Arbëri

Prenaj, përmes pajtimit gjyqësor të palëve jokompetente, dyshohet që humbi pronën milionëshe

E gjithë dosja e procesit gjyqësor, përmes të cilit i është ndërruar pronari pronës milionëshe të ish-Radio Televizionit të Prishtinës, është rreth 5 faqe, shumica prej tyre kërkesa për gjykatë, e jo prova të ndonjë borxhi që kishte RTP-ja.

Vendimin për ndërrim pronari e ka firmosur gjyqtari Lekë Prenaj, i cili qe një kohë është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ndaj Prenajt dhe tre personave të tjerë, të premten është ngritur në aktakuzë.

Hetimi pati nisur në vitin 2019, një ditë pasi gazeta Koha Ditore kishte publikuar hulumtimin në lidhje me ndërrimin e kësaj prone, me sipërfaqe rreth 80 ari, që gjendet në Lagjen Veternik të Prishtinës.

Gjyqtari Lekë Prenaj nuk është i vetmi i akuzuar në këtë rast.

Borxhi, sipas pretendimeve të Shkumbin Qehajës, ishte i vitit 1994, atëkohë kur RTP-ja funksiononte nën regjimin serb, ndërsa shqiptarët ishin dëbuar nga puna.

E, kryetari i Bordit ekzekutiv të Drejtorëve të RTP-së, në periudhën 2015-2018, është gjithashtu pjesë e aktakuzës. Në përgjigje ndaj padisë, ai, në emër të RTP-së, e kishte njohur këtë borxh të pretenduar, ndërsa kishte angazhuar avokatin Shpëtim Pllana që ta përfaqësojë RTP-në në këtë proces gjyqësor i cili ishte mbajtur në vitin 2019.

Për borxhe të tilla, nëse nuk janë fiktive, kompetencën e trajtimit e kanë vetëm Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Gjyqtari Prenaj kishte miratuar pajtim gjyqësor mes Kastratit e Qehajës, pa e konsultuar fare Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Siç është raportuar, pjesë e aktakuzës janë edhe Kastrati, Qehaja e Pllana.

Prokuroria i ka ngarkuar ata me disa vepra penale, sipas Betimit për Drejtësi.

“Hilmi Kastrati si person zyrtar – Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat zyrtare, në atë mënyrë që me 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me nr.C.Nr.3159/17 për Vërtetimin e të Drejtës së Pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Veternik, Zona Kadastrale në Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja, e pastaj i pandehuri Hilmi Kastrati me 5 shtator 2018 e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që kontestin sipas padisë së lartcekur C.Nr.3159/17 ta përfaqësojë NSH Radio Televizionin e Prishtinës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhe pse i pandehuri Hilmi Kastrati e ka ditur se prona shoqërore, ngastra kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në Veternik e të paditurës NSH Radio Televizionit të Prishtinës, gjendet në menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar””.

Një ditë pas aktakuzës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka pezulluar nga puna gjyqtarin Prenaj.

Një veprim të tillë nuk e patën bërë vitin e kaluar kur gazeta pati publikuar këtë rast, e as kur kishin filluar hetimet.

KOHA ka folur me Prenajn, por ai ka thënë se “nuk ka nevojë të flasë me gazeta”.