Arbëri

Në aktakuzën ndaj Thaçit e të tjerëve s’përmendet trafikimi i organeve

Një nga akuzat e raportit të senatorit Dick Martyt ishte përfshirja e individëve, pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në trafikim organesh.

Megjithatë institucioni hetimor, ideja e të cilit u ngrit mbi gjetjet e këtij raporti, nuk ka arritur të sigurojë prova që të akuzojë ish-drejtuesit e UÇK-së, tashmë të arrestuar, për një vepër penale të tillë.

Në një vit e gjysmë, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka kufizuar veprimtarinë e supozuar kriminale të katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, raporton KOHA.

Aktakuza e redaktuar, me vëllim prej 68 faqesh, këtë katërshe e bën përgjegjës për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor, të civilëve serbë e komuniteteve të tjera, personave që mbështesnin LDK-në, ose ata që UÇK-ja i konsideronte spiunë ose kolaboracionistë, raporton KOHA.

Aktakuza përmend 39 lokacione, ku supozohet që janë kryer vrasje, por nuk është dhënë numri i saktë i vrasjeve për të cilat akuzohen krerët e UÇK-së.

Veprat penale sipas aktakuzës janë kryer nga ky grup i përbashkët kriminal sipas cilësimit të Speciales, përmes disa formave, siç janë: ndërmarrje kriminale e përbashkët dhe ndihmë e inkurajim, përndjekje, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave e torturë.

Aktakuza përmend edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të përfshirë në atë çka kjo prokurori e ka konsideruar “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.

Megjithatë nuk ka asnjë lloj klasifikimi për statusin e tyre në këtë aktakuzë, duke e shmangur plotësisht fjalën të akuzuar ose të dyshuar për këta emra.

Aktakuza ngre dyshime së një pjesë e tyre u përdorën nga tashmë katërshja e akuzuar për kryerjen e veprave penale.

Sabit Geci e Latif Gashi përmendën drejtpërdrejt si kryerës të krimeve.

Vetëm një paragraf i aktakuzës ka anonimizuar, emrat e kryerësve të veprave penale të pretenduara, që lë dyshim së në cilësinë e të dyshuarve ose të akuzuarve potencialë mund të këtë edhe emra të tjerë por që identiteti u është mbrojtur.

13 herë përmendet LDK-ja në këtë aktakuzë.

Sipas aktakuzës qysh në vitin 1994 katërshja e akuzuar, kishte nisur legjitimimin e sulmeve dhe vrasjeve të oponentëve politikë, dhe dëshira që njerëzit e UÇK-së të ishin përfaqësuesit e vetëm të shqiptarëve.

UÇK-ja sipas aktakuzës ka detyruar personat civilë të arrestuar që së paku një rast ta detyrojnë që një i arrestuar të vrasë një tjetër të arrestuar, ose kanë nxitur të arrestuarit që kanë të afërm apo familjarë të ushtrojnë dhunë ndaj njëri- tjetrit.

Aktakuza përmend disa lokacione të njohura gjatë luftës, si vend ku janë kryer krimet, siç janë: Jabllanica, Kleçka, Rahoveci e të tjera.

Shumica e pikave të aktakuzës nuk tregojnë për pjesëmarrje direkte të të akuzuarve në këto krime, por pretendojnë se këta si drejtues të UÇK-së ishin të njoftuar për krimet që po kryheshin e ndonjëherë edhe ishin të pranishëm, kur ato ndodhnin.

Megjithatë, përveç përgjegjësisë eprore, siç i referohen në aktakuzë, hetimi supozon se të katër të akuzuarit kanë marrë pjesë direkt edhe në krime dhe do të gjykohen edhe për përgjegjësi individuale.

Aktakuza e konfirmuar do të fillojë shqyrtimin në gjykate javën e ardhshme.