.

“Në Prishtinë është caktuar vetëm një qendër në ‘Emshir’. Si mund të mbulohet i tërë kryeqyteti vetëm me një qendër? Sot beteja më e madhe është me gjet një infermier për të ta dhënë terapinë në shtëpi. Çka po bëjmë ne për t’i mbështetur punëtorët shëndetësorë. Shuma e mbështetjes duhet të jetë e barabartë për të gjithë, deri tekniku. Me qindra orë shtesë nuk po paguhen për punonjësit që janë të vijë të frontit”, ka thënë ajo.

Kurse Ekrem Hyseni nga LDK ka thënë se duhet të ndërmerren masa për ta kontrolluar pandeminë, por sipas tij, duhet të mendohet edhe për situatën e ekonomisë.

“Sot shoqëria, populli dhe institucionet duhet t’i marrin përgjegjësitë e veta dhe nga kjo betejë të dalim fitues. Duhet të jemi vigjilent për të respektuar masat që janë vendosur për ta pasur situatën në kontrolle. Pro masave që e vënë në kontroll pandeminë. Përkundër nevojës për masa duhet të ruhet edhe ekonomia. Duhet edhe shëndetin e ekonomisë ta ruajmë dhe të bëjmë gjithçka që ky shëndet të funksionojë dhe të na mbajë neve”, ka thënë ai.

13:44

Nis seanca, debatohet për gjendjen me COVID-19

Ka nisur seanca në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet debat parlamentar në lidhje me gjendjen pandemike në vend dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 nga ana Qeverisë.

Seanca ishte paraparë të fillonte nga ora 13:00.

Debati mbi gjendjen me koronavirus mbahet në kohën kur Kosova po përballet me numër të shtuar të rasteve të infektimit dhe në kohën kur janë marrë masa shtesë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.