Arbëri

Rrëfimi për betejën e pabarabartë: 31 vjet nga vrasja e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë

Një betejë forcash të pabarabarta u zhvillua në 2 nëntorin e 1989-s në “Kodrën e Diellit”, në Prishtinë. Dhjetëra policë të uniformuar e civilë të armatosur u vunë në ndjekje të dy të rinjve shqiptarë që përbënin celulat e para të rezistencës ndaj regjimit serb në Kosovë.

Breshëri plumbash e gazi lotsjellës u hodhën në drejtim të dritareve të vogla të bodrumit ku ata ishin strehuar. Dhjetë orë zgjati sulmi që la të vrarë Fahri Fazliun e Afrim Zhitinë, pjesëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, raporton KOHA.

“Dolën dhe shikuan në dritare, e hapën, dhe Afrimi kërceu i pari e pas tij edhe Fahriu. Na thanë që të mos kemi frikë e pastaj u drejtuan nga ndërtesa ku edhe u vranë. Pastaj filluan krismat, e menjëherë trokitjet në derë filluan nga policia. Ne nuk ua hapem e pastaj e thyen. Na ulen e na thanë që nuk guxoni të lëvizni”,thotë Fahrie Fazliu, motra e Fahriut.

Vëllai i Fahriut, Fadil Fazliu, ka treguar se ata ishin paralajmëruar për një ndërhyrje të mundshme të policisë, për shkak të aktivitetit të të vëllait.

“Një natë para ngjarjes, ne e pastruam banesën, i larguam të gjitha armët që kur policia të vijë, të mos dyshojnë asgjë. Më 1 nëntor, Fahriu shkon në spitalin e mushkërive ku ishte një familjar, pasi ishin duke e vëzhguar Fahriun tentojnë ta arrestojnë, pastaj ai e nxjerr revolen dhe ikë. Pastaj të nesërmen ishte dita kritike”, ka thënë Fadil Fazliu.

Vëllai i Afrimit, Naim Zhitia, ka treguar për rezistencën dhe vrasjen e tyre. Ai ka thënë se trupat u janë kthyer familjeve tek pas pesë ditësh. Sot ata pushojnë në varrezat e dëshmorëve në “Velani”.

“Këtu kanë rezistu për orë të tëra dhe pas një luftimi diku 10 orësh Fahriu është vra, ka qenë në bodrum, ndërkaq Afrimi është vra në shkallë, aty është gjetur nga Policia, ka qenë me 8 plumba në trup dhe një në ballë, ndërkaq Fahriu me disa plumba në trup”, ka rrëfyer Naim Zhitia.

Kryetari i Lëvizjes Kombëtare të atëhershme për Çlirim të Kosovës, Avni Klinaku, thotë se flijimi i Zhitisë dhe Fazliut ka qenë motiv për të tjerët që amanetin t’ua çojnë në fund.

“Vrasja e tyre ka ndodhur për shkak të një aktiviteti të ngjeshur të Afrimit e Fahriut. Pushtuesi ka goditur në kokë, e ka goditur rëndë ilegalen e atëhershme, por edhe rezistencën në përgjithësi, por ka pasur edhe anën e mirë, sepse janë mobilizuar mijëra njerëz pas aktit të qëndresës së këtyre trimave”, ka thënë Klinaku.

Qytetarë të shumtë, si dhe përfaqësues institucionesh, morën pjesë në homazhe te vendi ku Fazliu e Zhitia u rezistuan forcave policore serbe 31 vjet më parë dhe te varrezat e dëshmorëve ku sot ata prehen.