7 perditesime
12:04

Krasniqi thotë se që nga dita e arrestimit nga Specialja, u trajtua si kriminel

Ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi ka thënë se që nga 4 nëntori kur edhe u arrestua, është trajtuar si kriminel nga Dhomat e Specializuara.

Ai tutje ka shtuar se krijimi i një tribunali etnik ndaj shqiptarëve ishte qëllim i Akademisë së Shkencave të Serbisë, duke shtuar se ajo u realizua.

“Unë mendoj që megjithëse akuza që ka të bëjë me mua, mendoj që ndoshta janë procedurat e dhomave të specializuara por këto procedura që janë ndjek nga mëngjesi i 4 nëntorit e deri sot, konsideroj që janë të papërshtatshme për mua, për faktin se unë ndjehem krejt i pafajshëm dhe asnjë arsye nuk ka pasur që të jem këtu.

“Ju e dini që për ish-Jugosllavinë ka qenë një tribunal dhe ka pasur të akuzuar nga Kosova, unë kam qenë dy herë dëshmitarë, e kam thënë krejt atë që kam pasur ta them, dhe po të kishte një dëshmi apo fakt unë jam i bindur se Tribunali i Hagës do të më dënonte, unë e shoh këtë si përpjekje të fundit. Në vitin 2006 Akademia e Shkencave të Serbisë e ka bërë këtë përpjekje, të ndërtojë një Tribunal për Kosovën dhe ia arriti qëllimit duke krijuar një tribunal etnik. Mua më dhemb shumë sepse është padrejtësi e madhe. Unë po i kuptoj ata njerëz që sillen kështu me mua sepse mendojnë që jam kriminel, unë jam intelektual por jam detyruar të luftojë kundër Serbisë”, ka thënë ai.

11:58

Mbrojtja kërkon lirimin me kusht të Krasniqit

Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra,  ka thënë se mbrojtja si synim ka të bëjë një depozitim për lirimin paraprak ose me kusht sa më shpejt që është e mundur.

Ajo ka kërkuar edhe që dokumentet kryesore të zyrës së Prokurorit të Specializuar t’i vihen në dispozicion Krasniqit në gjuhën e tij.

11:50

Krasniqi vetdeklarohet i pafajshëm për akuzat që e rëndojnë nga Specialja

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi ka thënë se është tepër i mllefosur dhe në atë seancë gjendet pa të drejtë

Ai ka shtuar se ndaj tij është bërë padrejtësi e madhe, ndërkaq është vetdeklaruar i pafajshëm.

“Jam këtu pa të drejtë, un duhet të jem në vendin tim dh familjen tim. Unë nuk ndjej asnjë përgjegjësi të vetme”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur se nuk ka dashur të ketë avokat, porse ka pranuar me kërkesë të familjeve.

“Unë dhe pse kam pasur një bisedë dje me avokaten dhe i kemi shikuar telegrafikisht pikat kryesore te aktakuzës, unë edhe më herët e thash dhe po e them, unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet aty”, ka thënë ai.

Krasniqi është vetdeklaruar i pafajshëm.

“Nuk kam asnjë faj të vetëm, nuk di si ta them ndryshe”, ka thënë ai.

11:50

Krasniqi nuk donte të merrte avokat mbrojtës

Pasi iu lexuan të drejtat Jakup Krasniqit nga gjykatësi i procedurës paraprake, ai u pyet nëse e ka kuptuar. Por Krasniqi tha e kupton dhe se nuk kishte dashur të merrte avokat mbrojtës, por e mori pas insistimit të familjes dhe shokëve.

“Po i kuptoj. Por, duhet të them diçka për mbrojtjen. Realisht unë fillimisht nuk kam menduar që të marrë avokat mbrojtës. Dhe atë nuk e kam marrë me vullnetin tim, as me bindjen time se më duhet avokati. Ishte dëshira e familjes dhe e shokëve që të kam avokat. Dhe e pranova. Por, përndryshe jam i bindur se nuk më duhet avokati. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem. As të veprimit e as të mosveprimit”, tha Krasniqi. “Detyra ime ka qenë publike, kryesorja ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Kam pasur detyra edhe pas lufte, kam qenë ministër, dy mandate kryetar i Kuvendit. Por, detyra që më ka fjetur më së shumti në shpirt ka qenë ajo e zëdhënësit të UÇK-së. Gjithçka që kam bërë ka qenë publike, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën gjermane, angleze, frënge e italiane. Unë kam qenë zëdhënës dhe i kam dhënë zë luftës së UÇK-së. Ka qenë tepër e vështirë, rrethana tepër të vështira. Por megjithatë ishim të vendosur që kishim të drejtë të luftojmë për liri dhe natyrisht se në saje të asaj të drejte e fituam mbështetjen ndërkombëtare, pa të cilën nuk do ta çlironim Kosovën dhe nuk do ta formonim shtetin e Republikës së Kosovës. Veprat për të cilat pretendon aktakuza asnjëra nga to nuk qëndron. Unë në vitet, muajt në vazhdim, sigurisht se do të ofrojë fakte konkrete”.

11:41

Krasniqi: E gjithë kjo maskaradë e ka adresën në Beograd

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi në seancën e parë të Speciales ka thënë se ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, ishte dhe është këmbë e krye vetëm koka e saj në Beograd, mbështetësit e politikave të Beogradit.

Ai ka thënë se “e gjithë kjo maskaradë e ka adresën në Beograd dhe te mbështetësit e politikave të saj, kudo qofshin ato”.

“Natyrisht në seancat tjera unë do të them edhe më shumë, veç nuk do ta ndjeja veten mirë të isha në shërbim të politikave të krimit dhe gjenocidit të Serbisë për të cilat edhe prokurori serb Vukçeviqi tha këto ditë, pasi është ngritur aktakuza, se ka qenë prokuror nga viti 2003, unë mendoj se adresa e qartë e krejt kësaj masakarade është në Beograd dhe te mbështetësit të politikave të saj kudo qofshin ato”, ka thënë ai.

Krasniqi tutje ka shtuar se ka qenë i dënuar nga regjimet kriminele të Jugosllavisë, në vitin 1981 dhe 82, e kjo sipas tij, pasi kishte lecuar libra dhe e kishte kundërshtuar atë regjim.

“Për mua është bërë padrejtësi e madhe dhe do ta bëjë edhe këtë padrejtësi, sepse populli e ka një fjalë thotë ‘njeri është më i fortë se guri’ dhe atë që se ban guri, e ban njeriu. Unë edhe populli im kemi bajtur shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi”, ka thënë ai.

11:34

Krasniqi: Asnjëherë s’i kam trajtuar njerëzit ashtu siç më trajtuat mua që nga dita e arrestimit

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka thënë se asnjëherë nuk i ka trajtuar njerëzit ashtu siç Dhomat e Specializuara e trajtuan atë prej ditës së arrestimit e deri në paraqitjen e sotme.

“Dua të them këtu se unë jam arrestuar më 4 nëntor në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale e përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq se si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se e ndjen vetën më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të donte të ishte në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli.

Ai ka thënë se është intelektual, njëri që politikisht e ka luftuar Serbinë dhe kurrë nuk e ka drejtuar gishtin nga popullsia civile.

“Ju në aktakuzë po mundoheni ti ndani njerëzit në katolik e mysliman, unë jam shqiptar. Cilësimi i prokurorit që ne qenkemi ndërmarrje kriminale, për mua shokët e mi dhe familjen time, nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira, u vumë në shërbim të lirisë”, ka thënë ai.

11:26

Krasniqit i lexohet aktakzua, ai thotë se e mori të korrigjuar pasi shkoi në Hagë

Jakup Krasniqit i është lexuar aktakuza me të cilën ai ngarkohet nga Dhomat e Specializuara. Gjykatësi i procedurës paraprake ia ka shpjeguar rregullat dhe po ashtu e pyeti Krasniqin nëse e ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe, të cilën e flet.

Krasniqi është përgjigjur se një pjesë të aktakuzës e ka pranuar më 4 nëntor e pastaj në Hagë i është dorëzuar një aktakuzë, për të cilën thotë se ka qenë variant i korrigjuar dhe se e ka kuptuar mirë dhe lexuar mirë.

“Aktakuzën e kam marrë, një pjesë të saj me 4 nëntor. Por edhe pasi kam ardhur në Hagë e kam marrë të korrigjuar një pjesë të aktakuzës, e kam lexuar dhe kuptuar mirë”, ka thënë ai.

 

11:11

Nis seanca në Speciale ndaj Jakup Krasniqit

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka dalë para gjykatësit të Dhomave të Specializuara.

Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale, kanë njoftuar nga Dhomat e Specializuara.