Agron Demi nga Instituti GAP ka kritikuar disa vendime të reja lidhur me masat ndaj COVID-19, marrë nga Qeveria e Kosovës.
Demi përmes një shkrimi në Facebook thotë se studimet kanë treguar se eliminimi i të gjitha masave kufizuese, është më i dëmshëm për ekonominë sesa vendosje e masave të reja. Por sipas tij, është e padrejtë mbyllja e gastronomisë e në anën tjetër, të obligohen t’i paguajnë taksat.
“Askush nuk po i kundërshton masat kufizuese ndaj Covid. Studimet kanë tregu se eliminimi i të gjitha masave kufizuese është më i dëmshëm për ekonominë se sa vendosja e masave. Por ama është e padrejtë me mbyllë gastronominë e me i obligu me i pagu taksat e plota”, shkruan Demi në Facebook.
Demi e ka quajtur të padrejtë kufizimin e kompanive të transportit, por, siç thotë ai, “regjistrimin me ua rrit së paku 26%”.
“Është e padrejtë me i emëru nga pesë zëvendësministra në një ministri, e bizneset me u detyru me largu njerëz prej punës. Është e padrejtë me i nda 22 milionë euro ma shumë për paga në sektorin publik, e me ua vonu deri në tetor ndihmat prej 170 euro për punëtor bizneseve. Është e padrejtë me buxhetu autostradë 600 milionë euro, e mos me shtu numrin e shtretërve në spitale. Është e padrejtë me siguru vota për ligjin që ndëshkon ata që shkelin masat, e mos me mujtë qe disa muaj me siguru vota për ligjin që u ndihmon bizneseve e qytetarëve”, shkroi tutje Demi.