Arbëri

Në Infektive mungon bari kryesor për trajtimin e COVID-it

Nëntë persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, të prekur nga COVID-19.

Derisa nga 1mijë e 626 mostra të marra, pozitive kanë rezultuar 546 prej tyre, raporton KOHA.

Me rritjen e numrit të të infektuarve, është rritur edhe numri i të hospitalizuarve në Klinikën Infektive.

Sipas drejtoreshës së kësaj klinike, Lindita Berisha, deri në orët e pasdites janë pranuar 11 pacientë të rinj, dhe gjendja shëndetësore e disa prej tyre është mjaft e rëndë.

Të lirë kanë mbetur vetëm edhe 10 shtretër.

Por këtu të infektuarit nuk po trajtohen me barin antiviral, Remdesivir, kjo pasi që klinika për momentin nuk është e furnizuar me të.
 

“E kemi përdor edhe favipiravirin edhe remdesivirin. Kemi disa pacientë që i kemi trajtuar, mirëpo për momentin është një mostër e vogël për të dalë me një qëndrim konkret, mirëpo duke u bazuar nga përvoja e shteteve të tjera për Remdesivir dhe aprovimin e saj kemi vërejtur se është një efekt edhe te pacientët tanë, mirëpo do ta shohim në vazhdimësi dhe do ta përcjellim dhe do të dalim me një vendim përfundimtar”, ka deklaruar Lindita Ajazaj-Berisha - drejtoreshë e Klinikës Infektive.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë kthyer përgjigje se kur do ta bëjë furnizimin me Remdesivirin, ani pse vetë e ka futur këtë bar në protokollin për trajtimin e koronavirusit.

Në fillim të korrikut, BE-ja kishte aprovuar përdorimin e Remdesivirit në trajtimin për COVID-19.