Arbëri

MPJD merr vendim për zyrtarin e infektuar me koronavirus, pa ia lejuar argumentimin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk i është bindur vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, i cili e kishte detyruar ta shqyrtojë ankesën e drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj. Atë e kishte pezulluar nga detyra ministrja Haradinaj, duke ia ndaluar edhe qasjen në objektin e Ministrisë, shkaku i pretendimeve për tri shkelje të rënda: refuzim ndaj kërkesës së ministres për të marrë pjesë në një video-konferencë me shefa të misioneve të diplomatike; ushtrim presioni dhe dhunë fizike ndaj asistentes së ministres; dhe një status i Prenkajt në “Facebook” ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që ndërlidhej me rrëzimin e Teatrit në Tiranë.

Vendimi i ministres Haradinaj dhe një tjetër i nënshkruar nga sekretari Lulzim Morina ishin shpallur të pavlefshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Komisioni “ad hoc” për zgjedhjen e kontesteve dhe ankesave brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme për herë të dytë ka thënë se nuk ka pasur mundësi të lëshohet në shqyrtimin e ankesës. Arsyetimi është i njëjti me vendimin e parë, kur ishte refuzuar shqyrtimi i ankesës.

“Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave nuk ka pasur mundësi të lëshohet në shqyrtimin e ankesës së ankuesit Albert Prenkaj me nr. protokolli 1060 të datës 20.6.2020, pasi që institucioni duhet të veprojë sipas nenit 63 të Ligjit për Shërbyesit Civilë të Republikës së Kosovës Nr.03/L-149”, shkruan në vendimin e Komisionit, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”. Neni të cilit i referohet Komisioni përmban 6 pika, dhe nuk e specifikon në bazë të cilës prej tyre kanë vendosur rastin.

Në ankesën e Prenkajt mbi këtë vendim, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta thuhet se arsyetimi është i paqëndrueshëm në rastin konkret, “e aq më tepër kur në rastin konkret baza iniciale juridike për të nxjerrë një vendim të tillë, pa vendim i nënshkruar nga ministrja Hardinaj-Stublla dhe tjetri nga zv. sekretari i përgjithshëm, Morina, janë shpallur qartë nul juridik nga KPMSHCK”.

Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në MPJD kishte refuzuar ta shqyrtojë lëndën e Prenkajt, me arsyen se procedura është në mandatin e Qeverisë së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të vendoset nga Këshilli për Pozita të Nivelit të Lartë Drejtues. Por Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka konstatuar se pozita e drejtorit të përgjithshëm nuk hyn në listën e pozitave të kategorisë së lartë drejtuese, “sepse kjo pozitë nuk është përgjegjëse për menaxhimin e përgjithshëm administrativ të institucionit të administratës publike në shërbimin civil...”.

Prenkajt iu pamundësia ballafaqimi i argumenteve

Prenkaj pretendon se Komisioni është themeluar pa e lajmëruar atë, megjithëse paraprakisht e kishte njoftuar udhëheqësen e Divizionit të Personelit, Afërdita Krasniqi, se është identifikuar me virusin COVID-19. Po ashtu, Prenkaj thotë se e ka lajmëruar Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në lidhje me këtë infeksion, në mënyrë që të merret parasysh gjate vazhdimit të procedurës së kërkuar me vendimin e Kolegjit të KPMSHCK-së. Kjo konfirmohet edhe nëpërmjet komunikimeve që Prenkaj ka pasur me Krasniqin.

“Drejtori i Përgjithshëm, ambasadori Prenkaj, refuzon vendimin Nr. Ref. 156/2020, si të paligjshëm dhe të pamundur për t’u realizuar, meqenëse është shkelur e drejta elementare e pjesëmarrjes në panel për t’i ballafaquar argumentet, e mbi të gjitha për shkak të arsyes elementare, meqenëse KPMSHCK i shpall dy vendimet iniciale si nul juridik, që nuk ofron më asnjë bazë ligjore për marrje të vendimeve. Posaçërisht të natyrës arbitrare –autoritare dhe me tendencë jo profesionale”, shkruan në ankesë.

“Komisioni nuk mund të konvokohet pa praninë time, pra pjesëmarrjen time në takim”, ka thënë Prenkaj, teksa ka paralajmëruar se do të ngrejë aktpadi për secilin anëtar të komisionit, “për vendim arbitrar dhe të paligjshëm”. Masa ligjore ka paralajmëruar edhe ndaj Afërdita Krasniqit. Kjo e fundit e ka njoftuar Prenkajn se ka pranuar paralajmërim për inicim të procedurës disiplinore te Komisioni pranë MPJD-së, dhe se Komisioni do të merret me shqyrtimin e lëndës.

Në lidhje me rastin, gazeta ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Krasniqin, por ka munguar përgjigjja e tyre.

Përplasjes së Haradinajt me drejtorin e përgjithshëm i kanë paraprirë disa zhvillime brenda këtij dikasteri.

Në vendimin e ministres Haradinaj, i nxjerrë në korrik të këtij viti, pezullimi i Prenkajt është bërë për shkak të dyshimeve për shkelje të rënda dhe shkelje të detyrave të punës. Shkelja e rëndë, sipas vendimit, konsiston tek mosbindja e tij ndaj kërkesës së ministres që të merrte pjesë në video-konferencën me shefa të misioneve diplomatike të zhvilluar më datë 10.6.2020. Prenkaj e kishte arsyetuar mospjesëmarrjen për shkak të problemeve shëndetësore.

Sa i përket video-konferencës ai ka shtuar se nuk ka mundur ta udhëheqë për shkak të problemeve shëndetësore. Po ashtu, ministrja Haradinaj e kishte akuzuar Prenkajn se ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj asistentes së saj. Por Prenkaj i ka mohuar edhe këto, duke thënë se asistentes vetëm i ka kërkuar që t’i mundësohet një takim prej dy minutash, për t’u sqaruar.

{gallery}