2 perditesime
16:12

Drejtori i Qendrës së Studentëve: Pothuaj 18 orë në ditë kemi punuar

Drejtori i Qendrës së Studentëve, që gjatë fazës së parë të pandemisë shërbeu për karantinimin e të kthyerve, Fatmir Sfishta, ka nisur raportimin para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Ai ka treguar se si ka shkuar organizimi i të karantinuarve. Ka folur edhe për të ndjerin Agon Musliu, që kreu vetëvrasje në Qendrëne Studentëve, një ditë pasi ishte karantinuar aty.

“Kam qenë drejtor i Qendrës së Studentëve në kohën e karantinës si dhe përgjegjës ose menaxher i Qendrës. Kemi pasur për detyrë që çdo person që duhej të karantinohet të vendoset në konviktet e Qendrës. Në baza ditore kam qenë në Qendër. Pothuajse 18 orë kemi qenë në punë për 78 ditë sa ka qenë karantina. Kemi pasur paralajmërim si qendër t’i bëjmë përgatitjet e duhura dhe 4 konvikte i kanë pasur kushtet dhe katër të tjera nuk kanë qenë në nivel për karantinë. Kemi pritur një kontigjent shumë më të madh dhe përveç hyrjeve tokësore, kemi qenë të paralajmëruar se do të vijë edhe një kontigjent nga Gjermania. Gjithçka ka qenë rutinë dhe i ndjeri Agon Musliu është pranuar sikur të gjithë të tjerët. Më bën të ndjehem mirë nga prononcimet e babait të tij. Agoni ka deklaruar se ushqimi dhe ka qenë i mirë”, ka thënë Sfishta para anëtarëve të Komisionit parlamentar.

15:26

Gashi: Babai i Agonit ka pasur leje për të lëvizur në aeroport dhe për ta marrë atë

Gashi ka thënë se përgjegjësitë e tij në kuadër të qendrës ka qenë koordinimi i punës.

“Detyra jonë ka qenë komunikimi me qendrat operative tjera si e policisë FSK-së pastaj Qendra e Jashtme e Diasporës si dhe shtabet emergjente lokale. Ne nuk komunikojmë me të gjithë njësitë vartëse”, ka thënë ai.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Ilir Ferati, ka thënë se e ka pyetur Gashin nëse kanë pranuar kërkesë nga qendra operative e Gjilanit nga babai i Agonit Musliut.

“A është dashur të njoftohet dikush apo veç e keni miratuar kërkesën”, ka pyetur ai.

Gashi ka thënë se më 1 maj kanë pasur një kërkesa nga qendra e Gjilanit për ta liruar prindin e Agonit për të shkuar te djali i tij në Aeroportin e Prishtinës, për çka thotë se e kanë aprovuar kërkesën për të lëvizur në aeroport dhe për ta marrë djalin.

“Procedurat standarde të aprovimit e kanë pasur rol që të merret dokumentacioni përkatës. Policia e Kosovës ka qenë e njoftuar për aprovimin. Prej orës 8 deri në 13 ka qenë e miratuar lëvizja e babit të Agonit. Në momentin kur prindi ka bë kërkesë në qendrën e Gjilanit dhe ka paraqitur problemin, qendra e Gjilanit është dashur të cekë edhe problemin shëndetësore. Sikur qendra operative e Gjilanit e ka ditur se ka urgjencë këtu, natyrisht se do të duhej të njoftohet edhe qendra e shëndetësisë. Ne i jemi përgjigjur në Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë ai.

Gashi tutje ka shtuar se për riatdhesim, futja e njerëzve në lista ka qenë punë e ministrisë së jashtme.

Deputeti Shkumbin Demaliaj ka pyetur nëse është njoftuar policia në aeroport për kërkesën e lejimit të prindit të Agonit për të shkuar dhe për ta marrë atë.

“Në momentin kur ne aprovojmë kërkesa e kemi udhëzuar qytetarët ta shtyp emailin dhe policia mos ta pengojë. Pala që riatdhesohet është dashur ta paraqes pastaj dokumentacionin përkatës por i ndjeri nuk ka paraqit ndonjë dokument dhe as nuk ka deshmu gojarisht se ka ndonjë ankesë”, është përgjigjur Gashi.

14:52

Nis intervistimi i zyrtarit të MPB-së në Komisionin hetimor për pandeminë

Ka filluar me më shumë se gjysmë ore vonesë, mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit Covid-19, e Qeverisë së Kosovës.

Komisioni ka filluar intervistimin e Mustafë Gashit nga Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme, meqenëse menaxheri i Qendrës Karantinë, Zenel Hisenaj nuk ka shkuar në raportim.