Arbëri

Vulin përdor termin “shiptari”, Kamberi e quan njeri pa dinjitet

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka quajtur njeri pa dinjitet ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, pasi ky po vazhdon ta përdorë termin pezhorativ “shiptari” për shqiptarët.

Në një postim në Facebook, Kamberi ka thënë se me këtë veprim, Vulini s’po respekton as shtetin e tij.

“Problemi nuk është se po ndjehem i ofenduar si shtetas i përkatësisë kombëtare shqiptare. Sepse nuk mund të ndjehesh i ofenduar nga dikush që nuk ka dinjitet. Problemi është se z.Vulin tregon se nuk e respekton vetë shtetin e Serbisë dhe ligjet e saj. I kujtojmë z.Vulin se të gjitha dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë emërtojnë shqiptarët si ‘Albanci’. Paramendoni, Ministri i Brendshëm që nuk i përfill ligjet e shtetit, terminologjinë zyrtare. Prandaj, z.Vulin është sot një nga simbolikat më të mira se ku është katandisur Serbia së sotme”, ka thënë Kamberi.

“Pa e harruar faktin se duke e përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, z.Vulin dëshmon se nuk shqetësohet për reagimin që prodhon gjuha e tij, në përditshmërinë e qytetarëve serbë që jetojnë në mjediset e përziera me shqiptarët. Por natyrisht se z.Vulin nuk shqetësohet për fatin e Sllavicës dhe Draganit që bashkëjetojnë me shqiptarët. Ata dëshiron vetëm t’i shfrytëzojë për pushtetin e tij, duke e aktruar patriotin serbomadh nga restorantet luksoze të Beogradit”, ka vazhduar ai.