Avokati Azem Vllasi ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të duhej të votonin pro krijimit të Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve të luftës.
Ai në DESKU të KTV-së thotë se beson se ata njerëz të cilët akuzohen për ngjarje gjatë kohës së luftës, do të kalojnë më lehtë në procedurë gjyqësorë në Speciale, për shkak se sipas tij, ka qenë pikërisht kohë lufte kur kanë mundur të ndodhin ato.
Ajo që i dha “hije të rëndë” Kosovës, Vllasi thotë se ishte hetimi për krime pas luftës, gjatë vitit 2000.
“Besoj se për atë kohën e luftës, konfliktit të armatosur 98-99, ata që janë të akuzuar për ngjarje të ndryshme të asaj kohe do kalojnë shumë më lehtë para gjykatës sepse kanë ndodhë gjëra gjatë luftës. Kompetenca kohore e Dhomave Speciale është viti 98-99-2000, edhe pas luftës. Pas luftës, sepse kur nuk ishte pushteti serb vriteshin shqiptarët për motive më të ndryshme që e vuri një hije të rëndë dhe të keqe nga ato që ishte para 99-s, pra që ishte lufta çlirimtare dhe rezistenca. Ne ishim atëherë të përkëdhelurit e botës, deri e bëmë shtetin dhe më andej, tash kemi ardhë në situatë prej atyre forcave demokratike që ishim të përkëdhelur, na detyruan të bënim Gjykatë për krime të luftës, që është shumë e rëndë për ne”, shton ai.
Vllasi ka thënë se nëse ishin ata persona që thoni se lufta jonë ishte e drejtë, nuk do duheshin ta krijonin Specialen.
“Ne vetë nuk duhet ta bënim, kuvendi jonë nuk duhej ta bënte atë gjykatë. Nëse ishin njerëzit tanë, në pozicion që lufta ka qenë e drejtë dhe mbrojtëse, lufta jonë ka qenë guerile jo me forca të shtetit”, ka shtuar Vllasi.