Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se zgjedhjet presidenciale që po zhvillohen sot në SHBA, janë më të rëndësishmet deri tash në histori të SHBA-së.
Sipas tij, interesimi për zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë presidenti aktual Donald Trump dhe kandidati i Partisë Demokratike, Joe Biden, është rritur për shkak të ashpërsimit mes kandidatëve.
“Kjo ngjarje është duke u përcjellë nga e gjithë bota, ngjarje e cila është edhe më e rëndësishme se herët tjera, edhe për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë kësaj kohe të fushatës elektorale ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm, ndonëse në një situatë jo të zakonshme edhe për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të rivaliteteve të shtuara dhe ashpërsuara mes kandidatëve presidencialë. Nëse shohim historikisht, mendoj se janë më të rëndësishmet zgjedhje të mbajtura ndonjëherë në SHBA, sepse do të përcaktojë kahen nga do të ecën SHBA-ja në katër vitet e ardhshme, nëse do të vazhdojë me politikën e Trumpit, doktrinën e tij që po quhet Trumpizëm, qasje e re në politikën e brendshme të Amerikës, por edhe në aspektin e politikës ndërkombëtare, apo do të vendosë Amerika besimit një ish-nënpresidenti që ka qenë tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë si nënpresident i presidentit Obama dhe për të cilin amerikanët kanë respekt dhe e njohin stilin e tij të qeverisjes edhe pse s’ishte njeriu që ka vendosur sepse ishte nënpresident, por ishte shtyllë e rëndësishme e administratës Obama”, ka thënë ai. “Sonte do të vendoset se nga do të shkojë Amerika dhe me këtë çfarë imapkti do të ketë kjo”.