8 perditesime
22:21

Ruge: Administrata Trump, dobët e koordinuar me BE-në për çështjet e Ballkanit Perëndimor

Zv.kryetari i Konferencës së Sigurisë së Munihut, Boris Ruge, thotë se nga përvoja e tij në Prishtinë e Sarajevë, pa një bashkëpunim mes SHBA-së dhe BE-së nuk mund të zgjidhet asnjë problem në Ballkanin Perëndimor.

Ai në emisionin Desku në KTV, tha se SHBA-ja dhe shtetet e mëdha evropiane duhet të bashkëpunojnë ngushtë.

“Kur vjen puna te Ballkani Perëndimor, përvoja ime - dhe kam pasur përvojë në Prishtinë dhe në Sarajevë, por edhe duke punuar në çështje të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në ministrinë e Jashtme si dhe në misionin e OKB-së - përvoja ime pra është se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse doni të arrini çfarëdo, ju duhen SHBA-ja dhe BE-ja e shtetet e mëdha anëtare, si Gjermania, të punojnë bashkë si dora me dorën. Duke punuar shumë ngushtë së bashku. Dhe kjo është ajo që ka munguar, administrata e Trumpit ka qenë aktive, ambasadori Grenell ka qenë duke bërë gjëra aty, por ishte shumë dobët e koordinuar dhe kjo është diç që ne do donim të shohim se ndryshon. Do të donim të shihnim që BE-ja dhe SHBA-ja punojnë së bashku dorë për dore”, ka vlerësuar Ruge.

22:16

Ruge: Trumpi e sheh BE-në si rivale, Bideni si partnere

Zv.kryetari i Konferencës së Sigurisë së Munihut, Boris Ruge, thotë se zgjedhjet në SHBA vërtetë janë të amerikanëve, por ato janë të rëndësishme për tërë botën, përfshirë edhe Kosovën.

Ish-zv.ambasadori i Gjermanisë në SHBA, në një intervistë në DESKUN e KOHËS tha se ka një dallim thelbësor mes dy kandidatëve se si i shohin marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën.

“Këto janë zgjedhje amerikane. Të gjithë ne kemi interes në to, si gjermanë, si kosovarë, kudo që jetojmë, SHBA-ja është një vend aq i rëndësishëm saqë me të gjithë kemi një interes shumë të madh dhe shumëçka varet nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. Por, u mbetet amerikanëve të vendosin. Mendoj se kjo është shumë me rëndësi. Pra, cilido të jetë mendimi im personal, apo cilido të jetë këndvështrimi evropian, në fund kjo është diç që vendoset nga votuesit amerikanë. Por, mendoj se shumë varet, sepse kemi një dallim në këndvështrim mes presidentit Trump, në njërën anë, dhe Joe Bidenit, ish zv.presidentit, në anën tjetër. Është shumë e qartë se zv.presidenti Biden nuk e sheh Bashkimin Evropian si një rival apo si një armik, ai na sheh si partner”, tha Ruge.

Ai vlerëson se do të ishte më lehtë të punohet me administratën Biden sesa që ishte të punohej me administratën Trump.

“Do të shtoj që edhe nëse presidenti Trump rizgjidhet, nuk do jetë fundi i botës. Do të jetë shumë sfiduese, mendoj se mund të shohim, të presim më shumë çarje, më shumë turbulenca, por mendoj se ne do duhet të bëjmë më të mirën e mundshme, po ashtu”, tha Ruge.

21:18

Serwer: Shpallja e fituesit mund të zgjasë deri në janar

Profesori i universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, ka thënë se zgjedhja e presidentit të ri në SHBA mund të zgjasë, madje deri në janar.

Ai për DESKUN e KTV-së tha se nuk beson se do të dihet fituesi në natën e sotme.

“Jo, nuk besoj se mund ta presim. Dhe shpesh ka ndodhur që të mos i kemi ditën tjetër. Është një mit i plotë që ne duhet t’i kemi natën e zgjedhjeve apo ditën tjetër, kjo thjesht nuk funksionon kështu, nuk ka funksionuar kështu për George W. Bushin kur ai u zgjodh në vitin 2000 dhe shpesh nuk ndodh kështu. Një gjë që të huajt kanë vështirësi ta kuptojnë është se zgjedhjet kombëtare në Shtetet e Bashkuara organizohen nga shtetet, ato nuk organizohen nga Qeveria Federale në Washington D.C., por ato organizohen nga shtetet sipas rregullave shtetërore, kështu që ka shumë dallueshmëri në mënyrën se si gjërat trajtohen në 50 shtetet, sesa që do të kishte në një shtet shumë të centralizuar sikur Franca, ku votimet organizohen nga qeveria qendrore”, ka deklaruar Serwer.

Ai ka thënë se sistemi elektoral në SHBA është i komplikuar dhe se mund të shkojnë disa ditë deri te numërimi i votave.

“Në sistemin tonë, në fakt, shtetet e zgjedhin presidentin sikur edhe kolegjin zgjedhor, kështu që keni raste sikur George W. Bush në vitin 2000, sikur dhe z. Trump në 2016, ku fituesi nuk e kishte shumicën e votës popullore, por kishte shumicën e votës elektorale. Dhe votat elektorale varen nga madhësia e popullatës dhe përfaqësimi i secilit shtet në Kongres. Andaj, ky sistem shumë i komplikuar është i vështirë për të huajt që ta kuptojnë, nganjëherë i vështirë edhe për amerikanët që ta kuptojnë, po ashtu ju duhet thjesht të jeni të durueshëm derisa rezultati të jetë i qartë dhe e vetmja ditë deri në të cilën kjo duhet të ndodhë gjithsesi është 14 dhjetori, sepse ajo është dita kur votat e kolegjeve elektorale komunikohen nga shtetet te Washingtoni. Dhe Kongresi pastaj vendos se kush e ka shumicën në atë që quhet Kolegji Elektoral dhe nëse nuk ka shumicë në Kolegjin Elektoral, zgjedhja e presidentit mund të zgjasë deri në vitin e ri. Andaj, na duhet të jemi të durueshëm, kemi një sistem të komplikuar që është i vështirë për ta kuptuar dhe nuk prodhon rezultate të menjëhershme”, tha Serwer.

21:12

Serwer: Me fitoren e Bidenit do të kishim kthim të politikës tradicionale amerikane për Kosovën

Profesori i universitetit “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, vlerëson se Joe Biden ishte shumë më i qartë sa i përket Ballkanit Perëndimor, se që ishte Donald Trump gjatë katër vjetëve si shef i Shtëpisë së Bardhë.

Eksperti për Ballkanin në një intervistë në emisionin DESKU në KTV tha se Biden përkrah integritetin territorial të të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Është më lehtë që të thuhet se çka do të thoshte një fitore e Bidenit, sepse ai këtë e ka thënë shumë qartë. Ai e përkrah sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve në Ballkan, përfshirë Kosovën, dhe do një normalizim të plotë politik, njohje të ndërsjellë, këmbim ambasadorësh mes Kosovës dhe Serbisë. Andaj, me të do të kemi kthimin e politikës tradicionale amerikane të kohës së pas vitit 1999. Jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën. Me z. Trump, supozoj se do të kishim një vazhdim të përpjekjes për normalizim ekonomik, por është vërtet shumë e vështirë të parashihet, sepse ai nuk do ta çajë kokën pasi të ketë përfunduar fushata zgjedhore dhe kur z. Grenell e merr detyrën e tij të ardhshme, as ai nuk do ta çajë kokën më”, ka thënë Serwer.

21:07

Serwer: Pretendimi i Trumpit se e ka ndalur një luftë 400-vjeçare, është një nonsens i plotë

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, e ka quajtur nonsens të plotë pretendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se e ka ndalur luftën 400-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë.

Trump në një tubim gjatë fushatës zgjedhore ishte mburrur se si ka ndalur luftën 400-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen e nënshkruar në Washington më 4 shtator.

“Natyrisht, kjo në fakt nuk është e vërtetë. Lufta ka mbaruar para njëzet vjetësh, pak a shumë, dhe e dini Kosova dhe Serbia kanë pasur një marrëdhënie në të vërtetë mjaft paqësore në 15 vjetët e kaluar. Nuk ka qenë pa tensione, nuk ka qenë pa ngatërresa, por e dini njerëzit nuk po lëndohen kryesisht dhe sigurisht shumë pak janë vrarë në vitet e fundit në dhunë ndëretnike në Kosovë. Andaj, ky pretendim se e ka ndalur një luftë që po zgjat tash e 400 vjet është nonsens i plotë dhe secili në Ballkan e di dhe e kupton këtë. Por, amerikanët nuk e kuptojnë, ose së paku disa amerikanë nuk e kuptojnë, dhe kur presidenti thotë se ai e meriton një çmim Nobel për këtë, njerëzit që janë mjaft të paarsimuar dhe nuk dinë gjë për Ballkanin, apo për çmimin Nobel, i aplaudojnë”, ka deklaruar Serwer, profesor i universitetit “John Hopkins” për DESKUN e KTV-së.

20:47

Landay i sheh brengosëse deklaratat e Trumpit për votat me postë

Jonathan Landay u shpreh në emisionin Desku në KTV se është brengosëse ajo çfarë ka thënë presidenti Donald Trump gjatë gjithë kohës sa u përket votave me postë.

Korrespodenti i Reutersit në Uashington, e sheh shqetësuese deklaratën e Trumpit se votat me postë që nuk janë numëruar deri në mbyllje të procesit zgjedhor, nuk duhet të merren parasysh.

“Kemi parë që Shtëpia e Bardhë i ka mohuar ato raportime, por ka brenga për shkak të vetë deklaratave të presidentit rreth asaj sesi ai nuk beson që votat të cilat nuk janë numëruar deri pas mbylljes së vendvotimeve, të martën në mbrëmje, nuk duhet të llogariten. Kemi parë partinë republikane në disa shtete, përfshirë Karolinën Veriore dhe Pensilvaninë, duke u përpjekur që gjykatat të përjashtojnë votuesit të cilët i kanë dërguar votat me postë. Ata po përpiqen që këto vota të mos llogariten nëse ato numërohen gjatë kohës së zgjatur, ditëve pasuese, që po zbatohet për shkak të numrit shumë të madh të votave të dërguara me postë më herët, e që, sipas sondazheve apo hulumtimeve të opinionit, favorizojnë demokratët”, tha Landay.

Ai thotë se Trump me këtë synon të “shpall” vetën fitues pa e fituar mandatin vërtetë.

“Dhe kështu, synimi në këtë përpjekje është që të tentohet të thuhet ‘e shihni, unë jam fituesi’ dhe të tentohet të krijohet një bazë ligjore me të cilën do të shkohet prapa në gjykata për të kontestuar shenjtshmërinë e votave të hershme, votave me postë, që nuk janë numëruar deri në fund të natës të martën. Por, gjëja është se këtu në SHBA nuk ka rregulla kudo që unë i di, përfshirë Kushtetutën e SHBA-së, që thonë se votat duhet të numërohen deri në mbyllje të votimeve. Ne në fakt, tradicionalisht, këtu në SHBA, ne shpesh nuk kemi pasur, shumë shtete nuk kanë kompletuar numërimin e votave të tyre deri në fund të mbrëmjes të së martës”, ka thënë Landay.

20:43

Landay: Shumica e votave të hershme janë hedhur nga demokratët

Korrespodenti i Reutersit në Uashington, Jonathan Landay, pret që dalja e amerikanëve në zgjedhjet e 3 nëntorit të jetë rekorde apo më e larta që nga viti 1908. Deri në ditën e zgjedhjeve kanë votuar gati 100 milionë amerikanë.

Ai në DESKUN e KOHËS tha se shumica e votave të hershme, sipas hulumtimeve, janë hedhur nga demokratët.

“Janë gati njëqind milionë vota të hershme dhe kjo krahasuar me vetëm 58 milionë vota të hershme më 2016. E dimë që, dhe nëse mendon për këtë, më 2016 numri i përgjithshëm i votave ishte rreth 136 milionë dhe tani po presim një numër rekord votash. Sipas hulumtimeve që janë kryer, shumica dërmuese e votave të hershme janë hedhur nga demokratët, sepse ata i kanë ndjekur instruksionet apo rekomandimet kur bëhet fjalë për votimin fizik dhe koronavirusin, andaj ata kanë dërguar me postë numra shumë të mëdhenj të fletëvotimeve dhe kështu, në mënyrë që të ftojë presidenti Trump do të duhet të ketë një dalje të madhe të përkrahësve të tij në votimin fizik nesër në vendvotime në gjithë vendin. Do të duhet të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë, por numri total i votave, apo i daljes siç e quajmë, mund të jetë më i larti që kemi parë në SHBA që nga viti 1908”, ka thënë Landay.

20:39

Landay: Keqmenaxhimi i pandemisë, çështja super-dominante e kësaj gare

Jonathan Landay, korrespodent i Reutersit në Uashington, beson se mënyra se si u ballafaqua presidenti Donald Trump me pandeminë e koronavirusit, do të jetë goxha vendimtare për të nxjerre fituesin e zgjedhjeve që po mbahen në SHBA.

Ai në një intervistë në emisionin Desku në KTV, tha se në shtetet ku ka numra të mëdhenj të përkrahësve të Trumpit, ka pasur rezistencë ndaj masave për parandalimin e koronavirusit.

SHBA-ja është vendi më i goditur si për numrin e të prekurve, ashtu edhe për të vdekurit si pasojë e COCID-19.

“Në masën më të madhe do të jetë sesi presidenti i SHBA-së është ballafaquar me shpërthimin e koronavirusit këtu në Shtetet e Bashkuara. Ne tani po hyjmë në valën e tretë, po shohim numra rekord të rasteve, në shtete në gjithë SHBA-në ka pasur shumë rezistencë në shtete që kanë numra të mëdhenj të përkrahësve të presidentit, që udhëhiqen nga anëtarë të partisë së tij republikane, aty ka rezistencë të madhe ndaj masave që janë rekomanduar për ta kontrolluar virusin. Dhe tani shohim shpërthime të mëdha të virusit në shumë prej atyre shteteve ku Trumpi ka shumë përkrahës. Janë disa studime që tregojnë se disa prej këtyre rritjeve mund të jenë të ndërlidhura me këto tubimet masive që ai mbante, ku njerëzit nuk ruajnë distancën sociale, nuk bartin maskat. Joe Biden e ka goditur Donald Trumpin shumë rreth këtij keqmenaxhimi të kësaj krize, kjo vërtet është çështja super-dominante e kësaj gare”, ka thënë Landay.

20:16

DESKU në KTV: SHBA-ja midis Trumpit dhe Bidenit

Ai ka qenë kandidat jokonvencional, president i papërshtatshëm amerikan dhe tani po përballet me një vendim, konkretizimin e të cilit po e pret gjithë bota.

Me sytë e kthyer kah mandati i dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe i ballafaquar me sfiduesin që prin në sondazhe, presidenti amerikan, Donald Trumnp, nuk është kursyer në vënien në dyshim të integritetit të votave, përcjell KOHA.

Dhe për këtë arsye, ka paralajmëruar edhe angazhimin e skuadrave të tëra avokatësh kur qendrat e fundit të votimit të mbyllen. Krejt kjo në përpjekjen e tij të fundit për të dëmtuar rëndë procesin demokratik, në minutat përmbyllëse të fushatës.

Gjatë mitingut në Newton të Pennsylvannias ka folur për rrëmujë kaotike në Amerikë.

Me këtë nuk iu referua paralajmërimit të trazirave në rrugë, por numërimit të votave që dërgohen me rrugë postare. Republikanët u përpoqën ta parandalonin zgjatjen e afatit për numërimin e votave në Pennsylvannia, por dështuan me përpjekjen e tyre.

Gjithë fushata midis Trumpit dhe demokratit Joe Biden pati marrë drejtim krejtësisht të ri, me konfirmimin se pandemia e koronavirusit ka lënë të vdekur më shumë se 230 mijë qytetarë në Shtetet e Bashkuara.

Menaxhimi i pandemisë nga Trumpi është bërë pika ndezëse në debatet e tija kundër sfiduesit demokrat Joe Biden, i cili ka qenë përherë i kujdesshëm, duke e ka kaluar madje gati tërë verën në shtëpinë e tij në Delaware dhe larg fushatave shkaku i virusit.

Por më pas e rinisi fushatën me tubime të vogla dhe duke zbatuar distancën sociale. Duke u shfaqur përherë me maskë para publikut, për t’u përqeshur për këtë nga presidenti Trump. Qysh nga fillimi, fushata e Trumpit është shoqëruar me deklarata të paqena mbi pandeminë dhe Bidenin.

Në çdo tubim ka përsëritur se virusi po ikën ose do të ikë, ani pse numri i të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi vazhdonte të ngrihej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveçse me pandeminë, administrata e Trumpit u ballafaqua edhe me protestat që nisën me vdekjen e afro-amerikanit George Floyd në duart e policisë.

Fluksi i demonstratave pasuese ndaj racizmit ishte më i dhunshmi në dekadat e fundit.

Ndërsa Trumpi i fyente protestuesit dhe ndaj tyre angazhoi edhe forcat federale.

Kjo ngjalli pakënaqësi edhe më të mëdha te kundërshtuesit e dhunës kundër afro-amerikanëve.

Rivali i tij, Biden, premtonte reforma policore dhe për këtë ka përgatitur një plan miliona dollarësh teksa vazhdimisht ka bërë thirrje se racizmi sistematik duhet të marrë fund.

Në debatin e parë të 30 shtatorit, Trumpi dhe Bideni u përplasën për secilën temë teksa presidenti i ndërhyri vazhdimisht rivalit, por edhe udhëheqësit të debatit.

Në një moment, ia doli që ta nxirrte Bidenin nga zona e tij e rehatisë. Para debatit, demokrati kishte premtuar se do të ishte gjakftohtë, por ndërhyrjet e presidentit e shtynë që të humbte kontrollin dhe në një rast e quajti atë “palaço”.

Megjithëse ishin më të matur se në debatin e fundshtatorit, Trumpi dhe Bideni shpalosën qëndrime diametralisht të kundërta për pandeminë dhe iu lëshuan edhe sulmeve personale. Trumpi ndërkaq u nxori punë edhe kontrolluesve të fakteve, pasi tha shumë të paqena në këtë debat.

Aty republikani e cilësoi veten si personin që ka qenë më së paku racist, që prej presidentit Abraham Lincoln. E Biden iu kundërpërgjigj ashpër, duke e quajtur presidentin më racist që njeh Amerika.

Ndërkohë, midis përplasjesh e fryrjes së numrave me raste të reja të të infektuarve me koronavirus, nga COVID-19 u prek vetë Trumpi. Sëmundja e tij ndodhi në kohën kur presidenti po mundohej ta bindte publikun amerikan se ditët më të rënda me pandeminë veç kanë kaluar.

Në votimet e sotme, amerikanët do të zgjedhin mes dy 70-vjeçarëve me qëndrime dramatikisht të kundërta për kujdesin shëndetësor, ndryshimet klimatike, politikën e jashtme dhe lidershipin në një periudhë të ndasive të thella. Republikani 74-vjeçar e përmbylli fushatën duke u sfiduar dukshëm nga sondazhet e disfavorshme karshi Bidenit.

Në anën tjetër, Bideni është kandidati më i moshuar presidencial në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, por krejt jetën e ka kaluar duke punuar si zyrtar i lartë në Washington. Asnjë nga të nominuarit për garën presidenciale nuk kanë pasur kaq shumë përvojë në qeverisje.